Metropolitan > Kinema & TV

Zërat më të famshëm shqiptarë: Kush fshihet pas reklamave në TV

Kush ka punuar në radio e di mirë ç’do të thotë të bëhesh zëri zyrtar i një kompanie. Shumica e moderatorëve dhe gazetarëve më të njohur e kanë nisur karrierën në radio dhe jo më kot; thuhet se nëse ia del në radio, mund t’ia dalësh kudo.

Nga ana tjetër, radioja është një magjepsje për moderatorët televizivë, sepse krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me dëgjuesin vetëm përmes zërit; askush s’e shikon çfarë ke veshur, çfarë mimike ka fytyra jote apo sa bukur i ke flokët. E gjithë fuqia jote qëndron në atë që thua dhe mënyrën si e thua.

Ndaj nuk është për t’u çuditur që shumë prej moderatorëve dhe gazetarëve më të njohur në TV e kanë edhe një emision në radio.

Ata që punojnë kahera në radio i dinë në majë të gishtërinjve teknikat e zërit, që përfshijnë shumë kontroll mbi tonalitetin dhe volumin, si edhe artikulim të qartë dhe të saktë. Ndaj, janë zgjedhur si zëri zyrtar i reklamave të kompanive të mëdha dhe tani i dëgjojmë çdo ditë.

Kurse moderatorët me zërin më të veçantë, janë bërë zëra zyrtarë të televizioneve dhe radiove, në spotet e programeve televizive. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe këngëtarë, sepse ngjyra e zërit është një prej elementëve kryesorë.

Këta janë moderatorët, këngëtarët ose thjesht, zërat më të njohur të medias shqiptare. Shumicën i njihni, por pas mikrofonit duken si të jenë të tjerë njerëz.

Albert Dumani
Ish-prezantuesi i spektaklit hit të fillimviteve ‘2000 “Netë vere” u dallua që atëherë për zërin karakteristik. Sot, është drejtor programacioni i “TV Klan”, si edhe zëri zyrtar i spoteve të spektakleve të televizionit, si edhe spoteve të serialeve të Klan-it.
Eno Popi
Zërin e Eno Popit e dëgjojmë çdo mëngjes tek “Wake Up”, por kur e dëgjojmë në spotet e “Top Channel” s’para e bëjmë lidhjen. Popi është fytyra pas zërit të shumicës së reklamave të programacionit të “Top Channel”.
Gerta Heta
Heta është një prej moderatoreve të para të “Top Albania Radios”. Edhe pse tani është tërhequr nga radioja, vijon të dëgjohet kudo si zëri zyrtar i reklamave të një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit.
Fatos Risto
Fatos Risto ka një prej zërave më karakteristikë në televizionet shqiptare. Në vitet ‘2000, bashkë me Albert Dumanin prezantoi “Net vere”, për të kaluar më pas në Vizion Plus. Tani është zëri zyrtar i Tring dhe drejtor përmbajtjeje i kësaj platforme.
Erion Korini
Ish-këngëtari i njohur i viteve ‘2000 tani është tërhequr nga ekrani dhe jashtë vëmendjes së publikut të gjerë, është zëri zyrtar pas spoteve të Ora News dhe “Radio Ora News”.
Bledi Naska
Aktori dhe moderatori radiofonik mund të mos jetë aq i njohur sa ç’është zëri i tij. Ka dubluar shumë filma, ka qenë prezantues në radio dhe tani është zëri zyrtar i një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit.
Genc Gjineci
Genc Gjineci mund të mos jetë i njohur për publikun e televizioneve shqiptare, por zëri i tij është që ç’ke me të. Prej vitesh, ai ka qenë zëri zyrtar i Digitalb, ku ka punuar edhe si drejtor ekzekutiv, ndërsa tani është drejtor dhe zë i City Radio-s.

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .