Shëndeti > Shendeti i Gruas

Sfida e mjekut të famshëm turk:Do të bëheni me fëmijë, ose lekët mbrapsht!

Dr. Aytuğ Kolankaya sjell në Shqipëri, suksesin e madh me fertilizimin në Turqi.

Nga S.K. ~

Jeta moderne, mjedisi, karriera e dhjetëra probleme reale përfshi edhe ato që krijojmë kot në mendjen tonë, duket se po na bëjnë çdo ditë dhe më shumë të paaftë për të qenë prind. Dhe këtë ua thotë dikush si unë, që prej katër vitesh ka vizituar jo pak klinika mjekësh gjinekologë në Tiranë, mes të cilëve edhe profesionistë të shkëlqyer. Besoj se për mua dhe bashkëshortin tim, kjo temë është po aq e ndjeshme sa për qindra çifte të tjerë të cilët, njësoj si ne, ose nuk e kanë pasur informacion e duhur se kur duhet të fillojnë kontrollet, ose janë vizituar në klinikat e gabuara, ose kanë panjohuri dhe droje për metodat moderne të fertilizimit. Por ne kemi një të përbashkët; dëshirën e madhe për të sjellë në jetë një fryt të dashurisë.

Për këtë arsye, takimi dhe intervista me mjekun e famshëm turk Dr. Aytuğ Kolankaya ishte frymëzim. Jo vetëm për faktin se ai është ndër të parët që ka kryer fertilizimin in vitro në Turqi, çka e bën atë ndër mjekët më të mirë në këtë specialitet, por edhe sepse Dr. Aytuğ përmes vendimit të tij për të jetuar dhe punuar në Tiranë, lëkundi skepticizmin tim dhe krisi koren e mosbesimit që më është krijuar, për shkak të përpjekjeve personale.

 Pa dashur të anatemoj askënd, mendoj se çiftet që po përpiqen prej vitesh pa rezultat, duhet ta lexojnë me patjetër rrëfimin e Dr. Aytuğ.  Do të mësojnë shumë mbi qëllimin më të rëndësishëm që kanë për momentin në jetën e tyre dhe do të surprizohen nga bujaria e mjekut të famshëm turk.

 Pse vendosët të vinit në Shqipëri, kur në fakt jeni në kulmin e suksesit tuaj, në Turqi?

Kam 31 vite që ushtroj profesionin e mjekut dhe kam një eksperiencë 23-vjeçare në fushën e fertilizimit in vitro dhe 24-vjeçare me diagnozat prenatale. Prej vitesh të tëra, ndjek proçesin e in vitros vetë, ku numëroj rreth 15 mijë raste, të cilat i kam ndjekur nga fillimi deri në fund.

Ç'do të thotë “nga fillimi deri në fund”?

Unë kam krijuar 6 qendra që merren me fertilizimin in vitro në Stamboll dhe në dy qytete të tjera të Turqisë. Thënë kjo, unë ndjek proçesin dhe e monitoroj atë,  por janë të tjerë mjekë që kujdesen për detajet. Ndaj, kur them specifikisht 15 mije raste, do të thotë që këto bebe, janë krijuar nën kujdesin tim që nga përzgjedhja e vezës tek nëna, tek fertilizimit në laborator, tek vendosja e embrionit e deri në fund, kur fëmija ka ardhur në jetë. Pra kjo eksperiencë konsiderohet e lartë edhe për standartet turke. Unë gjithashtu kam punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe në universitet në Vjenë ku edhe kam kryer një specializim.

Histori suksesi
Kjo 17 vjeçare është një bebe “in vitro”. Prindërit e saj kishin rreth 7 vite që kërkonin një shtatëzani e cila nuk po vinte. Ata kryhen një cikël in vitro tek Dr. Aytug, i cili rezultoi pa sukses. Pas kësaj, doktori vendosi të bëjë laparoskopi (formë e kirurgjisë invazive ku me futjen e një shkopi me dritë dhe kamera të vogël mundësohet shikimi i organeve të brendshme, në këtë rast tubave të Fallopit). Gjatë ndërhyrjes Dr. Aytug nuk mund të shihte asgjë. Tubat e nënës ishin si një shtëpi, e cila kishte 15 vjet pa u pastruar. Menjëherë pas pastrimit, u tentua një cikël i dytë in vitro dhe suksesi ishte kjo vajzë.

Në Turqi ju njiheni edhe si personazh publik, ose si doktori i vipave. Kur nisi kjo?

