Duket se kinemaja shqiptare ende nuk e ka zgjidhur dot çështjen e skenave të seksit. Me pak përjashtime, të gjithë filmat, sa herë duhet të përfshijnë një skenë seksi, e pasqyrojnë atë aq çuditshëm, gati jo-natyrale, si një “siklet” që duhet hequr qafe dhe jo si pjesë e natyrshme e një marrëdhënie intime. Ja t’I hedhim një sy bashkë disa prej këtyre skenave dhe na thoni nëse e kemi gabim.
Në fillim me zor, por pastaj me qejf.
Në këtë skenë personazhi përdhunohet nga një burrë në moshë. Ok përdhunimi është diçka e shëmtuar, e tmerrshme dhe vajza duket në fillim që i reziston. Por pastaj ajo rënkon e lëshon ca ofshama qejfi që na shtyjnë të dyshojmë nëse ajo mos ndoshta…ka nisur që t’i pëlqejë?
Përdhunuesit (1995)
Kur “Sokrati” të dhj*t momentin.
Kastro Zizo dhe Olta Gixhari kanë një kimi në këtë film dhe të dy të rinj e simpatikë duken bukur edhe kur duhen, edhe kur zihen, por edhe kur bëjnë dashuri. Por derisa papritur, Kastro e pyet gjatë aktit “E ke q..Sokratin?” duke iu referuar babait të tij. Atje prishet gjithçka dhe ty në mendje të vijnë 100 Sokrata burra mbi 60 vjeç, si shoku i babit, komshiu që kollitet sa herë del të derdhë plehërat, profesori I tmerrshëm i matematikës, madje edhe filozofi grek me mjekrën tek gjuri. Mund të toleronim pyetjet e Kastros sikur ai të thoshte të paktën një emër si p.sh. Robert (vlen për të gjitha moshat dhe të paktën na lejohet të përfytyrojmë se e ka fjalën për Robertin e Nora Istrefit). Po Sokrat?
Pharmakon (2012)
Kur qau Niçja
Nuk qau për arsyet e Irvin Yalom, por për faktin se edhe ai si ne sa po priste të shihte një skenë erotike të plotë në një film shqiptar, menjëherë personazhi (Yllka) e ndërpret duke folur për filozofin gjerman. Ooooo a flitet për filozofi në mes të seksit!? Për më tepër, që momenti i zhveshjes topless ishte një akt i rrallë (deri atëherë) për një aktore shqiptare dhe ti pret se diçka do të ndodhë më shumë! Pret ti, po pret edhe zviceriani i shkretë që në fund, merr kitarren dhe i këndon vetmisë!
Yllka (2005)
Hamshor është kryeministri, jo presidenti or bir!
Ekziston një film shqiptar që ka mbi 3 milionë klikime në youtube si asnjë tjetër (jo shumë artistik, me shumë pop-shqip). Personazhi kryesor (Çimi) ka një moment seksual që në fakt u kthye në shakanë e rrjeteve sociale. Ai është duke bërë seks me një dashnore të rastësishme në një banjo dhe në pozicion “doggy style” i kërkon asaj që ta quajë Boss dhe President. Pjesën e Boss, hajt mo e kuptojmë se e dimë që të gjithë shqiptarët kanë një fantazi të tyren thellë-thellë të jenë bossa të diçkaje të madhe por pa punuar një ditë. Po President? Vërtet? Presidenti në Shqipëri ka një pushtet aq simbolik sa në vend që të eksitojë ky emërtim në gojën e një vajze, ka efektin e kundërt. Ja t’ju japim ca versione më epshndjellëse: Shef (qeverie dmth) ! Gjeneral! Ministër Transportesh! (e nejse se e tepruam tani!)
“Drejt Fundit” (2015)
Seks ose pedikyr
Në filmat shqiptarë, skenat seksuale zakonisht performohen mes një djali (të fortë) ose rrugës për t’u bërë i tillë dhe një prostitute, dashnore e rastit apo e dashura e shokut të ngushtë. Pak a shumë skenaret klishe që i njohim në gjumë nga Action TV. Saimiri është një djalë adoleshent që shkon në një shtëpi publike e zgjedh një nga vajzat aty. Shumë bukur. Deri në pjesën kur shkon në një dhomë të veçantë gjithçka është ok. Pastaj vajza zhduket nga skena dhe kuptojmë nga portreti i tij se ai po bën seks oral. Ose pedikyr! Zgjidheni vetë!
Saimir (2004)
Ishte kohë dhe gjeometri e çuditshme.
Të shohësh një yll si Nik Xhelilaj duke bërë dashuri është një kenaqësi që do të shijohej me qejf nëse nuk do të na lindnin ca pyetje në skenat e tij të seksit tek “Trishtimi i Zonjës Schneider”. Marrim këtë skenë përshembull. Niku dhe e dashura e tij janë në pyll. Të dy nudo. Vetëm 1 sekondë e gjysëm Niku është në një pozicion normal penetrimi, por më pas kalon në një pozicion të çuditshëm squat ndërsa vajza i rri larg. Akti seksual zgjat gjithsej tre sekonda dhe përfundon me Nikun ende në pozicion squat (Auch, sa dhimbje kanë këmbët pastaj!)
