Anabelizim > Original

5 gjëra për të cilat prindërit shqiptarë s’bërtasin më në 2017-ën

1. “Boll pe televizor!”

Tani ka më shumë të bërtitura si: “Ngele në internet! S’do të japin bukë fotot në Facebook!” Ose: “Ulu lexo një libër, boll pe video në Utub a Jutub ça i thoni ju!” E njëjta gjë që ndodhte dikur kur televizori po i zinte vendin radios, tani po ndodh mes televizorit dhe internetit.

2. “Ke dy orë që flet me shoqen në telefon!”

Tani na thonë më shumë: “Ka tërë ditën tërc-mërc ai telefoni yt!”, sepse bisedat bëhen të gjitha në Whatsapp. Madje aq shumë jemi mësuar duke folur me mesazhe saqë kur na merr dikush në telefon- mami e zëmë- na duket si bezdia më e madhe që mund të jetë.

3. “Gjithë ditën tek interneti!”

Ju kujtohen qendrat e internetit? Pikërisht. Kohërat kur ia ngrinim nervat prindërve sepse kalonim me orë të tëra tek qendrat e internetit, sepse çdo ditë kishim “një projekt” për të çuar të nesërmen në shkollë, janë tashmë të shkuara. Çdo gjë na duhet e kemi në atë smartphone të mallkuar.

4. “Futu brenda!”

Ne të viteve ’90 kemi qenë brezi me fat kur fëmijët luanin me njëri-tjetrin në lagje. Pastaj me kalimin e kohës aksesi drejt mënyrave më të thjeshta për t’u argëtuar u lehtësua dhe përveç kësaj, me gjithë këto ndërtime të reja, hapësirat për të luajtur janë përherë e më të pakta. Fëmijët tani joshen më shumë nga të ndjenjurit brenda duke luajtur në iPad ose kompjuter, aq shumë sa detyrohesh t’u bërtasësh të dalin jashtë dhe të socializohen me fëmijët e tjerë. 

5. "Ngele rrugëve!"

Tani thonë: "Ngele nëpër kafe!" Tani ideja e të kaluarit kohë nëpër kafene, bare dhe club-e është përhapur edhe mes minorenëve, që i ke shumë shpesh në tavolinën ngjitur duke bërë selfie e duke pirë pije energjike. Nëse më parë "adoleshentët e pabindur" rrinin rrugëve, tani e kalojnë pasditen nga kafja në lounge bar.

Artikuj të ngjashëm

. .