Duhet ta keni parë në Instagram nën emrin brazilian blowout, dhe nëse jo, gjëkundi jua kanë zënë sytë patjetër. Trajtimi brazilian është bërë aq i famshëm sa po bën namin kudo në botë. Mund të aplikohet në çdo lloj floku dhe teksture dhe s’është aspak i dëmshëm.
Ç’është një trajtim brazilian?
Trajtimi brazilian është një formulë e lëngët keratine që i vishet flokut dhe krijon një shtresë mbrojtëse rreth çdo qimeje, duke mos e lënë të elektrizohet, mbulon kutikulën dhe ruan flokun nga dëmet e jashtme. Trajtimi zbutës e ka origjinën në Brazil dhe përfshin përbërës si camu camu, fara annatto dhe manaferrë açai. Pas trajtimit, floku mbetet i hidratuar, i paelektrizuar, më rezistent ndaj stilimit me nxehtësi dhe i shkëlqyeshëm si pasqyrë.
Ku dallon nga trajtimet e tjera me keratinë?
Rezultatet e një trajtimi normal me keratinë dhe një trajtimi brazilian janë të njëjta. Vetëm se formula e trajtimit brazilian përgatitet unike për çdo klient sipas nevojave të flokut. Pas trajtimeve me keratinë, flokun nuk mund ta lidhësh, stilosh dhe s’mund ta lash për tre - katër ditë. ndërsa me trajtimin brazilian, pasi mbaron punë estetistja, mund të vazhdosh jetën si normalisht.
A ta bën flokun të drejtë?
Nëse është në preferencat e klientit, po. Estetistja e vulos formulën në flokë me një pjastër të nxehtë dhe nga ai moment floku është i drejtë, pavarësisht ç’i bën. Nëse nuk vazhdohet me procesin e drejtimit, floku do të jetë voluminoz, i valëzuar dhe më i lehtë për t’u menaxhuar e tharë.
A është i sigurt?
Trajtimi mund të aplikohet mbi çdo lloj floku dhe ndihmon në hidratimin dhe shkëlqimin e flokut. Formula përmban formaldehid, por është në sasi aq të vogla, sa nuk përbën problem.
Sa kohë do të zgjasë?
Nëse klienti heq dorë nga shampot që përmbajnë sulfate dhe klor, trajtimi zgjat nga tre deri në katër muaj. Sa më rrallë të lahet, aq më shumë zgjat.
Po për flokë të lyer?
Trajtimi brazilian mund të aplikohet në flokë të lyer pa asnjë problem. Madje e bën ngjyrën të qëndrojë vibrante për më shumë kohë.
Burimi: InStyle