Metropolitan > Anabel Dossier

Ekskluzive: Shqiptarja nga rrugët e Europës "Shes trupin për dashurinë!"

Rrëfimi më i sinqertë ndonjëherë i një punonjëseje seksi shqiptare!

*Vëmendje portaleve: Ndalohet kategorikisht kompjimi, ri-prodhimi (qoftë edhe me burim të cituar) i këtij materiali, pa lejen me shkrim të redaksisë së Anabel.al. 

 Intervistë nga Dalina Buzi

  Foto ilustruese. 

Ishte ora rreth 11 e mbrëmjes kur në inboxin e Anabel në Facebook vjen një letër: “Anabel, por për vajzat që punojnë në rrugë, përse nuk shkruani?” Qëllova në atë momente unë në faqe dhe i kthej përgjigje: “Kemi shkruajtur dhe do ta bëjmë sërish”

Të nesërmen në mëngjes në inbox, i njëjti person kishte shkruar një histori që në fillim m’u duk si një përpjekje letrare për të sjellë portretin e një prostitute. Niste kështu:

 

Por në fund, mbyllja më la pa fjalë:

 

 Mendova se nëse do të postonim thjesht letrën në Facebook-un e Anabel, shumë vetë do ta lexonin si një “ankesë boshe” dhe natyrisht komentet do të ishin “ Po ik moj! Vetë e ke zgjedhur!”.  Askush nuk do të mësonte kurrë pikënisjen e kësaj historie, askush nuk do të dinte arsyet se përse dhe nëpërmjet një “shfryrjeje” për profesionin më të vjetër në botë, askush nuk do të arrinte të njihte dot vajzën që fshihej pas kësaj letre dhe të kuptonte se ç’do të thotë të jesh një punonjëse seksi.

Për t’u siguruar që çfarë po shkruante ishte e vërtetë, por edhe për të ditur më shumë, i kërkova ta telefonoja. Ajo u përgjigj pozitivisht. Ishte ora rreth 17:30  (3 Gusht 2017).

I telefonoj dhe nga ana tjetër dëgjova një zë të ëmbël. Nga mënyra sa butë fliste, nuk dalloje dot asnjë shenjë pesimizmi, gërvishtje zëri nga cigare apo mallkime. Madje në zë ndihej një buzëqeshje.  E. jetonte në një kryeqytet të madh e të bukur të Europës. Në momentin që unë e telefonova, ajo ma bëri të qartë që ishte në punë, por si e pamësuar me këtë lloj dialogu, duke dëgjuar zhurma makinash që kalonin, harrova që puna e saj ishte aty, në rrugë.  U përshëndetëm dhe fillova ta pyesja direkt:

Dalina – Sa vjet ke që punon si punonjëse seksi?

E. – 6 vjet

Dalina - Si filloi?

E. – Kur isha në shkollë të lartë. Vazhdoja studimet në një universitet privat në Tiranë.

Dalina – Prit pak. Vazhdoje studimet në privat? Me çfarë lekësh?

E. – Kisha mundësi atëherë ekonomike nga familja. Ëndrra e prindërve të mi ishte që unë të vazhdoja të lartën për ekonomik. Më pas ndodhi një fatkeqësi dhe i humbëm të gjitha.  Ndërkohë që ngela pa asnjë lekë gjatë studimeve, burgosin edhe të dashurin tim.  Isha rritur shumë mirë ekonomikisht të them të drejtën dhe në atë moment nuk kisha mundësinë as të paguaja qeranë.

Dalina – Po si e more këtë vendim?

E. – Takova një vajzë që më tha se mund të më ndihmonte të punoja këtu ku jam. Në fillim nuk folëm për këtë lloj pune, por në atë gjendje ekonomike dhe me të dashurin në burg, unë isha e gatshme për çdo lloj gjëje.

Dalina – Po çfarë u the të shtëpisë?

E. – I thashë se më doli një mundësi shkollimi. Ata po kalonin një periudhë shumë të vështirë jo vetëm ekonomike, por edhe psikologjike. Babai kishte nisur alkolin dhe në shtëpi kishte vetëm sherre. Nuk është se më pyetën shumë.

Dalina – Dhe sot, pas 6 vjetësh ende nuk dinë asgjë? Se i bie që ti ke mbaruar shkollën?

