Healthy & Fit > Health News

U lodhëm kot: Dieta më e famshme në botë funksionoka vetëm për pasanikët

Dieta mesdhetare është më e këshillueshmja për të shmangur problemet me zemrën. Duke favorizuar peshkun dhe mishin e bardhë përpara mishit të kuq dhe duke përfshirë fruta, perime dhe vaj ulliri, besohet të jetë zgjidhja “dorë me një” kundër kolesterolit të lartë.

Megjithatë, që të funksionojë siç duhet, duhet të jesh goxha i pasur. Një studim i publikuar në “International Journal of Epidemiology” (Revistën Ndërkombëtare të Epidemiologjisë), analizoi të dhënat shëndetësore të 18 mijë pacientëve dhe u vu re se ata të cilëve kjo dietë u kishte dhënë vërtet efekt, ishin njerëz që kanë më shumë të ardhura apo arsimim më të lartë, apo të dyja bashkë.

Ata që nuk kishin kaq shumë të ardhura nuk shfaqën asnjë lloj përfitimi nga dieta mesdhetare. Njerëzit me të ardhura më të larta përfshinin më shumë miell integral si edhe ushqime organike, dhe një larmishmëri më të madhe frutash dhe perimesh duke siguruar më shumë vitamina dhe antioksidantë, siç tregoi edhe studimi.

“Faktorë përtej sasisë dhe shpeshtësisë së vakteve ndikojnë tek shëndeti, dhe një prej tyre mund të jetë cilësia e ushqimit.”, thotë Marialaura Bonaccio, drejtuese e kërkimit, “Ky është një koncept i ri që do të na përmirësojë njohuritë mbi barazpeshën komplekse mes dietës dhe shëndetit.”

Sfida e dietës mesdhetare qëndron në atë që, ushqimi i cilësisë së lartë është më i shtrenjtë- peshk i egër, vaj ulliri ekstra i virgjër- çka e bën të vështirë për një familje me nivel të ulët ekonomik. Përshembull, buka integrale është më e shtrenjtë se buka e bardhë. Dhe sigurisht, pacientët me të ardhura jo edhe aq të larta, do të zgjedhin të blejnë bukën e bardhë.

Kyçe në këtë studim është se, mjeku-nutricionist që e këshillon pacientin të ndjekë një dietë të caktuar, duhet gjithashtu t’i japë drejtim lidhur me si mund ta arrijë këtë brenda buxhetit të vet. Përshembull, për të siguruar acidet omega 3, mund të ushqehemi me sardele, që janë më të lira dhe më të thjeshta për t’u gjetur.

Pas studimit, shkencëtarët janë mëse të bindur se duhet të implikohen programe që pacientët të mund të kenë më shumë informacion lidhur me ushqimet, në mënyrë që dieta mesdhetare t’u japë efekt pavarësisht buxhetit.

Burimi: “Ozy”

Artikuj të ngjashëm