Një muaj pasi festuan përvjetorin e tyre të 75, një nuse lufte britanike dhe bashkëshorti i saj kanadez, u ndanë nga jeta njëri pas tjetrit me pak orë diferencë në një spital në Ottawa. Fëmijët e tyre, të shokuar, thanë se vdekjet e tyre ishin “krejtësisht të palogjikshme”.
Jean Spear, 94 vjeçe, u njoh me bashkëshortin e saj, Geroge Spear në një sallë vallëzimi në Londër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo vdiq në katër të mëngjesit të ditës së premte, pasi ishte shtruar në spital për pneumoni. Pak orë më vonë, George mori frymë për herë të fundit.
Sipas gazetave lokale, George, një veteran lufte 97 vjeçar, “ra në gjumë të thellë” dy ditë pasi Jean u shtrua në spital. Me shpejtësi u dërgua në të njëjtin spital dhe ndërroi jetë në dhjetë të mëngjesit të së premtes.
Spears-ët u martuan në gusht të 1942-shit në Britani ku George po shërbente si ushtar. U njohën një vit para kësaj në një sallë vallëzimi ku kërcyen sa u lodhën.
“Isha veshur me një fustan të kuq dhe ai erdhi e më kërkoi të kërcenim. Ishte akoma me çizmet e ushtrisë dhe kërcente shumë mirë. Ritmi ishte perfekt. Nuk kërcyem me asnjë tjetër atë natë,” tha Jean në një intervistë në 2006-n.
Me përfundimin e luftës, Jean u shpërngul në Kanada, ku themeloi klubin e parë për nuset e luftës. Për shërbimin e saj, Jean u bë pjesë e Urdhërit të Perandorisë Britanike nga Mbretëresha Elizabeth II. Pesë vite pas kësaj, ata u ftuan në një ceremoni private nga Princi William dhe Dukesha Kate, mbajtur në Ottawa.
Gjatë ceremonisë, George i tregoi Kate-it një foto të Jean që e mbante në beretë dhe i tregoi se e “e ka mbajtur me vete gjatë luftës dhe përjetë pas saj.”
Ndërsa për sekretin e jetëgjatësisë së martesës së tyre, foli Jean, në përvjetorin e tyre të 72:
“E kam menduar gjatë. E kuptova që kur u takuam që kishim diçka të mirë bashkë. Kur u martuam, na dukej vetja në parajsë. Përgjatë jetëve tona, të mriave dhe të këqijave, e dinim që ishim bashkë, që ishim diçka e dëlirë. E dinim dhe e vlerësonim këtë.”
Burimi: Huffington Post