E. – Po, shkollën e kam mbaruar dhe kam gjetur një punë të mirë. Kështu u kam thënë atyre.

Dalina – Më fal një sekondë se Shqipëria fatmirësisht dhe fatkeqësisht është një vend shumë i vogël. Si ka mundësi që të mos kenë dyshuar asnjëherë?

E. – Sepse unë nuk flas shumë për gjërat e mia. Pastaj edhe në rrjetet sociale ruaj një profil të ulët, postoj vetëm foto normale, e veshur normale dhe kam miq vetëm ata që njoh.

Dalina – Dakord. Ti mbërrite aty ku je sot. Kur e kuptove që do të bëje këtë punë?

E. – Shumë shpejt. Sapo mbërrita. Ajo vajza shqiptare tjetër më nxjerr në zonën ku rrinin prostitutat dhe në një lloj mënyre më prezanton me këtë punë.

Dalina – Si ishte reagimi yt i parë?

E. – Mendova vetëm që më duheshin lekët dhe kaq. Kështu që e pranova me veten. 

Dalina – Ajo goca ishte tutorja jote, apo kishte ndonjë tjetër?

E. – Jo, teorikisht unë isha pa tutore, ajo në fillim u vetëofrua të më orientonte.

Dalina – Si ishte dita e parë e punës. Çfarë kujton?

E. – Në fillim përpara se të nisja punën, ndaluam në një supermarket. Atje kjo shoqja më tha të blija lubrifikantë, letra të lagura, xhel dhe prezervativë.

Dalina – Edhe e veshur besoj siç vishen…

E. – Jo ditën e parë isha me atlete, sepse nuk rrija dot mbi taka.

Dalina – Po kur dole në rrugë…

E. – Atje ku punoja në fillim ishte ndarë me zona. Në një zonë ishin shqiptaret, në një tjetër romunet, në një zonë transvestitët dhe në një vend pak më lart rrinë gjithë femrat afrikane. Unë shkova atje.

Dalina – Çfarë ndodhi?

E. – Dëgjo, në këtë lloj zanati është mirë të mos i ngatërrosh zonat. Unë nuk e dija dhe kur shkova atje, m’u sulën duke më bërtitur. Unë s’kuptoja as gjuhën e tyre.  Flisja anglisht. Ishte mars dhe bënte shumë ftohtë. Nja dy prej vajzave afrikane nxorrën biçakë nga çizmet e gjata dhe më kërcënuan që të ikja që andej. U tremba, por rezistova atë natë.

Dalina – Kush ishte klienti yt i pare?

E. – Një djalë 26 vjeç nga Luksemburgu. Ai tashmë sa herë vjen këtu, më kërkon mua dhe kam 6 vjet që e njoh.

Dalina – I shkove ti makinës, apo ndaloi ai tek këmbët e tua?

E. – Jo ai. Në fakt ai as e kishte ndërmend të ndalonte, por mesa duket i pëlqeva.

 Në atë moment dikush i flet. E. më sqaron se ishte në orar pune dhe duhet ta mbyllte. Sapo i kishte ardhur një klient. E lamë të flisnim të nesërmen (4 Gusht) në mëngjes, kur ajo të ishte e qetë.  Në orën 9:45 e telefonoj sërish. Sapo dilte nga apartamenti.

 Dalina – Në ç’orë të nis puna?

E. – Tre vitet e para kam punuar nga ora 9 e darkës në 5 të mëngjesit, por tani e kam ndërruar orarin dhe zakonisht punoj nga ora 11:00 – 20:30.

Dalina – Është vapë tani aty?

E. – Mos e pyet. Është 37 gradë!

Dalina – Po ka meshkuj realisht të interesuar të bëjnë seks në mes të drekës?

E. – Në këtë orë ka shumë punë sepse ne jemi në një zonë ku ka disa fabrika. Ka shumë lëvizje, furgona, shoferë transporti. 70% të punës ne e kemi me punëtorët këtu.

Dalina – Ti shkon në hotele me këta klientë?

E. – Jo këtu nuk funksionon me hotele, por punojmë në parkingjet që janë afër. Pra bëjmë seks në makinë.

Dalina – Lamë përgjysëm natën e parë. Vetëm ai djali nga Luksemburgu ishte klienti yt?

E. – Jo atë natën kanë qënë tre klientë. Unë mbaj mend që kisha me vete një bllok ku kisha shënuar çmimet në gjuhën vendase sepse nuk e njihja. Atë natë nuk kam bërë asgjë siç duhet, sepse nuk dija. Psh. nuk dija kur të kërkonin “komplet”.

