Showbiz dhe TV > Instagramming

Albana Osmani dhe Noizy bënë atë që asnjë shqiptar s’mundi para tyre

Edhe pse për qëllime krejtësisht të ndryshme, Noizy dhe Albana Osmani janë të vetmit shqiptarë që e kthyen emrin e tyre në markë shumë fitimprurëse. Albana Osmani e nisi si një projekt lokal bamirësie dhe tani, “Ti je një luledielli” po synon të kthehet në një markë ndërkombëtare.

Është e vështirë të bëhesh markë në një vend të vogël si Shqipëria. Megjithatë, Noizy ia doli duke u kthyer ndoshta në të parin artist shqiptar që e ktheu emrin e vet në markë dhe tani, gjithçka ai bën shitet.

Më 12 gusht, Noizy nxori në treg linjën e tij të bluzave, kapuçëve dhe aksesorëve dhe sot, nuk ka asnjë produkt të mbetur në sajtin ku shiten veshjet. Nga erdhi gjithë ky sukses? Sigurisht, Noizy është shumë i famshëm, por ai vetë apo kushdo ka patur idenë për të krijuar këtë linjë veshjesh, ka qenë një menaxher tejet i mirë.

Emri që ka zgjedhur: “Illyrian Bloodline” synon të kapë një treg të gjerë të shqiptarëve në të gjitha trevat, pasi nuk bën diferencime duke i përfshirë të gjithë si i njëjti gjak i trashëguar as nga arbëreshët, as nga dardanët, por nga kombi i Ilirisë, që u kthye në një prej mbretërive më të rëndësishme të kohës

Noizy nuk ka shkruar as “Illyrian Blood”(gjak ilir) as “Illyrian soul”(shpirt ilir), por e ka çuar prejardhjen ilire në një nivel tjetër, të barabartë me gjakun blu: “Illyrian Bloodline” (Linja e pasardhësve të gjakut ilir).

Gjithashtu, Noizy hodhi në treg edhe veshje me mbishkrimin “OTR”, sepse sigurisht që pjesa më e madhe e atyre që blejnë janë fansat e tij. Edhe çorapet me mbishkrimin “OTR” janë shitur të gjitha, s’ka mbetur asnjë!

Megjithatë, stili i bluzave T-Shirt apo i pulovrave me kapuç, është sportiv dhe i lirshëm, pra çdokush mund ta veshë në ditët e sotme. Ata që blejnë në internet janë të rinjtë, dhe të rinjtë veshin bluza sportive me mbishkrime të ndryshme, qofshin vajza apo djem. Nga ana tjetër, edhe më të mëdhenjtë në moshë mund t’i veshin.

Edhe të tjerë këngëtarë shqiptarë janë përpjekur të hedhin në treg linja kozmetike apo veshjesh, apo të hapin bizneset e tyre në fushën e modës, por nuk ia kanë dalë të kthehen në markë. Kujtojmë se Nora Istrefi dikur hodhi në treg një linjë parfumesh, ndërsa Çiljeta synonte të vinte emrin e saj në një linjë buzëkuqësh, por asnjëra nuk pati sukses.

Për të qenë i suksesshëm në biznes, nuk mjafton aspak të jesh i famshëm, madje ndonjëherë mund të bëjë efektin e kundërt.

Albana Osmani gjeti mënyrën e duhur për të patur sukses në një projekt bamirësie shumë ambicioz dhe tani, të gjithë e identifikojnë lehtësisht fondacionin “Ti je një luledielli”.

Edhe vetë Albana, që u bë e njohur si prezantuese, tani identifikohet me “lulediellin”. Tashmë të gjithë e dinë se ç’kuptim kanë lulediellit nëpër rrugët e qyteteve ku jetojnë, madje nëse shikojnë një luledielli, do t’u kujtohet menjëherë fushata e ideuar dhe promovuar fuqishëm nga Albana Osmani. “Ti je një luledielli” u kthye edhe në meme ose shkurt, u kthye në fenomen.

Emri i Albana Osmanit është më i lidhur me “Lulediellin” sesa me çdo emision tjetër që mund të ketë drejtuar gjatë këtyre 15 viteve në “Top Channel”.

Ajo ia doli të shiste me sukses çdo bluzë gjatë fushatës së parë, fitimet e së cilës i shkuan fëmijëve me sëmundje gjaku të shtruar në QSUT. Fushata nisi në Instagram-in e Albanës dhe më pas përfshiu aq shumë figura të njohura dhe njerëz jo-publikë, të cilët blinin bluzën me luledielli dhe pozonin me të, sa Albana Osmani mendoi ta çonte në një nivel tjetër.

Tani “Ti je një luledielli” është kthyer në një fondacion dhe siç thotë Albana, synon që në 2018-ën të bëhet markë ndërkombëtare, për të ndihmuar jo vetëm njerëzit shqiptarë në nevojë por edhe të huaj që vuajnë nga sëmundje apo nuk kanë të ardhura.

Logoja e lulediellit është vendosur në muret e ndërtesave të disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, ndërsa secila prej tyre është realizuar me kontributin e atyre që duan të ndihmojnë, duke ofruar shifra rreth 2000-3000 euro. Luledielli është dizenjuar nga vetë Albana. Këtë herë, fitimet shkojnë për spitalin rajonal të Elbasanit.

Ajo diti të shfrytëzonte rrjetet sociale për të bërë një fushatë për t’u marrë shembull, në të cilën mund të thuhet me plot gojën se nuk ngeli njeri pa e veshur bluzën me luledielli kurse tani, logoja po shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Ajo mori mbështetjen e kompanive më të fuqishme dhe të Bashkisë së Tiranës, ndërsa mori edhe njohjen e kryeministrit Edi Rama.

Çfarë nisi me pyetjen: “Çfarë është kjo që po bën Albana Osmani?!”, tani të gjithë e dinë se është një fondacion bamirësie. Ndërsa shumë të famshëm të tjerë janë bërë pjesë e nismave të ndryshme për ndihmën e njerëzve në nevojë, Albana u bë e para që krijoi vetë një nismë që rezultoi shumë e suksesshme.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

 
 

Artikuj të ngjashëm

. .