Dashuri dhe seks > Ndarja

Pse divorci është gjëja më e mirë që kam bërë në jetën time

Dy vite më parë, jeta ime ishte goxha ndryshe. Kisha pesë vite e martuar me bashkëshortin tim dhe isha shtatzënë me vajzën.

Vajza ime vrapon në një fushë me luledele, dielli perëndon dhe një traget zbehet në horizont. Unë ha një copë pice nga mbrëmë. Kaloj kështu me time bijë dy orë, thjesht duke ndenjur e lodruar, duke krijuar kujtime për të ardhmen. Aventura të vogla si puna e kësaj janë arsyeja kryesore pse jam e lumtur që jam beqare.

Dy vite më parë, jeta ime ishte goxha ndryshe. Kisha pesë vite e martuar me bashkëshortin tim dhe isha shtatzënë me vajzën. Pak javë para se të lindja, zbulova se burri po më tradhëtonte. Ai tha se ishte tërësisht emocionale, por gjërat sollën njëra tjetrën dhe mora vesh gjithë gënjeshtrat dhe pabesitë. Divorci ishte i pashmangshëm.

Është e vërtetë që jeta ime u rrënua. Por u rregullua dhe përmirësua në gjithë mënyrat që s’mi kishte marrë mendja. Në këto dy vite pas divorcit jam kualifikuar për një kredi hipotekore, bleva shtëpinë time të parë dhe pagova 80% të borxheve. Shkruajta një libër dhe e publikova në një prej shtëpive botuese më prestigjoze. Kam kaluar më shumë kohë me miqtë dhe familjen këto dy vite sesa gjithë dekadën para tyre. Shkova me pushime me vajzën, pushimet tona të para bashkë. Gjithë energjinë që ia dedikoja partnerit, tani ia dedikoj vetes dhe vajzës.

Nga gjithë këto që kanë ndodhur, natyrshëm më lind pyetja: A janë martesat vërtetë të dobishme për të dyja palët? Apo marrëdhëniet monogame, afatgjata dhe heteroseksuale thjesht ndërtohen në kurriz të gruas?

Njëqind vite më parë, gratë duhet të martoheshin për të pasur një funksion në shoqëri. Madje, një grua nuk quhej fare person në sytë e ligjit, thjesht një zgjatim i bashkëshortit të saj. Gratë e pamartuara jetonin në periferi, të vetmuara dhe të përbuzura. Në Sh.B.A., nuk mund të hapnin llogari bankare, të zotëronin tokë apo të merrnin kredi pa ndihmën e bashkëshortëve. Deri në 1970, madje, nuk aplikonin dot as për karta debiti nëse ishin të pamartuara.

Unë flas nga përvoja personale kur them se shumica e barrës në shtëpi i bie gruas. Edhe në çiftet ku bien dakort për të ndarë punët e shtëpisë, pritet nga gruaja të gatuajë, lajë, bëjë pazaret, të kujdeset për fëmijët apo të hekurosë, pavarësisht se kontribuon po njësoj sa bashkëshorti financialisht. Në fakt, në martesën time, unë investova një shumë të konsiderueshme parash në ëndrrën e tim shoqi, një restorant tijin. Më vonë kuptova se po t’i kisha mbajtur për vete ato para, do të isha në një pozicion më të mirë. Do të kisha realizuar ëndrrën time, një gradë në psikologji.

Nuk mund të themi më se një ndër arsyet pse duhet të martohemi është siguria financiare, sepse gratë mund të punojnë dhe të mbahen vetë. As biologjike, sepse teknologjia e fundit i lejon gratë të bëhen nëna edhe vetëm. Madje, në krahasim me burrat beqarë, gratë beqare po blejnë dyfish më shumë shtëpi.

Pra, pse është gjetja e një partneri kaq e rëndësishme? Pse çiftet janë kaq të romantizuara nëpër filma, libra apo revista? Pse prindërit vazhdojnë të na mësojnë se martesa është pjesa më e rëndësishme e jetës? Pse e shohim me keqardhje një grua beqare dhe mendojmë se duhet të ketë diçka që nuk shkon me të?

Ndoshta, ajo është si më e mira. Ndoshta përralla e saj nuk ka një princ të kaltër. Ndoshta, ajo ka ambiciet e saj në jetë dhe mendon se po e jeton jetën e saj ashtu si do. Nuk ka nevojë për një partner që të kompletohet. Është e kompletuar.

Unë isha me fat. Kisha mbështetjen e vetes time dhe të prindërve të mi. Ata më hapën dyert muajt e parë pa lindjes së vajzës dhe jetova me ta deri sa gjeta vetëbesimin për t’u shpërngulur më vete. Isha e tmerruar. Me kalimin e kohës, teksa vajza rritej, frika filloi të zbehej. Nuk isha gjithmonë prindi më i mirë, por jepja maksimumin tim. Vetëm pasi kisha kohë që jetoja vetëm me vajzën, kuptova se të qënit prind i vetëm ishte një zgjedhje e shëndetshme. S’më kishte shkuar kurrë ndërmend se të jetuarit vetëm dhe të qenit financiarisht e pavarur, do të ishte kaq e kënaqshme emocionalisht.

S’dua asgjë tjetër veçse t’i mësoj time bije që vetja e saj është gjithçka që i duhet në jetë. Dua që ajo t’i besojë instikteve të saj. Dua t’i mësoj se nuk ka një mënyrë të gabuar të qeni, për sa kohë gabon dhe mëson nga gabimet e tua. Dua që ajo të bëjë zgjedhje të shëndetshme në jetë, të jetë zemërmirë, po të mos e vërë kurrë veten në plan të dytë. Dua t’i mësoj se është e kompletuar, edhe pa një partner.

Kanë kaluar dy vite që kur jam divorcuar dhe çdo ditë e më shumë ndihem e lirë dhe e afërt me vajzën tie. Dy netë më parë, teksa dielli përvëlonte rrugët, ne vumë muzikë Krishtlindjesh (muzika e saj e preferuar, pavarësisht muajit) dhe kërcyem deri sa u lodhëm. E di që një ditë mund të kërkoj një marrëdhënie kuptimplotë dhe të barabartë, por tani për tani, as që e imagjinoj dikë tjetër në jetën time.

Autore: Jen Ëaite, A Beautiful, Terrible Thing: A Memoir of Marriage and Betrayal

Artikuj të ngjashëm

. .