Dalina – Çfarë është “komplet”?

E. – Komplet do të thotë seks normal dhe seks oral.

Dalina – Ditën e parë të punës ti ishe esëll? Dmth as alkol, as drogë…Se lexoj herë pas here që shumë vajza e nisin këtë profesion nën efektin e një stimulanti…

E. – Po esëll. Unë nuk pi asgjë, as alkol dhe drogë. S’kam pirë kurrë. Pi dy paketa cigare fatkeqësisht.

Dalina – Sa t’u desh për t’u ambientuar me këtë punë?

E. – Katër muajt e parë kam kaluar një stres shumë të madh. Çdo ditë në mëngjes pija kokrra për gjumë. Kam qënë tmerr. Nga 59 kile, përfundova në 52 kile. E kam bërë shumë herë gati valixhen për të ikur.

Dalina – Po pse nuk ike?

E. – Sepse mendova të dashurin tim në burg. I thashë vetes “Ja mblidh disa para që kur të kthehesh në Tiranë të jetoni të dy në një shtëpi tuajën. Gjithmonë kam pasur ëndërr të kem një pronë timen."

Dalina – Po ca lidhje ka i dashuri yt me ty në këtë pjesë? Ti mund të ktheheshe e të gjeje një punë më të pranueshme si shumë të tjera, pastaj nëse i dashuri kur të dalë nga burgu do të rrijë me ty, është tjetër punë...

E. – Kuptoj, por çdo njeri ka dikë në zemër. Unë jetoj vetëm për të dhe mezi pres të krijojë familje.

Dalina – Kështu që zgjodhe të rrije në rrugë…

E. – Po. Nga zona e afrikaneve, kalova tek zona e shqiptareve. Vetëm se atje ishte shumë më keq. Jam betuar, nuk do të punoj kurrë me shqiptarë.

Dalina – Pse?

E. – Sepse duan ku e ku të ta fusin. Kjo “shoqja” që kishte 13 vjet këtu, më detyroi t’i paguaja çdo ditë 50 euro vetëm që rrija në zonën e saj, pa përfshirë këtu qeranë 800 euro çdo muaj të apartamentit që ndanim bashkë. I paguaja më shumë se 2000 euro në muaj dhe s’po arrija të kurseja.

Dalina – 800 euro qera vetëm ti?!

E. – Po, sepse këtu apartamentet janë shumë shtrenjtë dhe ne e kemi në qendër.

Dalina – Kurioze jam, si i keni çmimet?

E. – 20 Euro veç seksi oral dhe veç seksi normal dhe komplet 30 euro. Ne të rracës së bardhë e kemi më shtrenjtë kuptohet.

Dalina – Të më falësh, se ndoshta s’e mendoja që do ta thoja ndonjëherë këtë por, si shumë lirë më duket…

E. – Kaq janë tarifat për ne të rrugës.

Dalina – Tani, meqë iu fute kësaj pune, të paktën si në çdo profesion dmth, nuk ke kërkuar për më mirë. Eskortë psh. nuk është një punë më e rehatshme?

E. – Provova. Pasi një latin më goditi me shkop bejzbolli në kokë për të më vjedhur lekët.

Dalina – Të goditi me shkop?!

E. – Po. Më mori në një parking dhe më paguante çdo gjysëm ore që unë të mos ikja dhe ai të më mbante në makinë deri kur të largoheshin gocat e tjera. Kemi ndenjur deri në orën 3 të mëngjesit. Pastaj u përpoq të më merrte lekët. Kisha rreth 500 euro. Ne kemi disa çanta të vogla që i mbajmë në mënyrë të tillë që të mos na i tërheqin nga duart. Ai më goditi dhe unë arrita të ikja se pashë një shqiptare dhe i thirra asaj. Njoftova dhe policinë. Unë përfundova në spital me 6 të qepura në kokë.

Dalina – Pas këtij incidenti u trembe dhe kalove në eskortë.

E – Po punova 6 muaj eskortë, por ishte një punë edhe më e keqe. E para, agjensia të mbante shumë përqindje dhe e dyta, puna e rrugës ka shumë rregulla. Kurse kur shkon në dhomën e një hoteli nuk e di se çfarë pret. Pastaj të kërkojnë gjëra nga më të ndyrat e më të çuditshmet dhe mua nuk më pëlqen kjo gjë.

