Të ardhurat që emigrantët sjellin në atdhe, remitancat, janë një faktor i rëndësishëm për vendet në zhvillim siç është edhe Shqipëria. Sipas përpunimit të të dhënave nga Banka Qëndrore Europiane, 75% e remitancave në vend vijnë nga Italia. Ndër shtetet e tjera të marr nën analizë, Shqipëria ka varësinë më të madhe nga një vend i vetëm.
14% e të ardhurave të tjera nga jashtë vijnë nga Shtetet e Bashkuara, 6% nga Gjermania, 2% nga Britania e Madhe. Varësia kaq e lartë nga një vend i vetëm është problem për Shqipërinë pasi mund të transmetojë me shpejtësi krizat financiare të Italisë në ekonominë vendase.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në periudhën janar-qershor të këtij viti, emigrantët sollën në vend 298 milionë euro, me një rritje prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2016.
Pritet që prurjet nga remitancat të rriten me 1.8% duke shkuar në 1.07 miliardë dollarë në fund të 2017-s, në krahasim me 1.05 miliardë dollarë që ishin në fund të 2016-s.
Burimi: Monitor