Anabel Mama > Femije

Mund ta bësh fëmijën të zgjuar: 10 hapat që shkenca vë dorën në zjarr!

Është e vërtetë se i zgjuar lind por përveç zgjuarsisë, për të qenë i suksesshëm ka elementë të tjerë që ndikojnë, si vëmendja, vullneti, etj.

Ja 10 këshillat që përmbledh revista “Time”, e për të cilat shkenca vë dorën në zjarr se funksionojnë për ta bërë fëmijën tuaj më inteligjent.

Mësime muzike

Studime të shumta tregojnë se muzika nxit logjikën tek fëmija, ndaj edhe jashtë është shumë e përhapur ideja e regjistrimit të fëmijës në kurse muzike. Në Shqipëri shpesh dëgjojmë të thuhet: “ju muzikantët nuk jeni për gjë tjetër” por në fakt, studimet kanë treguar se fëmijët që kanë bërë kurse muzike kanë shfaqur nivel më të lartë inteligjence sesa përpara se të hynin.

“Sportistët janë budallenj” është një budallallëk më vete

Si në rastin e muzikantëve, edhe sportistët kategorizohen si njerëz “të pazgjuar në gjëra të tjera jashtë fushës”. Por në fakt, fëmija duhet t’i bëjë të dyja: edhe librin, edhe topin. Të jesh në formë të mirë do të thotë të jesh më i kapshëm në mësim. Shkenca ka treguar se, pas stërvitjes, njerëzit mësojnë fjalë të reja në fjalor 20% më shpejt. Po ashtu, studime kanë treguar se pas 3 muajsh stërvitjeje, truri fiton përqëndrim deri në 30%.

Mos i lexo fëmijës, lexo me fëmijën

Nëse i vogli yt po mëson të lexojë, lëre të lexojë. Nuk duhet t’i lexosh ti gjithçka dhe ai vetëm të shikojë ilustrimet, pasi kjo nuk e ndihmon. Lexoni bashkë: një fjali ti, një ai.

Mungesa e gjumit i bën fëmijët më pak inteligjentë

Mungesa e gjumit mund ta bëjë trurin e një 6-vjeçari si trurin e një 4-vjeçari. Sipas studiuesve, humbja e 1 ore gjumi çdo natë është e barazvlefshme me humbjen e 2 viteve zhvillimi konjitiv dhe maturimi.

IQ-ja nuk ka vlerë përpara disiplinës

Koefiçienti i lartë i inteligjencës (IQ e lartë) nuk ka asnjë lloj vlere nëse nuk e mësoni fëmijën se, për të arritur diçka, duhet të ulet e të punojë. Studimet kanë treguar se njerëzit me disiplinë të lartë janë më të suksesshëm se ata me IQ të lartë, që nuk e kanë zhvilluar inteligjencën e tyre.

Mësimi duhet të jetë aktiv

Truri ynë ka evoluar në mënyrë të atillë, që ne mësojmë nëse e bëjmë diçka, jo nëse dëgjojmë apo lexojmë për të. Mësimi, për të dhënë rezultat, duhet të jetë aktiv, ta bëjë fëmijën pjesë të procesit dhe ta vërë atë në punë. Nëse doni që përshembull, ai të fiksojë një fragment të caktuar nga biologjia, më mirë ta kaloni 30% të kohës duke e lexuar dhe 70% duke e testuar për atë që di.

Edhe ëmbëlsirat duhen, por në momentin e duhur

Kur fëmija ka një test, duhet të hajë mëngjes shëndetshëm, me karbohidrate, fibra dhe ushqime që nuk treten shpejt, si përshembull drithërat. Por ai duhet të ushqehet shëndetshëm edhe një javë përpara ditës së provimit. Një studim testoi nxënës që ishin ushqyer shëndetshëm dhe të tjerë që ishin ushqyer keq javën përpara provimit, dhe u vu re se ata që ishin ushqyer shëndetshëm dhanë rezultate më të larta. Ëmbëlsirat dhe ushqimet e paketuara, që fëmijët i kërkojnë kaq shumë, mund t’ia jepni vetëm një herë në ca kohë dhe padyshim, jo atëherë kur i duhet të vërë trurin në punë.

Fëmijë i lumtur= fëmijë i suksesshëm

Fëmijët që kanë kaluar fëmijëri të lumtur janë më të prirur drejt suksesit. Lumturia është një avantazh tmerrësisht i madh; studimet kanë treguar se njerëzit e lumtur janë në përgjithësi më të suksesshëm si në dashuri, ashtu edhe në biznes. Janë më të prirur të gjejnë partnerin e jetës dhe me t’u martuar, dinë ta vlerësojnë dhe ta shijojnë marrëdhënien.

Shoqëria e tij ndikon shumë

Ndikimi që ka shoqëria tek një fëmijë është shumë i madh, ndaj duhet ta këshillojmë të kalojë kohë me fëmijë që studiojnë, që ushqehen mirë, shfaqin edukatë por nga ana tjetër, edhe luajnë. Duke qenë se ju s’ia jepni dot, fëmija duhet të ketë si shok dikë që i tregon sesi bëhet barazpesha mes lojës dhe punës, duke e shtyrë edhe të mësojë.

Ki besim tek fëmija yt

Kur prindi beson se fëmija ka zgjuarsi mbi normalen, mund të ndryshojë shumë gjëra. Në një eksperiment me mësues dhe nxënës, pasi mësuesve u tha se nxënësit në klasë kishin zgjuarsi mbi normalen, fëmijët performuan më mirë gjatë mësimit edhe pse në fakt, ishin zgjedhur fëmijë të zakonshëm. Në fund të vitit shkollor, fëmijët u kthyen me të vërtetë në gjenij, duke fituar deri në 22 pikë tek IQ-ja!

Artikuj të ngjashëm