Dalina – Çfarë rregullash keni në rrugë?

E. – Ka një pakt mes gocash që asnjë s’mund ta ulë çmimin apo ta ngrejë si të dojë ajo. Gjithashtu nëse një gocë punon pa mbrojtje, largohet nga zona.

Dalina – Ti gjithmonë punon me mbrojtje?

E. – Unë jam e sëmurë për këto gjëra. Ne bëjmë analizat mjekësore çdo tre muaj dhe nëse ndonjë nga gocat nuk bën, vjen vetë furgoni i Kryqit të Kuq dhe na i bën në rrugë. Plus që unë nga banka kam mundësi edhe për analiza në spital dhe shfrytëzoj të gjithë paketat.

Dalina – Kur e mendoj, puna juaj nuk është aspak higjienike dhe pastaj nuk është vetëm HIV/AIDS, janë shumë sëmundje seksualisht të transmetueshme...

E. – E di dhe jam shumë e kujdesshme, madje nuk prek kurrë një organ mashkullor pa dorashka farmacie. Aq sa edhe pse jam më e reja dhe më simpatikja këtu, kam më pak punë.

Dalina – Pse?

E. – Sepse jam manjake dhe meshkujve nuk u pëlqen të shohin një gocë me dorashka. (Qesh)

Dalina – Pas 6 muajve eskortë u ktheve prapë në rrugë…

E. – Po, por në një zonë tjetër ku jam dhe tani, larg shqiptarëve.

Dalina – Po nuk ke frikë se mund të të rastis ndonjë mashkull i dhunshëm?

E. – Ai klienti nga Luksemburgu më ka dhënë një spray në rast rreziku edhe pse nëse unë e përdor, mund të më fusin 6 muaj në burg. Por deri tani nuk kam pasur nevojë. Dëgjo, ka diçka, problemet krijohen edhe nga vetë prostitutat.

Dalina – Në ç’kuptim?

E. – Po ka psh vajza që zihen me klienët çdo ditë, kurse unë ja bëj të qartë që në fillim. Plus, ajo çfarë unë nuk bëj është të manipuloj.

Dalina – Si?

E. – Shumë vajza në profesionin tim, përpiqen “të lypin” punë, që do të thotë se ato gënjejnë e shpikin historira se si kanë kalamaj pa ngrënë bukë në shtëpi, duan t’i joshin klientët me histori “hallesh.” Kjo është shumë e shpeshtë, kurse unë s’u tregoj asgjë dhe s’kam përse. Bëj punën time dhe kaq.

Dalina – Të ndjej gjatë bisedës sikur je shumë e tërhequr dhe e kthjellët njëkohësisht për atë që bën.

E. – Jam, sepse e mësova shumë herët që të mos shoqërohesha me njerëz sidomos me shqiptarë.

Dalina – Po klientë shqiptarë të janë ofruar?

E. – Ka pasur raste, sepse ne e dallojmë njëri-tjetrin shumë lehtë. Më kanë dalluar e më kanë folur, por unë vë kufjet në vesh e bëj sikur s’dëgjoj. Sa më larg tyre. Jo vetëm unë, por asnjë nga vajzat këtu shqiptare këtu nuk shkon me shqiptarë.

Dalina – Ndoshta sepse siç thashë, jemi dhe vend i vogël, ata të pyesin, flasin…

E. -  Edhe kjo…

Dalina – Cilët janë klientët më problematikë? Apo shqiptarët?

E. – Marokenët dhe ata që vijnë nga Amerika Latine. Janë shumë të papërgjegjshëm dhe të pashpirt, kanë një urrejtje për ne dhe e tregojnë nga mënyra se si na trajtojnë. Këta mundohem t’i evitoj.

Dalina – Ti the që nuk ke aq punë sa disa të tjera në zonën tënde. Dmth themi që ti bën rreth 150-200 euro në ditë.

E. – Zakonisht 600-800 euro…Varet. l

Dalina  - 600-800 euro në ditë? I bie…më shumë se 20 klientë në ditë….Dmth ti shkon me 20 meshkuj të ndryshëm brenda 10 orëve punë!?

E. – Nuk llogaritet ashtu. Kam shumë klientë që më duan vetëm për muhabet. Nuk duan seks. Dhe nuk e ke idenë sa shumë që janë. 

