Moda > Celebrity Style

Veshjet që s’i kuptuam fare te 20-vjetori i ‘Opinion’-it

Qëkur Blendi Fevziu njoftoi se do të kishte një ceremoni madhështore për 20-vjetorin e transmetimit të emisionit ‘Opinion’, nisëm të vrasim mendjen se çfarë do veshin të ftuarit. Por gjejeni kush nuk e ka vrarë mendjen aq sa ne? Të zotët e punës.

Eventi i organizuar tek ballkoni i universitetit të Politeknikut mblodhi bashkë personazhe të njohur të politikës, skenës dhe ekranit, që më shumë rëndësi i kanë kushtuar grimit, sesa veshjes dhe aksesorëve. U përpoqëm të jemi pozitivë, vërtet, po këto veshjet s’i kuptuam fare!

Eni Çobani

Nga t’ja fillojmë. Do kishim dashur që zonja Eni të kishte zgjedhur diçka të tjetër, mbase jo kaq llamburitëse. Ka diçka që nuk shkon me kombinimin e fustanit dhe aksesorëve që thjesht do kishim preferuar ta kishte menduar pak më gjatë.

Eneda Tarifa dhe Manjola Nallbani

Varësen e Eneda Tarifës nuk do ta kuptojmë dot kurrë, madje as fundin që duket se ka nevojë për një hekur. Manjola Nallbani nga ana tjetër na kujton Christina Aguilera-n e viteve ’90, me kostumin e bardhë, barkun e ekspozuar dhe zinxhirin që lidh xhaketën me pantallonat. Thjesht jo.

Vilma Masha

Gazetarja sportive rrëzëllente në fytyrë, por do të kishim preferuar të kishte zgjedhur një ngjyrë tjetër, jo kaq të ndezur.

Bora Zemani

Kostumi i moderatores së Digitalb nuk na thotë asgjë. E varfër në aksesorë, vetëm me një çantë të vogël në dorë, duket sikur për Borën eventi i ‘Opinion’ ishte i minutës së fundit.

Greta dhe Eni Koçi

Motrat Koçi u shfaqen veshur me fustan të zi, sepse siç thonë, e zeza të nxjerr faqebardhë. Por jo në këtë rast. Fustanet na duket sikur i kemi parë gjithë jetën tonë nëpër dasma dhe evente familjare, materialet janë të serta dhe thjesht prisnim diçka më të freskët.

Einxhel Shkira

Shumë ngjyra. Einxhi kishte veshur pantallona lejla, kimono me ngjyra në tonet e lejlasë dhe rozës, një çantë blu dhe një varëse me po të njëjtat ngjyra.

Fatma dhe Aulona

Fatma kishte zgjedhur një fustan i përbërë në pjesën e sipërme nga busti i veshur me copën chiffon punuar me fije argjendi dhe të zeza dhe mbivendosur është copa tyl me pika simetrike në formën e “wrap”., ndërsa Aulona një fustan të gjatë krem si hyjni greke.

Jonida Vokshi

Në një rast tjetër veshja e Jonidës mund të ishte e pranueshme, por ne mendojmë se në këtë event është pak më ekspozuese se ç’duhet.

Çiljeta Xhilaga

Çiljeta mund të bënte shumë më mirë. Këngëtarja u shfaq veshur më nje fustan nude me pala dhe lule që i fshihte të gjitha asetet. Dhe çantën duket sikur e ka kapur rrëmbimthi para se të dilte nga shtëpia sepse ishte me vonesë dhe aty kishte portofolin dhe celularin dhe s’kishte kohë ta ndërronte.

Aurela Hoxha

Nuk e dimë pse po Aurelën nuk e shohim dot brenda këtij stili. Blogerja kishte veshur një kostum me vija me tre trëndafila të qepur në xhaketë, një kapele të vendosur mbrapsht dhe një rrjetë që i mbulon fytyrën. Për ne është jo.

Artikuj të ngjashëm

. .