Hidhini një sy spektakleve më të ndjekura në Shqipëri. Një spektakël kërcimi, një gjyq televiziv, disa debate të nxehura publike, një grup njerëzish nën kujdesin e vëllait të madh dhe ca intervista thumbuese. Dhe si çdo tjetër shfaqje televizive në botë, dy tipare dominojnë: dhuna dhe seksi. Në Shqipëri kemi versionin tonë të zbutur të dhunës dhe seksit: sherr intensiv dhe lidhje të vakëta. Gojëplot, s’ka rëndësi formati, rëndësi ka sherri. S’ka rëndësi a blen, e vjedh apo e ideon vetë spektaklin, rëndësi ka të ndodhë diçka kontroversiale, diçka që krijon famë.
Thonë që nëse merr shembuj, diskutimi mbi ndodhinë bëhet banal. Sidoqoftë, Shqipëria është dy gisht vend dhe sado rrotull t’i biesh, tre emra vijnë në mend vetiu. Për lehtësi të argumentimit, marrim si shembull Robert Aliajn, Kelvi Kadillin dhe Arjan Çanin.
Robert Aliaj, anëtar jurie tek “Dance with Me” është i famshëm për opinionet e tij të drejtpërdrejta, të ashpra, pa lajka dhe thjesht negative. S’mbahet mend hera e fundit që Aliaj tha diçka të mirë për dikë, në çfarëdolloj rrethane. Rasti më i freskët është me Linda Rein, gruan trans konkurrente në spektaklin e kërcimit. “Kur të shikoj ty, bëhem për oturak. Kur shikoj njerëz që operohen si ty, bëhem për oturak,” i tha ai Lindës, një koment jo vetëm transfobik, por dhe urryes. Me një kërkim 2-sekondësh në sistemin e Anabel.al, gjenden 13 artikuj që përmendin Robert Aliajn dhe fjalë si “degjeneron”, “shpërthen kundër”, “shqiptarët analfabetë,” e fraza të ngjashme. Biem dakort që Aliaj është “kontroversialiteti me dy këmbë”.
Arjan Çani nga ana tjetër është një figurë më komplekse. Prej vitesh drejtues i emisionit të tij, “Zonë e Lirë”, ai mjeshtëroi artin e sherrit për të rritur shikueshmërinë. Një numër të konsiderueshëm herësh, Çani ka vënë përballë njëri-tjetrit persona në konflikt si puna e Aulonës, Fatmës dhe Rovena Stefës. Ka ftuar personazhe që nuk sjellin asnjë lloj vlere në televizion, si puna e Ardit nga Durrësi dhe Ujkut të Cerrikut, me të vetmin qëllim për të krijuar debat mes tyre. Më shumë se kaq, Çani është ndër pionerët që përdorën seksin për shikime. Kujtoni gjithë puthjet në buzë me të ftuarat rastësore.
Për të shkuar tek më i riu, Kelvi Kadilli, mori famë falë intervistave pa filtra, me shumë konfidenca dhe që shpeshherë përbëjnë lajm. Kadilli nuk ka frikë të godasë, siç bëri në rastin e Ermal Mamaqit, që i “vodhi” shprehjen “a e bën çiçin në dush”. Edhe kur fton figura publike, Kadilli bën pyetjen që duan të bëjnë të gjithë duke krijuar kështu suspansën e përgjigjës së mundshme “po ty ç’të duhet”.
Mund të marrim çdo emision të mundshëm në vend. Me përjashtim të disave, themeli është sherri. “Shihemi në gjyq,” hollë-hollë, është një segment i dedikuar tërësisht sherrit mes njerëzve të thjeshtë. “Big Brother” pa ditët e tij më të lavdishme kur banorët u shanë dhe turpëruan njëri-tjetrin në sy të të gjithëve. “Dance with Me” mori traksion më shumë se kurrë kur Aliaj tha fjalitë e mësipërme dhe Linda tregoi publikisht se ai e thotë çdo gjë për spektakël, “paguhet për të bërë sherr”. Madje vetë Linda kapi majat e popullaritetit kur u zu në studion e “Rudinës”. Nuk mund të listohen gjithë spektaklet në historinë e televizionit në Shqipëri që kanë pasur një panel jurie për të vetmen arsye e komenteve negative që mund të shkaktojnë debat.
Këto episode debatesh kapen majë gishtave nga faqet e memeve në Instagram. Dy minuta sherr dhe sapo fitove reklamim falas në një faqe me mijëra ndjekës. Social media exposure në vend është rrushi dhe emisionet shqiptare janë një dhelpër majë një vinçi.
Natyrshëm mund të pyesim pse e duan njerëzit kaq shumë sherrin apo dhunën në televizion. Si fillim duhet thënë që qëllimi i televizionit nuk është t’i shërbejë programe cilësore shikuesit. Qëllimi është t’ia shërbejë shikuesit reklamuesit. Kjo është një pikë kyçe në gjithë logjikimin më pas. Njerëzit janë të etur për dhunë siç janë të etur për seks. Është evolucionare. Mbro territorin, mbro ushqimin, mbro pasardhësit. Të gjithë njerëzit janë agresivë në një mënyrë ose në një tjetër. Kështu jemi gatuar sado të mos duam të jemi. Dhuna dhe seksi u shërbehet grupmoshës 18-34, që aspak rastësisht është grupi me më shumë të ardhura të disponueshme. Të ardhura që mund të shpenzohen tek produktet a shërbimet që reklamuesi ka vendosur aq strategjikisht në spektaklin me dhunë (sherr) a seks (lidhje).
Ky koncept është i përhapur botërisht. Në Shtetet e Bashkuara prodhohen me dhjetëra “reality shows” në vit, vetëm sepse ndiqen masivisht. Asgjë interesante apo stimuluese nuk ndodh përveç rasteve kur dikush zihet apo bie në dashuri. Asnjë informacion formues, asnjë gjë e re, thjesht i njëjti debat, të njëjtat puthje. Kardashianët ndërtuan një perandori multi-miliona dollarëshe mbi këtë të vërtetë të tregut të marketingut. Nocioni është i pakundërshtueshëm dhe i testuar pafund herë.
S’mund të fajësojmë televizionet në Shqipëri që ndjekin rrugën e shtruar tashmë nga homologët e tyre nëpër botë. Bota e spektaklit e tillë është. Problemi më i parashikueshëm është mosndjeshmëria. Publiku herët a vonë do të lodhet nga këto gjëra, nga sherret e stisura, nga falsiteti. Atëherë ndoshta do të kuptojmë që s’ka rëndësi formati, rëndësi ka kreativiteti.