Para 9 vitesh nisa për herë të parë një program televiziv në Turqi. Në fakt, ideja e programit ishte e imja, pasi në ekranet turke mungonte një emision mbi shëndetin. Jemi 80 milion banorë në atë vend dhe jo të gjithë kanë mundësi të kontrollohen nga ana mjekësore tek një specialist. Për këtë arsye, emisioni u krijua për të edukuar njerëzit se si të vetë diagnostikohen. Emisioni u kthye shumë shpejt në sukses. Shikoni, sfida ime kryesore është informimi i njerëzve. Ata duhet të kuptojnë që duke qëndruar në shtëpi, nuk zgjidhin asgjë.

 

Ju jeni ndër mjekët e parë në Turqi që ka kryer fertilizimin in vitro apo jo?

Po, është e vërtetë. Sot në Stamboll ka qindra qendra që kryejnë fertilizimin in vitro dhe emri im është në listën e mjekëve të parë që merren me këtë specialitet. Megjithatë, emisioni në televizion solli diçka më shumë në karrierën time. Më njohin të gjithë në Turqi dhe kjo nuk më shqetëson aspak, pasi siç e thashë informimi i njerëzve është misioni im.

Si shpjegohet që me gjithë këtë karrierë të krijuar në Stamboll, ju përsëri zgjodhët të vini në Shqipëri?

Jam i lodhur nga jeta e përditshme në Stamboll. Qyteti ka 20 milion banorë, ka shumë ndërtime dhe mbi të gjitha mjekësia është shndërruar në tregti. Mua kjo nuk më pëlqen. Babai im ka qenë gjithashtu mjek gjinekolog dhe më ka rritur me edukatën e humanitarizmit tek profesioni i mjekut. Nuk jam hipokrit të them se me këtë profesion nuk fitohen para, sigurisht si në çdo punë, por ka limite. Për mua mjekësia nuk duhet të kthehen kurrë në biznes. Kujdesi ndaj shëndetit është një shërbim ndryshe nga shërbimet e tjera. Është jetik. E gjitha kjo më kishte frustruar dhe mbi të gjitha këtë ndryshim vendosa ta bëj për familjen time.

Do t’i sillni të jetojnë këtu?

Unë jam i martuar dhe kam dy vajza, njërën 22 vjeç dhe tjetrën 4 vjeç.  Tre muaj më parë mu bë një ofertë për të ardhur në Shqipëri nga Medivia Clinic. Nuk dija asgjë për Tiranën, por u dashurova menjëherë dhe gjeta këtu ato që po kërkoja. Njerëz të mrekullueshëm, klimë fantastike dhe ende besim tek vlerat njerëzore.

Dakord për jetesën, por a mund të punosh këtu?

Sipas kongreseve ku ne mjekët marrim pjesë, statistikat e sotme për fertilizimin in vitro tregojnë se ky proces duhet të kryhet në 4 çifte nga 1 mijë. Ju jeni 3 milion banorë në Shqipëri, që do të thotë se duhet të keni 12 mije raste të fertilizimit in vitro në vit, ose 1 mijë në muaj. Por, kur pashë statistikat, ato diktojnë njëqind në muaj. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e çifteve që kanë probleme me infertilitetin në Shqipëri ose po qëndrojnë në shtëpi duke mos bërë asgjë për problemin e tyre, ose po kurohen gabim kur mundësitë janë të mëdha që ata të kenë fëmijë. Kam dëgjuar dhe për shumë çifte nga Shqipëria, të cilët shkojnë jashtë vendit duke harxhuar shifra të mëdha parash, ose ndiqen në qendra që nuk i njohin mirë. Pra, kjo është e para. E dyta, ka të bëjë me faktin se shqiptarët nuk e dinë se çfarë është fertilizimi in vitro dhe kanë nevojë për informacion. Ndaj jam këtu dhe dua të punoj këtu.  

Kjo është historia e një nënë 43 vjeç. Një mësuese e cila kishte vite që tentonte shtatëzani me bashkëshortin e saj. Ishte viti 1999 dhe sigurisht “in vitro” nuk ishte kaq e përparuar sa sot. Gjithësesi Dr. Aytug e provoi pavarësisht moshës së saj. Pas stimulimit të ovareve pati një vezë të vetme. Fotografia e sipër tregon momentit që veza u pllenua. Dy rrathët brenda vezës, përfaqësojnë nënën dhe babain. Kur shihni këtë pamje do të thotë që veza është pllenuar. Fotografia e dytë është bebja 9-muajshe. Ajo quhet Zenepe dhe sot është 18 vjeç.