Kliko këtu për të parë skenën (Youtube)
Edhe në këtë skenë, Niku fillon shumë mirë me një tjetër të dashur çeke (Bravo Niku!). Më pas shtrihen në krevat dhe nuk e dimë, por pozicioni i tij sipër saj, por anash na angazhoi të gjithave të bënim përllogaritje gjeometrike dhe ergonomike nëse ishte e mundur fizikisht që ai të penetronte me aq distancë nga vulva e të dashurës. Nuk patëm edhe shumë kohë të themi të drejtën, sepse seksi zgjati gjithsej 6 sekonda! Herën e parë edhe ja falëm (siç ne femrat i falim gjithmonë), por herën e dytë filluam të dyshojmë se mos personazhi ka problem me “përmbajtjen”. Hmm.
Kliko këtu për të parë skenën (Youtube)
E gjetëm një ku seksi është S-E-K-S!
E vetmja skenë që mendojmë se e pasqyron më mirë se në çdo film tjetër aktin seksual është në filmin “Agon”. Në një moment personazhi kryesor i filmit, një imigrant shqiptar në Greqi bën dashuri me gruan e një mafiozi, që qëlloi të ishte edhe prostitutë. Skena është shumë natyrale nga fillimi deri në fund dhe zhveshja e aktores Egla Cenoimeri nuk është “e sforcuar”, nuk ka asgjë të çuditshme në lëvizje dhe tregon aq sa duhet si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Madje duke parë këtë skenë, na duken tmerrësisht idiote ato shkrimet mbi “thyerjet e tabuve” dhe “pullën e kuqe” që shoqëruan promovimin e filmit. Se këtu nuk u thye asnjë tabu, thjesht u rivendos një raport normal njerëzor me seksin, që për hir të së vërtetës se kuptojmë pse e pasqyrojmë aq keq, kur të gjithë e bëjmë ose duam ta bëjmë në jetët tona!
Agon (2012)
Kur regjisorët tregohen të zgjuar!
Disa regjisorë e kanë montuar skenën e seksit në atë mënyrë sa ne të marrim aq sa duhet për të kuptuar që ka ndodhur diçka. Disa e kanë bërë më natyrale, të tjerë kanë prerë e kanë prerë, sic RTSH bënte me filmat e huaj në vitet 80-të.
Turpin e hamë me bunker
Kur je në një bunker, në errësirë, në mes të natës me të dashurin tënd, gjëra ndodhin. Si gjithmonë fillon me puthje, por pastaj bie një errësirë aq e madhe sa në skenën tjetër të dy janë shtrirë për 7 palë qejfe (sikur të jenë në një krevat të butë dhe jo në një hapësirë shpesh e shfrytëzueshme si WC). Vajza natyrisht ka gjetur kohë edhe të mbulohet….në bunker…
Nata pa hënë (2001)
E pashë - s'e pashë
Një skenë më natyrale është kjo tek filmi “Maya”. Çifti është në krevat, vajza është me reçipeta dhe ata fillojnë të puthen. Më pas kuptohet në një fragment se po bëjnë dashuri e në fund, aktorja është mbuluar (me stil) duke lënë të kuptojë se i ka hequr reçipetat (siç ndodh normalisht), por ne s’kemi përse ta dimë.
Maya (2011)
Kur seksin e merr në dorë gruaja dhe bëhet komik.
Gjergj Xhuvani ka një ndjeshmëri për skenat kur femrat e bëshme marrin në kontroll situatën dhe gati sa nuk dhunojnë personazhet e brishtë e të pashëm meshkuj. Natyrisht situatat shkojnë perfekt me të gjithë gjendjen dhe skenarin e filmit dhe pavarësisht se nuk shohim shumë (ndoshta disa herë edhe nuk duam të shohim, faleminderit), ato momente japim mjaftueshëm për të kuptuar shumë.
Në filmin “Parrullat”, mësuesi (Artur Gorishti) “persekutohet seksualisht” nga brigadierja Lumja (Rita Lati). Skena prapa një peme në mes të shiut, ku brigadierja e bëshme e josh agresivisht mësuesin është një nga skenat më të paharrueshme në kinemanë shqiptare. Ajo ja zhvesh këmishën, ja merr dorën dhe e vë mbi gjoksin e saj, e puth….dhe ti e kupton që pas pak ai është i detyruar të bëj seks.
Parrullat (2001)
Tek komedia “Lindje-Perëndim-Lindje” vajza e një shtëpie muslimane në ish-Jugosllavi, joshet nga çiklisti shqiptar, bujtës në shtëpinë e saj. Ajo nuk e fsheh pëlqimin (dhe si ta fsheh, kur çiklisti luhet nga modeli Oni Pustina!) dhe siç kuptohet është ajo që e tërheq drejt mullarit të seksit. Natyrisht regjisori është treguar i zgjuar, duke shfrytëzuar errësirën e natës të mos tregojë shumë, por kuptohet që ata e bëjnë. Të nesërmen, kur ajo e tërheq dhe e puth me zor, mesa duket, kuptuam që gjithçka ka shkuar më së miri. Shyqyr!
Lindje-Perëndim-Lindje (2009)
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.