Sot është ndeshja e Shqipërisë me Italinë, por edhe lamtumira zyrtare e Lorik Canës që do të finalizohet me një mbrëmje të organizuar nga FSHF-ja.
Por përpara fillimit të ndeshjes në stadiumin “Loro Boriçi”, djemtë e ekipit kombëtar zbritën për të bërë nxemjen të gjithë të veshur me fanellën e Lorik Canës. Në fillim Berisha e më pas të gjithë të tjerët, një nga një dolën duke surprizuar të pranishmit.
Ata mbanin të gjithë fanellën me numrin 5, që ka qenë fanella e kapitenit të ekipit të Shqipërisë që prej 2011-ës.
Cana vendosi të linte drejtimin e kombëtares shqiptare menjëherë pas kampionatit evropian, kur njoftoi zyrtarisht se pas suksesit të hyrjes për herë të parë në EURO, ishte koha më e mirë për të marrë këtë vendim.