Çfarë po ndodh rreth nesh > Shqipëria

Marketi i ruan portofolin e humbur për 3 vite e gjysmë: Ia kthen vajzës nga Tirana

Të thuash më humbi portofoli është njësoj si të thuash portofolin s’do ta shoh më kurrë me sy. Nis aplikimin për kartën e re të identitetit, anullon kartën e debitit, mëson të jetosh pa ato lek që kishe brenda dhe ecën përpara.

Një e re nga Tirana pati fatin e mirë të përballet me njerëz korrektë dhe të ndershëm. Në inboxin e Anabel në Facebook, shkruajti një vajzë që gjeti portofolin e saj në marketin ku e harroi tre vite e gjysmë më parë. Ose më saktë, ia ruajti dhe ktheu stafi i Big Market tek 9-katëshet.

“Nëpërmjet faqes suaj doja të bëja një falenderim publik për një nga pikat e Big Market. Me anë të një mesazhi të palexuar në Facebook, sot gjeta portofolin tim të humbur prej tre vite e gjysmë. Papritur hapa mesazhet që vijnë nga njerëz që nuk i kam miq dhe ç’të shoh: një mesazh i shkruar që në 2014 nga një prej manaxhereve të Big Market tek 9-katëshet. Falë korrektesës së tyre, sot portofoli më erdhi në dorë me gjithë lekët dhe dokumentat që kisha brenda,” shkruan e reja.

Ajo dërgoi edhe një screenshot të mesazhit dërguar në gusht të 2014-s.

Përtej çdo gjëje, një veprim i tillë është frymëzues dhe duhet vlerësuar.

Artikuj të ngjashëm

. .