Kjo është hera e parë që prej 1333, që një papë akuzohet për herezi apo për të qenit heretik. Dhjetëra shkollarë konservatorë katolikë dhe pjesë të klergjisë akuzuan Papa Françeskun për përhapje të herezisë. Dokumenti i përpunuar iu dërgua Papës bashkë me 40 firma në 11 gusht dhe që atëherë, i janë shtuar edhe 22 firma të tjera. Në një njoftim për shtypin, organizatorët thonë se përfaqësojnë një numër të madh të klergjisë dhe katolikëve që nuk e kanë lirinë të flasin.
Letra në vetvete nuk akuzon Papën se është heretik, por se shpërndan mesazhe herezie dhe e promovon atë. Në këtë rast, shkak është qëndrimi i Papës në çështje si “martesa, jeta morale dhe shërbesa fetare”.
*Herezi: Largim i hapët nga pikëpamjet e normat në fuqi, shkelje e këtyre pikëpamjeve dhe normave.
Papa nuk i është përgjigjur letrës publikisht ndërsa Vatikani zyrtar s’ka pranuar të komentojë.
Një ndër arsyet kryesore të kësaj përçarjeje është mendjehapësia e Papës ndaj martesave fetare të katolikëve të divorcuar apo të rimartuar. Në një dokument të quajtuar Amoris Laetitia, Papa e la të hapur mundësinë për këta individë të martoheshin para Zotit si të ishte hera e parë. Konservatorët nuk janë dakort me këtë qëndrim sepse bie ndesh me qëndrimin historik të kishës: një martesë e dytë është shkelje kurore.
Hera e fundit që ndodhi diçka e tillë ishte në vitin 1333, kur Papa John XXII u kritikua sepse mësoi se “shpirtrat e të vdekurve nuk e shohin fytyrën e Zotit deri ditën e gjykimit”.
Burimi: CNN