Dashuri dhe seks > Martesa

Nëse po mendoni të martoheni, përgatituni për më të keqen!

Është e gjitha pjesë e procesit.

Mbase askush nuk ju ka paralajmëruar për këtë. Ju kanë thënë të shijoni nusërinë dhe gjithçka që vjen me të, por nuk jeni kurrsesi të përgatitur për atë që ju pret. Ky presion shpesh çon në atë që quhet ‘depresioni para-martesor’, që shumë e ndjejnë, por pak flasin, duke e quajtur si diçka totalisht normale.

1. Përgatitjet e dasmës janë një dhimbje në prapanicë!

Sikur të mos mjaftonte fakti që po përgatiteni për të hyrë në një tjetër fazë të jetës me një person që kushedi si gdhihet nesër, duhet të planifikoni gjithçka që lidhet me ceremoninë e martesës, arredimi, të ftuarit, torta, fustani, unaza, muzika, të ftuarit, të ftuarit, të ftuarit, ushqimi, shoqërueset e nuses. Dhe të gjithë duhet të dalin të lumtur në fund. Fajin e ka industria e dasmave, që nuk ngopet së gllabëruari para dhe vetbesimin tuaj, duke ju kaluar nëpër një zinxhir zyrash që kanë gjithmonë diçka të re për të ofruar.

2. Burri nuk të duket më edhe aq ‘i martueshëm’

Ti mund të kesh 1 vit, 5 vjet, 12 vjet me këtë person dhe sërish do kesh dyshime deri ditën që do dilni në altar. Është normale. Të tmerron ideja që mund të përfundosh gjithë jetën me një njeri dhe do ndryshosh totalisht stilin e jetesës. Pastaj papritur të kujtohet kur ai fliste me njërën në Facebook ato dy ditë që u zutë në shkollë të mesme dhe gjërat thjesht nuk ndihen më njësoj.

3. Përgatitu të zihesh me të gjithë

Është kaq e vështirë të kesh gjithë këto mendime në kokë dhe të duhet t’i përgjigjesh çdo dreq pyetjeje që të bën mami, motra, gjyshi, daja babit, kushërira nënës që po flet në Skype me mamin nga Australia etj etj etj. Në të tilla situata mendon ‘mbase do ishte më mirë t’i fusja një të ulërirë dhe mos më pyesin më deri pas dasme’?

4. Del në pah versioni yt më i keq

Të gjithë e kemi një anë të errët që përpiqemi ta fshehim gjatë përditshmërisë dhe në marrëdhënie me njerëzit e tjerë (që të mos i trembim sigurisht), por përpara diçkaje kaq të rëndësishme sa dasma, na mpihet vetkontrolli dhe i dorëzohemi totalisht përbindëshit që kemi brenda vetes, aq sa lutemi që bashkëshorti ynë i ardhshëm të mos ndërrojë mendje.

5. Të duket sikur partnerit nuk i intereson asgjë

Kjo me siguri nuk është e vërtetë. Gratë janë përgjithësisht më të vëmendshme ndaj detajeve dhe fillojnë studiojnë gjithçka, ndërsa për meshkujt është ndryshe. Ata duan po aq sa ju që dasma të dalë e bukur, dhe që të dy të dilni të kënaqur në fund të mbrëmjes, por ai thjesht nuk e koncepton të shkatërrojë humorin e gjithë javës vetëm sepse lulet ishin në ngjyrë të bardhë dhe jo ‘baby pink’ siç i kërkove.

Të gjitha këto ndjesi janë normale, ajo që nuk është normale është të lejoni veten të bini pre e tyre, kur duhet të jeni duke shijuar ditën tuaj të veçantë, që me shpresë do të shënojë fillimin e një faze të re edhe më të bukur se ajo që keni lënë pas.

Bisedoni me partnerin për gjithçka që ju shqetëson dhe nëse planifikimi i një dasme është i papërballueshëm mendërisht për ju, këshillohuni me një profesionist, ose mjaftohuni me diçka modeste me njerëzit tuaj më të afërt. Në fund të ditës çdo gjë do të shkojë mirë dhe do t’i kujtoni vetes edhe njëherë pse keni zgjedhur njëri-tjetrin.

Artikuj të ngjashëm

. .