Çfarë po ndodh rreth nesh > Shqipëria

Flet deputeti i përfshirë në aksident: ‘Nuk kam asgjë për të sqaruar’

 

Ditën e djeshme një aksident rrugor në autostradën Tiranë - Durrës la të vdekur në vend një të ri. Pas timonit ishte deputeti i PDIU, Aqif Rakipi dhe sot është prononcuar për herë të parë në lidhje me aksidentin.

“E them me sinqeritetin më të madh që jam tej mase i hidhëruar për atë që ndodhi. E kam thënë dhe e ripërsëris që ndjej keqardhje dhe dhimbje për jetën e viktimës. Nuk kam qenë duke ecur shumë shpejt dhe dua të bëj me dije se makina ime është dëmtuar pasi personi u përplas mbi automjet ndërsa po bëja përpjekje për të manovruar kur dallova hijen e personit. Fatkeqsisht nuk kam mundur ta evitoj aksidentimin e tij megjithë përpjekjen e bërë.

Viktima ka kaluar në fraksion sekondi dhe nuk kam asgjë për të sqaruar sepse nuk kam bërë asnjë përpjekje të përdor pozicionin tim si deputet për të fshehur të vërtetën e këtij aksidenti që u pa edhe nga të paktën dy a më shumë persona që kaluan rrugën duke mos pyetur për rrezikun që sjell kalimi i saj prej tyre në atë mënyrë aq të pakujdesshme. Nuk jam tip që i fshihem të vërtetës. Në këtë rast, ajo është kështu si po e them dhe sikurse e kam deklarauar e nënshkruar para organeve kompetente. Ndërsa gjithçka tjetër është spekulim keqdashës ndaj emrit dhe figurës time publike.

Garantoj gjithkënd, se në këtë proces kam kërkuar seriozitet maksimal për zbardhjen e të vërtetës. Kërkoj të investigohet deri në detajet më të imtësishme për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Atë mëngjes po kthehesha pasi kisha qëndruar deri në agim në Durrës, pranë nënës së një njeriut tim që po lëngon nga një sëmundje e rëndë. E bëj publik edhe këtë detaj të panevojshëm pasi po spekulohet edhe ku isha, ku shkoja dhe se çfarë mund të kisha për të fshehur pas ngjarjes. Në atë moment gjykova se shkuarja menjëherë në polici ishte zgjidhja më e mirë. Nuk i kam telefonuar askujt. I jam nënshtruar testit të alkoolit para kamerave dhe jam trajtuar nga ekspertët sikurse çdo kush tjetër i përfshirë në aksident. Shpreh keqardhje për jetën e humbur dhe nuk ia uroj askujt t’i ndodhë një aksident i tillë. Gjithkush është i bindur që në këtë jetë ka plot gjëra që nuk varen prej vullnetit tonë,” tha deputeti Rakipi për BalkanWeb.

Ai refuzoi të komentonte akuzat politike pasi është i hidhëruar për atë që ndodhi.

Artikuj të ngjashëm

. .