Kush ka pasion kulinarinë dhe verërat, kush udhëton apo ka jetuar jashtë, nuk mund të mos e ketë dëgjuar të paktën nje herë revistën më prestigjioze amerikane “Wine Spectator”, një autoritet ndërkombëtar në botën e verërave, të cilës i referohet çdo restorant cilësor në botë, çdo sommelier dhe çdo adhurues amator i verërave.
Ndaj është një lajm i madh për Shqipërinë, që në renditjen e saj të përvitshme të restoranteve që kanë listën më të mirë të verërave në botë, të renditet edhe restoranti i njohur gourmet në Tiranë, Aba21.
“Wine Spectator” e ka nderuar restorantin që ndodhet në katin e 21-të të qendrës Coin, me Çertifikatën e Ekselencës, një arritje e madhe për Aba21, sepse për t’u përfshirë në renditjen e autoritetin “Wine Spectator” me miliona lexues online dhe print, aplikojnë me qindra-mijëra restorante nga e gjithë bota.
“Për ne është një vlerësim shumë i madh, duke ditur edhe kushtet jashtëzakonisht shumë strikte të aplikimit. Kemi punuar katër muaj për të përpiluar të gjitha kërkesat e tyre, ku primare ishte të faktonim me dokumentacion të rregullt të gjithë listën tonë të verërave që nga origjina (prodhuesi) deri tek magazinimi dhe mirëmbajtja e tyre në kantinën tonë. Aba21 ka qënë gjithmonë krenare për një koleksion verërash të pakrahasueshëm në Shqipëri, por të marrësh këtë vlerësim edhe nga një revistë kaq prestigjioze ndërkombëtare, është një shpërblim për të gjithë pasionin tonë. “ thotë menaxherja e Aba21 Joana Tare, e cila udhëhoqi të gjithë proçesin e aplikimit.
Joana Tare / Menaxhere e "Aba 21" Restorant.
Për të përfituar çertifikatën e Ekselencës, vlerësuesit e “Wine Spectator” shohin me imtësi jo vetëm listën e verërave që duhet të jenë nga prodhuesit më cilësorë në botë, por edhe kombinimin e këtyre verërave me menunë, si në çmim, ashtu edhe në stil.
Restorantet gjithnjë e më shumë po u kushtojnë vëmendje verërave dhe nga viti në vit, lista jonë pasurohet me një numër të reja hyrjesh si edhe me një interes gjithmonë e më shumë në rritje në lexueshmëri si në print, në formë dixhitale, ashtu edhe në rrjetet sociale. Ne falenderojmë dhe përgëzojmë të gjithë fituesit e këtij viti” shkruan Marvin Shanken, redaktor dhe botues i “Wine Spectator” në deklaratën për shtyp mbi listën e 2017-ës.
Edhe pse për restorantin Aba21 përfshirja mes restoranteve më të mira të Francës, Italisë apo Amerikës është një arritje e madhe, në Tiranë restoranti prej vitesh i ka marrë yjet e tij si për koleksionin e pakrahasueshëm të verërave ashtu edhe për gatimin unik të shefit Dorjan Belli, i cili krijon një kombinim special shijesh, bazuar në produktet më të shëndetshme dhe më cilësore që mund të gjenden në tregun ndërkombëtar.
Chef Dorjan Belli
Krahas menusë që ka tërhequr gjatë viteve me qindra pasionantë të kulinarisë, të famshëm të ekranit e artit, politikanë, diplomatë e vizitorë të huaj, Aba21 është edhe një prej restoranteve me pamjen më ekskluzive në kryeqytet.
Nga kati i 21-të i ndërtesës që ndodhet prapa Pallatit të Kongreseve, mund të shijosh një gotë Chambertin Grand Cru Latricieres shoqëruar me një një panoramë spektakolare të Tiranës nën dritat e yjeve dhe nën tingujt e jazz-it.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.