Anabel > Anabelizim

5 investigime të frikshme që bën çdo vajzë shqiptare pas ndarjes!

Nëse keni patur qoftë edhe njëherë të dashur dhe jeni ndarë për gjithë arsyet e kësaj bote, me siguri do ta kuptoni mirë për çfarë po flasim, aq më tepër nëse ndarja erdhi nga ai dhe shkak i ndarjes ishte ai por meqenëse dikush duhet të sillej si i rritur, u detyruat t’i jepnit fund ju, sepse i urreni dramat.

Pra ja ku jemi, poshtë shtëpisë tënde, po ngrini gjithë lagjen në këmbë me ulërima ose po qetësoni përbindëshin brenda vetes dhe po tregoheni e dashura e qytetëruar që ai s’e pa kurrë në gjithë ato muaj lidhje dhe po ndaheni si dy miq të mirë. “Pra kaq ishte?” Një shikim, një përqafim dhe budallallëqe të këtij lloji për të cilat s’ka kohë askush dhe të dy merrni drejtime të ndryshme.

Në thelb i mbyllët punët bashkë dhe tani ju pret një fillim i ri. Por jo kaq shpejt! Nëse ai tjetri është aq naiv sa të vazhdojë jetën e tij normalisht dhe të ndjekë të njëjtën rutinë si më parë, jeta për ju është plot sfida tani. Mami nuk rriti një budallaqe.

Kushtet për një laborator investigimi vërtet mund të mos jenë, por një telefon me internet është gjithçka na duhet për të patur në kontroll gjithë jetën e tij, miqve, familjarëve, apo dhe personave që kanë dalë duke pirë kafe për qejfin e vet në sfond të fotos së fundit që ka publikuar bukuroshi në Instagram. Po ore po.

Zgjohemi të nesërmen. Sigurisht dilemat në kokën tonë janë të pafundme por duhet të ruajmë qetësinë dhe të shqyrtojmë me radhë gjithë alternativat, pse dreqin u ndamë?!

1. Ti do t’i rikthehesh profilit të tij në Instagram 20 herë në orë, për të parë çfarë të rejash kemi. I ka bërë follow një tjetre? Uaa plehra! Si guxon? Po ajo i bën follow back? Po. O Zot, njihen. Janë takuar. Mos më la për këtë?

2. Fokusohemi tek tjetra, që fare mirë mund të jetë një kushërirë e tij për të cilën ti thjesht s’ke dëgjuar kurrë, ose të paktën këtë duhet t’i themi vetes për t’u ndjerë më mirë. Zonjusha e ka profilin privat, ti s’mund të shohësh asgjë dhe kureshtja po të vret, por asgjë që nuk mund të rregullohet me një llogari fallco.

Nëse as ajo nuk bën punë dhe nuk arrin të gjesh njohje të përbashkëta me këtë tipen që kushedi nga mbiu, ke AS-in nën mëngë, aplikacionin tënd të preferuar që të paktën të lejon të shohësh të zmadhuar foton e saj të profilit. Ok s’qenka gjë. Hah, paç fat me znj. Photoshopi.

3. Kontrollon çdo lëvizje të shokëve të tij. Ai nuk është shumë aktiv në Instagram, por shoku i tij i ngushtë dokumenton çdo gjë me foto dhe video në Insta-Story. Ti di çdo gjë që po bën, njësoj sikur jeni të lidhur!

4. Nëse ai mendon se shpëtoi prej teje, s’paska kuptuar asgjë. Ti do veshësh gjërat më seksi që ke në garderobë, do lyhesh dhe rregullohesh si për dasmë dhe do mbish nga asgjëja tek lokali ku është ulur bashkë me shokët e vet. Do t’i përshëndesësh dhe do vazhdosh rrugën drejt tavolinës tënde sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe e gjithë kjo situatë është shumë normale, edhe pse ti nuk shkoje kurrë atje sa kohë ishit bashkë.

5. Mirë ai, po ndjekësit e tu në Instagram ç’taksirat kanë? Ti do servirësh albume fotografike, videoklipe, poezi, shprehje me kunjë e gjëra të kësaj natyre dhe pastaj do kalosh orë të tëra duke ruajtur nëse t’i ka parë apo jo. Kanë kaluar disa orë dhe ende nuk e ka hapur Insta Story-n tënd. Çfarë mund të jetë duke bërë? Ok i hapi, më do!

Artikuj të ngjashëm