Atëherë cila do të jetë ndihma juaj?

Po e deklaroj publikisht. Çdo çift që dëshiron fëmijë dhe ka pyetje apo paqartësi është i ftuar të më kontaktojë. Unë do të jap konsultën time falas dhe vetëm pasi çifti do të vendosë t’i nënshtrohen trajtimit mund të flasim për pagesë. Ky është misioni im si doktor.  Konsultat me mua janë falas. E kam bërë këtë për pacientët e shumtë në Stamboll, pothuajse nga 60 çifte në ditë, ndaj dua ta bëj edhe këtu.

Fantastike! Jam e bindur që është ndihmë e madhe për shumë çifte. Por, nëse flasim për hapin kryesor të procesit, sipas statistikave, sa prej çifteve që do të vijnë tek ju, do të mund të finalizojnë fertilizimin me sukses?

Më shumë se 75 përqind. Pra nga 10 çifte që kanë probleme infertiliteti, 7 ose 8 prej tyre do të bëhen me fëmijë përmes këtij trajtimi. Sepse sot fertilizimi in vitro është përmirësuar ndjeshëm.  E vetmja gjë për të cilën ne mjekët nuk japim zgjidhje, është sasia e vezëve tek femra. Një femër, lind zakonisht me një rezerve prej 2 milion vezësh. Gjatë mestruacioneve të para femra ka rreth 400 mijë vezë. Çdo muaj ajo humbet nga 500 deri në 1 mijë vezë. Ndaj nëse një femër e nis jetën me 2 milion vezë, ato mbarojnë rreth moshës 45 vjeçare.

Por, nëse e nis me 1 milion ose më pak, menopauza mund të nisë edhe në moshën 30 vjeçare. Këtë një femër nuk ka si ta dijë pa konsultën e mjekut, ndaj nuk duhet të rrijë e të presë, por të vijë dhe të mësojë gjendjen riprodhuese e më pas të vendose se çfarë do të bëjë. Koha është e çmuar dhe ne mjekët atë nuk e kthejmë dot prapa.

Po për sa i përket kontributit të partnerit?

Kontributi i mashkullit tek fëmija është thjesht ADN-ja që mbart spermatozoidi. Ndërsa kontributi i femrës nuk është vetëm ADN-ja por edhe veza. Sepse, në thelb veza është bebja e ardhshme. ADN-ja e spermës miksohet me ADN-në e nënës. Embrioni është veza. Kjo është arsyeja pse veza duhet të jetë e shëndetshme. Ndaj problemi tek femra është më serioz se sa problemi tek mashkulli. Sperma tek një mashkull ose ka probleme të lëvizshmërisë, densitetit ose të strukturës së spermatozoideve. Vite më parë, kur nisi të aplikohej fertilizimi in vitro ne kryenim vetëm trajtimin tradicional. Ndërsa sot, teknika ka avancuar. Kjo do të thotë që nëse dikur merrnim një vezë dhe i vendosnim asaj rreth 15 mijë spermatozoide duke e lënë aty të pllenohej, sot veprojmë ndryshe.

Marrim një vezë dhë një spermatozoid. Mesatarja e një ejakulacioni tek një mashkulli është 200 milionë spermatozoide. Por, edhe nëse ka më pak, mbeten përsëri miliona të tjerë. Gjatë një cikli in vitro femrës i merren nga 10 deri në 12 vezë, kështu që ne zgjedhim 10 deri në 12 nga spermatozoidet më të mira dhe pllenojmë vezën. Këtu përfundon dhe puna e mashkullit, por e femrës vazhdon. Veza duhet të rritet dhe pas kësaj ne e vendosim atë në mitrën e femrës. Që do të thotë se edhe uterusi apo shëndeti i saj në tërësi, duhet të jetë i kënaqshëm në mënyrë që shtatëzania të zhvillohet. 

Një nga sukseset e fundit të doktor Aytug. Ai arriti që të zgjidhte gjininë e fëmijës dhe tashmë një çift në Turqi i gëzohet një djali pas dy vajzave. "Kjo bëhet vetëm përmes gjeneve. Megjithatë është e fundit që do të bëja nëse një çift do të ma kërkonte. Ajo çfarë ka më shumë rëndësi janë testet për sindromën down ose sindromën e aborteve të shpeshta. Këtu hyn gjenetika." tregon profesori.

