Shkolla & Karriera > Financa Personale

Gjithë komisionet që po ju mban ajo karta e këndshme e debitit

Shumica e shqiptarëve kanë një llogari rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë në të cilën u derdhet paga çdo muaj nga punëmarrësi. Llogaria vjen me një kartë super të dobishme debiti që u ka lehtësuar punë të gjithëve që në momentin që doli në treg për herë të parë. Për hir të volitshmërisë, kontratën për përdorimin e kartës e firmosim pa e lexuar fare dhe e zhysim gjëkundi në raftin e librave. Injoranca është lumturi vërtetë, po s’mund të zgjasë gjatë. Karta e debitit mund t’ju mbajë komision për gjithë arsyet e listuara më poshtë.

Komision mujor
Një komision fiks i cili paguhet çdo muaj, edhe nëse s’e përdor kartën e debitit. Zbritet automatikisht nga balanca bankare dhe disa karta marrin komision mujor, ndërsa disa jo.

Komision transaksioni
Ky komision mbahet sa herë karta përdoret për të kryer një lloj të caktuar transaksioni. Për shembull kur bën pagesat e energjisë elektrike online, ose kur kryen blerje me POS. Disa karta mbajnë komision fiks transaksionesh, të tjera në varësi të transaksioneve.

Komision për përdorim bankomati jashtë rrjetit
E zëmë se kartën e debitit e keni marrë nga filan bankë dhe tërhiqni para në një bankomat të bankës fistek. Tak, komision. Ose keni një kartë Mastercard dhe tërhiqni në një bankomat që pranon vetëm Visa. Komision prapë.

Komision për nxjerrje llogarie
Përveç tërheqjeve, në bankomate edhe mund të kontrolloni balancën e llogarisë tuaj rrjedhëse. Banka mund t’ju mbajë komision për këtë, por jo domosdoshmërisht. Shumica e bankave i lejojnë klientët e tyre t’i kontrollojnë balancat pa pagesë ekstra. Gjithashtu mund ta shihni online, nëse banka juaj ka një shërbim për klientin në internet.

Komision për zëvendësim karte
Nëse karta e debitit ju humbet, dëmtohet ose vidhet, banka do t’ju mbajë komision, as mos e vini në dyshim.

Përveç këtyre komisioneve të zakonshme, mund të faturoheni edhe për mungesë aktiviteti për një periudhë të caktuar, për transaksione jashtë vendit, për anullim karte, për një kartë shtesë lidhur me të njëjtën llogari rrjedhëse apo edhe për transferta nga njëra kartë debiti në tjetrën.

Lexoni me kujdes kontratat që firmosni kur aplikoni për një kartë debiti, që të dini nga cilat veprime bankare të ruheni.

Burimi: Consumer Finance

Artikuj të ngjashëm