Beauty > Parfume

Aromat që mund të zhduken përjetë: Rënia e industrisë së parfumeve

Për më shumë se 400 vite, qyteti indian i Kannauj-it ka distiluar lule për të bërë parfume. Fatkeqësisht, industria është në rënie. Parfumet sintetike po i shtyjnë distileritë drejt falimentimit dhe këto aroma të rralla, mund të zhduken përjetë.

Një vizitor i thjeshtë në Kannauj mund të mos e vërë re atë që dikur mbante gjallë qytetin, por në mes të rrëmujës, makinave dhe kioskave, syri të zë karroca me shporta të mëdha plot me lule. Para 20 vitesh, operonin 700 distileri parfumesh në Kannauj, ndërsa sot janë më pak se 100. Distileritë prodhojnë parfume me bazë vaji nga lule si trëndafili, jasemini dhe kënaja, përmes një procesi distilimi me avull.

Ajo që i bën unike këto parfume është fortësia e aromës, por edhe koha dhe burimet që nevojiten për t’i arritur. Nevojiten katër ton trëndafila të mbledhur me dorë për të prodhuar vetëm 1 kg vaj esencial aromatik.

Këto esenca, zakonisht miksohen me vajin e pemës së “sandalwood”, por qeveria vendase e ka ndaluar prerjen e tyre si pasojë e shpyllëzimeve masive. Kështu, çmimi i parfumeve është rritur drastikisht. Akoma më e rrallë është kërkesa dhe akoma më i lartë është çmimi për atë që njihet si  “shpirti i trëndafilit”. Aroma arrihet duke e distiluar lulen disa herë për t’i rritur përqëndrimin dhe përbëhet tërësisht nga vaj esencial, i pamiksuar me substanca të tjera. Për të prodhuar 1kg nga “shpirti i trëndafilit” nevojitet dyfishi i trëndafilave, rreht tetë ton dhe çmimi i atij një kilogrami arrin në $18,000.

Edhe pse çmimet janë të kripura, ka ende klientë besnikë të këtyre aromave. Shtresa e lartë në Gjirin Arabik është e apasionuar pas parfumeve natyralë, pasi nuk miksohen me alkool.

Burimi: BBC

Artikuj të ngjashëm

. .