 Jo më larg se këto ditë lexova një studim të publikuar në BBC mbi faktin se cilësia e spermës tek meshkut e Evropës Perëndimorë është ulur ndjeshëm. A është e vërtetë kjo? Dhe çfarë rrezikojmë?

Po, është e vërtetë. Le të flasim me statistika. Kur unë isha student në vitet ’80,  infertiliteti klasifikohej 5-7 përqind e popullësisë. Sot, është 15-20 përqind. Është tre herë më i lartë se 30 vite më parë. Arsyet zyrtare të kësaj problematike i atribohen shpesh zgjedhjes së femrës për t’u bërë nënë në një moshë më të vonë. Ajo që dimë sot është se në moshën 32 vjeçare, numri i vezëve bie në 20 përqind, pra ju keni humbur rreth 80 përqind të tyre në këtë fazë të jetës. Kjo sjell edhe vështirësi për të ngelur shtatëzënë. Por, nga ana tjetër, arsyet për të cilat nuk flitet zyrtarisht janë ndryshimet gjenetike, mutacionet. E thënë më thjeshtë, mjafton një vakt i keq ushqimor për të ndikuar tek gjenet e tua. Mjedisi që të rrethon ndikon tek gjenet e tua. Jeta moderne dhe me strese nga më të ndryshmet ndikon tek gjenet e tua. Ushqimi i proçesuar ndikon gjithashtu. Ajo gota me qumësht që ju po pini nuk është në fakt qumësht. Ky është problemi real.  

Ç’mund të themi për arsyet e tjera që sjellin infertilitet tek femrat?

Është sindroma e ovareve policistike.

Çfarë ndodh me trupin e femrës nëse ke këtë sindromë?

Është një ndër shkaktarët më të shpeshtë të infertitiletit tek femrat. Është një disbalancë hormonale. Kur ju ovuloni, pra prodhoni vezë, keni një cikël menstrual normal. Por, nësë nuk ovuloni, kjo sjell mungesën e hormonit progresteron çka sjell rritje të estrogjenit.

Në këtë situatë, fillojnë të dominojnë hormonet mashkullore dhe kjo shfaqet përmes akneve apo qimeve në fytyrë, lëkurë të yndyrshme dhe obezitet në pjesën abdominale. Kjo është arsyeja pse këtyre pacientëve ju rekomandojmë gjithmonë rënien nga pesha dhe marrjen e mjekimeve që ne japim. Duke sjellë këtë balancë mundësitë për të pasur fëmijë rriten menjëherë tek pacientet me sindromën e ovareve polikistike. 

A janë të informuar siç duhet çiftet këtu në Shqipëri, të paktën ata që ju keni takuar?

Sa i përket fertilizimit in vitro jo sa duhet. Mund të them se rreth 90 përqind e çifteve që kanë ardhur tek unë për konsultë, janë rikthyer për të kryer fertilizimin in vitro. Duhet të kuptoni diçka. Ky lloj fertilizimi është një proces krejt natyral. Gjëja e parë që bëjmë është marrja e spermës nga mashkulli përmes ejakulacionit normal.

Vetëm në rastet kur sasia është tejet e pakët, atëherë e marrim direkt nga testikujt përmes mikro-kirurgjisë. Ne përdorim spermën e mashkullit dhe vezën e femrës. Në procesin natyral, sperma lëviz përmes tubave të fallopit deri ku ndodhet veza dhe e fertilizon. Në rastin e in vitros, ne zgjedhim spermatozoidin më të mirë e vendosim tek veza dhe presim pllenimin e saj. Pas kësaj e mbajmë disa ditë embrionin në kushte laboratorike që imitojnë atmosferën e uterusit femëror.

Kur kalon kjo kohë embrioni vendoset brenda trupit të femrës. Nuk ka ndonjë ndryshim nga pllenimi natyral, ne thjesht ndihmojmë të kapërcehen disa faza,  të cilat në kushte normale nuk kapërcehen dot. Nuk ka asgjë jo natyrale, i vetmi proces që ndodh në laborator është pllenimi, ndërsa bebja rritet në uterusin e nënës.

Madje edhe në rastet kur infertiliteti është i pashpejgueshëm, pasi 20 përqind e çifteve e kanë këtë problem, cikli in vitro është mjaft i rekomanduar. Shanset për të pasur një fëmijë të shëndetshëm janë të larta.

