Moda > Street Style

Dashuri me like të parë në IG: Trendet që do të pushtojnë rrugët e Tiranës

 

Ka ndodhur me mijëra herë të  shihni diçka në Instagram, një veshje, një palë syze a një lëng frutash dhe menjëherë pjesa e trurit që mendon për blerje, aktivizohet si nga hiçi. Është vendi perfekt për t’u frymëzuar për blerjet e radhës pasi Instagram-i gëlon me blogere, modele, ikona e mode e ç’më the e të thashë. Nisur nga kjo, gjetëm trendet me të cilat u dashuruam me like të parë dhe me siguri do t’i shohim kudo prag vjeshtës.

Fustane me mëngë me fruda
Mësohuni me mëngët e pazakonta, gjithë fruda, qepje a këmbana. I shohim kudo në Instagram e në rrugë. Nga këtu, trendi vetëm do të forcohet.
Syze vezake
Ç’është një selfie pa një palë syze kështu? Mund të jetë ç’të dojë, por s’bën për Instagram. Xhamat retro janë kthyer më fuqishëm se kurrë dhe duken të mrekullueshëm.
Bluza me kurriz të zbuluar
Sa është koha e ngrohtë, mënyra më e mirë për të kthyer vështrime, janë këto bluza të hapura në kurriz, zakonisht me lidhëse në fundshpinë. Mendojeni këtë prerje ekstravagante si zëvendësuesen e bluzës së bardhë të mërzitshme që veshim në vjeshtë.
Çanta që i nxjerrin të gjitha sheshit
Kryesisht tipike për verën, çantat e kashtës nuk pranojnë të largohen nga trendet e momentit. Mund të gjendet në materiale të tjera si metal i lehtë apo edhe kauçuk. Kanë aftësinë e mrekullueshme ta shndërrojnë një veshje nga e thjeshtë në gati për pasarelë.
Pantallona të lirshme me lidhëse
E kemi stërthënë që tipari më dominant i trendeve të kohëve të fundit është rehatia. Lërini xhinset në garderobë dhe këmbejini për pantallona të tilla të hapura në fund në çfarëdo ngjyre. Rezultati është mëse i Instagram-ueshëm.
Mëngë të fryra
Mëngët nuk do të gjejnë paqe për ca kohë dhe s’kemi për të parë mëngë normale muajt në vazhdim. Përveç atyre si këmbanë, edhe mëngët e fryra janë trend dhe ekstravagante.
Taka si shapka
Në fillim Chanel, pastaj Dior, pastaj gjithë të tjerët me radhë. Jo vetëm si shapkë me lidhëse mbrapa, por edhe me mikrotakë. Disa mund të thonë që janë demode, por trendet flasin për të kundërtën.

Artikuj të ngjashëm

. .