Dje nisi Java e Modës në New York dhe në vetëm dy ditë, dizenjatorët kanë ditur të na surprizojnë. Dje ishte Calvin Klein me fustanet e mbrëmjes në mushama, sot është Brandon Maxwell me një koleksion që i la të gjithë pa fjalë, nga veshja e parë tek e fundit.
Maxwell përdori xhinsin për herë të parë për të shfaqur stilin klasik amerikan me ngjyra të ndezura më një grimë nostalgjie. Modelet më të mira të momentit hijeshuan pasarelën për të: Gigi dhe Bella Hadid, të cilat hapën sfilatën, Karlie Kloss, Taylor Hill dhe Joan Smalls.
Për veshjet e ditës, modelet ecën nën tingujt e Britney Spears dhe Destiny’s Child veshur me xhinse të gjera me bel të lartë dhe bluza me jaka të ngritura gjysmë golf ose të ndërthurura si lak. Materialet e buta përcjellin ndjesinë e klasikes ndërsa xhinsi e bën të përditshme veshjen.
“Pantallonat tona klasike janë ato që shiten më shumë. Në prerje të drejtë ose të gjera në fund. Mora ato lloj pantallonash dhe i bëra xhins. E kam pasur gjithmonë të vështirë të ktheja një veshje klasike në të përditshme, po kësaj here ishte e lehtë,” tha Maxwell.
Ndërsa për look-et e mbrëmjes, Maxwell i qëndroi besnik stilit të tij elegant me bele të rrudhosura dhe e pasuroi koleksionin me fustane madhështorë në pastele të ëmbla dhe printe leopardi në ngjyrë të çelët.
Dizenjatori ka veshur më herët figura të njohura si Michelle Obama, Uma Thurman dhe Gwyneth Paltrow. I njohur për stilimet në të zezë dhe të bardhë të akullt, ai surprizoi me një paletë të pasur ngjyrash në: rozë, të kuqe, çiklaminë, mente, blu, jeshile dhe portokalli.