Doktori që ndryshon jetët e njerëzve
Një çift nga Stambolli kishin kryer tre cikle in vitro. Pas disa kohësh, ata emigruan në Zvicër dhe aty kryhen edhe katër cikle të tjera in vitro. Të gjitha të pasuksesshme. Një ditë pasi ishin kthyer në Stambolli, bashkëshorti i ndodhur tek një dentist foli me të mbi pamundësinë për të pasur fëmijë. Dentisti i rekomandoi të takonin Dr. Aytug. E provuan dhe patën shtatëzani. Kur fëmija mbushi 1 vjeç, babai telefonoi dhe i tha doktorit disa fjalë të cilat ai nuk i harron kurrë. “Çdo mëngjes kur zgjohem më duket sikur ende nuk jam bërë prind. Shkoj në dhomën e vajzës dhe aty shoh gjithë botën”.
Profesori gjatë punës me lindje çezariane dhe bebja pas lindjes.

Pas sa kohësh tentativave të dështuara duhet një çift të konsultohet me mjekun gjinekolog?

Mosha e femrës ka shumë rëndësi. Nëse ajo është më pak se 35 vjeç dhe ka kaluar një vit që provon të ngelet shtatëzanë, duhet të nisë konsultat. Nëse mosha është mbi 35 vjeç, pas gjashtë muajve. Megjithatë, duhet të kuptoni që nëse kanë kaluar tre vjet nga dita që keni nisur tentativat e vijueshme për shtatëzani, zgjidhja është vetëm in vitro.

Inseminimi përshembull është humbje kohe dhe paraje. Studimet kanë treguar se fertilizimi in vitro në thelb është më pak i kushtueshëm se sa të gjitha trajtimet e llojit tjetër, të mbledhura bashkë, përfshi këtu edhe inseminimin. 

Jo çdo doktor mund ta bëjë fertilizimin in vitro apo jo?

Sigurisht që jo. Unë kam liçensë për këtë lloj trajtimi.  

Le të flasim pak për fushatën që po nisni këtu në Shqipëri. Si qëndron ajo?

Nëse çifti që unë kam ekzaminuar, plotëson disa kushte, unë garantoj kthimin e parave nëse fertilizimi in vitro nuk rezulton me sukses.

Seriozisht? Më duket e guximshme.

Është dhe unë jam gati për këtë sfidë. Ka disa kushte. Femra duhet të jetë nën moshën 40 vjeç, duhet të ketë një rezervë të mjaftueshme vezësh dhe mashkulli të ketë spermë. Këto çifte do t’i nënshtrohen in vitros deri në 3 cikle për një vit. Gjithashtu do të ofrojmë dhe ngrirje të embrionit. Pra, në total le të themi 18 muaj. Nëse në fund të këtyre muajve, çifti rezulton me një shtatëzani të suksesshme unë do t’i pranoj paratë, në të kundërt do t’i kthej të gjitha.

Ka më?

Po ka. Kemi bërë një marrëveshje me Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), e cila vlen edhe për qytetarët e Kosovës. Çdo muaj, per 18 muaj qe zgjat cikli do të mund të paguash në bankë 5 mijë lekë. Ne fund të kêtyre 18 muajve nëse niset shtatzania do te paguhet 15000 leke ne muaj. Nese jo, nuk do te paguhet më asgje.

Dhe kur flas për shtatëzani, nuk e kam fjalën për momentin që testi rezulton pozitiv. Por, për dy javë më vonë, kur të dëgjojmë rrahjet e zemrës së embrionit, atëherë unë jam gati t’i pranoj paratë. Kjo është puna ime. Kjo është ajo për të cilën jetoj. Kam 31 vite që punoj si mjek dhe shpresoj të punoj dhe për 20 vite të tjera.

A ndiheni të bekur kur shihni gëzimin në sytë e atyre çifteve që i bëni prindër për herë të parë?

E pranoj që ndihem mjaft i bekuar. Ky është sekreti i karrieres time. Unë jam 54 vjeç dhe nuk kam humbur aspak nga energjia që kam pasur që kur nisa këtë profesion. Kjo energji vjen nga pacientët e mi, ndaj them se jam i bekuar.

 

Për të lënë takim & konsultë falas me Dr. Aytuğ:

Numri: 0697044441

Facebook/ Dr. Aytug Albania

Medivia Clinic, rruga "Donika Kastrioti", Tirana



Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm