Thuhet se puna me turne të bën dëm për shëndetin dhe mesaduket i bën dëm edhe martesës. Gjithmonë e më shumë punonjës punojnë në orare të parregullta, një trend të cilin shumë avokatë e cilësojnë si shkak të divorceve në rritje.
Lodhja e shkaktuar nga orët e gjata dhe turnet e parregullta në zyrë a në kompani bëhen bazë për mungesë besnikërie mes kolegëve.
Një firmë avokatie, Hall Brown, thotë se porporcioni i divorceve si pasojë e punës me turne është rritur nga 7% në 35% gjatë tre viteve të fundit. Thuajse 80% e divorceve si pasojë e punës me turne vijnë si pasojë e pabesisë.
“Kemi dëgjuar ankesa që thonë se një punë me orare të tilla rezulton në jetesën nën të njëjtën çati, por në dy jetë të ndryshme. Lodhja, sigurisht, është më e madhe kur duhet të kujdesen për fëmijët. Ç’ka është e qartë ama, është se më shumë martesa po marrin fund prej lidhjeve jashtë martesore që formohen kur dikush punon me turne, jo prej punës me turne drejtpërdrejtë,” thotë Claire Reid, themeluese e firmës së mësipërme.
Një tjetër partner në një tjetër firmë ligjore, Rose Schumm, thotë se:
“Oraret e parregullta e bëjnë të vështirë jetesën brenda familjes, planifikimin e pushimeve, darkave. Dhënia prioritet punës mbi familjen si pasojë e nevojave ekonomike, rezulton në një stil jetese kaotik dhe me pasoja.”
Studime të mëparshme nxorrën në pah se puna me turne e sidomos turni i tretë lidhen me probleme shëndetësore duke përfshirë obezitetin, diabetin dhe depresionin. Studime akademike kanë dalë në të njëjtin përfundim me sa u tha më lartë: Puna me turne rezulton në nivele më të larta divorci. Shanset për divorc të burrave me fëmijë që punojnë me turne janë gjashtë herë më të larta sesa të të tjerëve.
Burimi: The Telegraph