Metropolitan > Anabel Dossier

Teoria gjeniale shqiptare: Kur të kap me zor i fejuari, s’quhet përdhunim!

 

Wikimedia Commons

 

Sipas shqiptarëve nëse nuk ke dëshirë të kryesh marrëdhënie seksuale me të fejuarin dhe ai të detyron, nuk quhet përdhunim. Kjo teori bazohet në konceptin se, në momentin e parë pasi fejohesh me dikë, bëhesh menjëherë e tij qoftë fizikisht, ashtu edhe në nivel mendor.

Lajmi i 20-vjeçares që denoncoi të fejuarin 30-vjeçar se kishte abuzuar me të për dy muaj, ju duk qesharak shumicës së komentuesve. Në të dyja postimet e Anabel lidhur me lajmin, lexon komente njerëzish të çoroditur, të cilëve thjesht s’ua kap truri si mund të mos duash të kryesh marrëdhënie me të dashurin.

A e kishte të fejuar, pse do ta përdhunonte se latë nam e ju.”, shkruan dikush.

“Oj ti, por kjo 20-vjeçarja përse shkoi të rrinte 2 muaj atje tek i fejuari? Do luante cingla kështu? Po hec mo, qysh do bëjë gallatë mileti nëpër portale.”, një tjetër. (foto në fund)

Por komenti që e përmbledh më së miri se ku konsiston kjo teori shqiptare me rrënjë të forta, jo kështu au-iu, është ky i djalit që thotë se është absurde që dikush të kërkojë diçka që tashmë e ka.

“Sa shpikje koti: po ndërroni skemën se nuk shkon më kjo, të paska kapur me zor kur ti e atij ishe.”

Pati nga ata që akuzuan vajzën se e ka sajuar gjithë këtë skemë për t’u ndarë nga i dashuri, apo thjesht për hakmarrje. Por kjo është çështje tjetër. Gjenialiteti qëndron në minimizimin e rolit të gruas në vendimarrje, qoftë edhe për gjëra kaq personale, siç është të kryerit të marrëdhënieve seksuale.

Përveçse nuk merret në konsideratë ekzistenca e një “jo”-je (sepse në çdo rast, denoncimi për abuzim dyshohet mos është një “strategji për hakmarrje” e vajzës), “jo”-ja as që perceptohet kur është e lidhur, fejuar apo martuar me partnerin.

S’mund të mos vihet në dukje respekti i verbër i komentuesve për bashkime si fejesa apo martesa, por duhet patur parasysh se martesa, sado simbolizon një premtim dashurie e respekti për tërë jetën, nuk ka patur kurrë qëllimin e pronësisë së partnerëve kundrejt njëri-tjetrit. Sikurse edhe përcaktohet në kushtetutë:

“Martesa është bashkëjetesa ligjore, e cila mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza e unitetit në familje.”

Kushtetuta vë barazinë në thelb të martesës.  

Nga ana tjetër, përdhunimi njihet në të gjithë botën, edhe nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, si kryerje e marrëdhënieve seksuale pa dëshirën e njerës palë, theksojmë: edhe nëse është bashkëshorti apo bashkëjetuesi. Përveç kësaj, ky lloj krimi dënohet me 3 deri në 10 vjet burgim.

Neni 102 i Kodit Penal thotë:

“Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të rritura ose midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, pa pëlqimin e njërit prej tyre, dënohet me burgim nga 3 gjer në 10 vjet.”

Ose siç e tha një komentues:

“O njerëz të trashë: përdhunim quhet çdo herë kur një mashkull tenton të kryejë marrëdhënie kundër dëshirës së femrës. Çfarëdo që ta ketë. Si kjo vajzë të ngriheshin të gjitha, sa kafshë të tjera si ky ka vërdallë.”

Por këtij komenti iu hodhën kundër akoma më egër, duke e quajtur të marrë që ka të tilla “ide”:

“Të paska goditur dielli ore, s’e ka dashnore, e ka grua.”

Ooose ose:

 “Hahahahahahaha, o lot që pa gëdhir e Zot na mbaj mendjen... Ajde de mos ta kishte të fejuar edhe do ta besonim, po të fejuar o qyqe si vajte e bëre denoncimin.”

Pra, nëse ligji nuk i rregullon dot shqiptarët, duhet ta rregullojnë shqiptarët ligjin. Kërkesa e tyre për të mos e konsideruar përdhunim kryerjen e marrëdhënieve pa dëshirë me bashkëshortin duhet marrë në shqyrtim më urgjentisht se kërkesa e Hollandës për të na hequr vizat për zonën Schengen.

Genta Hodo
Gazetare

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .