Çfarë po ndodh rreth nesh > Shqipëria

Flasin dëshmitarët: Deputeti e masakroi me makinë, fsheh diçka

Flasin dëshmitarët pas aksidentit të Aqif Rakipit.

I ndjeri Seit Sorra, që humbi jetën pasi u përplas me makinë nga deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi, nuk ishte vetëm mbrëmjen e ngjarjes. 54-vjeçari nga Kusi i Kasharit ishte bashkë me dy kushërinjtë e tij, me të cilët punonte në Tregun Agroushqimor në autostradë.

Ata pretendojnë se kanë parë gjithçka, por nuk pranojnë të japin detaje të mëtejshme, pasi presin versionin zyrtar të Policisë dhe Prokurorisë. Megjithatë, ata konfirmojnë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë, shtoi shpejtësinë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

“Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët. Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.

“Policia thotë që nuk ishte i pirë, megjithëse jam i bindur që ka qenë i dehur. Por largimi i tij në atë mënyrë nga vendi i ngjarjes nuk lidhet vetëm me këtë. Me siguri ai ka dashur të fshehë diçka. Nuk më bindin fare justifikimet e tij që iku për t’u dorëzuar në Polici. Këto janë justifikime”, shprehet ai.

Aqif Rakipi është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes dhe aktualisht po hetohet në gjendje të lirë.

Burimi: Panorama

Artikuj të ngjashëm