Dalina – Më kujtove një libër të një shkrimtari, Pablo Coehlo “11 Minuta”. Një vajzë si ty tregonte se me shumë klientë thjesht bisedonte...

E. – Çfarë libri është ky? Ku ta gjej?

Dalina – Ti lexon?

E. – Po. Sapo mbarova një libër “Vajza angleze” nga Daniel Silva.

Dalina – E ke kudo Coehlo-n, të sugjeroj ta lexosh sepse do të gjesh veten.  Më thuaj, për çfarë flasin këta klientë?

E. – Për problemet në punë e në familje. Shpesh këta klientë prenotojnë një dhomë në hotel dhe kanë qejf ose të rrimë shtrirë në krevat ose në vaskë dhe flasin pa fund. Më kujtohet kam pasur një klient rreth të 50-tave që fliste e fliste për rreth 3 ore e qante hallet pa pushim sa i thashë: “Dëgjo, më more me tarifë rruge, por do ta kaloj në tarifë psikologu.” (qesh)

Dalina – Po për gjëra të çuditshme në seks të janë ofruar?

E – Po shumë. Kam provuar disa prej tyre, por nuk bëj kurrë seks në grup ose anal. Kam disa rregulla. Ka një listë çmimesh për shërbime të ndryshme. Një herë kujtoj se i kam ecur një djali në trup me këpucë me taka dhe atij iu bë kurrizi vrima-vrima e prapë kënaqej. Unë mezi rrija sepse s’kisha ku të mbështetesha. Ishte një tmerr i vërtetë.

Dalina –Bëtë seks pastaj?

E. – Jo, donte vetëm t’i ecja me këpucë. Ka të tjerë që duan gjëra edhe më të shpifura.

Dalina – Si përshembull?

E. – Urinimi ose edhe më keq…

Dalina – Këto kanë tarifa më të larta?

E – Po u marrim 300 euro për urinim psh. Çfarë nuk sheh...

Dalina – Kthehemi pak tek ty. Me kaq vite punë, do kesh kursyer shumë…

E – Jo dhe aq sepse kam ndihmuar prindërit gjatë gjithë këtyre viteve, kam ndihmuar të dashurin me gjyqet, motrën e madhe e kam pa punë, vëllain e kam të vogël dhe e ndihmoj me lekë për veshje e shkollë, ndërsa motra e vogël ka pasur një problem me njërin nga fëmijët, se ka lindur me vrimë në zemër dhe kam paguar unë të gjitha spitalet.

Dalina – Domethënë ti je bërë kurban për familjen.

E. – Po që kur erdha këtu, e ndava mendjen që këtë do bëja. Nuk është se familja ime ka bërë shumë për mua dhe nuk është se shkoj edhe aq mirë, por është gjaku im dhe do t’i ndihmoj.

Dalina – Po për vete çfarë blen?

E. – Bleva një makinë sepse harxhoja shumë me taksi.

Dalina – Po rroba të shtrenjta blen?

E. – Jo fare. Kur isha në Shqipëri flisja vetëm për firmato, por këtu s’më hyjnë në sy. Vetëm për këpucë shpenzoj se rri gjithë kohës në këmbë.

Dalina – Çfarë ke veshur tani që po shkon në punë?

E. – Një palë pantallona si tutë të shkurtra dhe kanatiere. Por me taka.

Dalina – Vishesh si ato në filma? Se m’u kujtua filmi me Julia Roberts.

E. – Jo. Madje kam qeshur me lot sepse një herë na erdhi një furgon që shiste rroba për ne. U afrova dhe pashë vetëm ca si rrobabanjo tanga, ca minifunde me shkëlqim dhe i them atij: “Po këto janë rroba prostitutash!” Pastaj u kujtova që unë punoj në rrugë (Qesh).

Dalina – Jeton në një nga qytetet më të bukur të botës. A e shijon atë vend?

E. – Të dielave kur jam pushim dal. Shkoj shoh gjithë muzeumet se kam edhe një kartë rinie dhe paguaj çdo gjë me gjysëm çmimi.

Dalina – Me kë del?

E. – Kryesisht vetëm. Nuk shoqërohem me njeri. Kam vetëm një shoqe shqiptare nga veriu me të cilën flas. Të tjerët i evitoj. Nuk dal as në darkë, nuk takoj dhe nuk u jap kurrë shans njerëzve të më njohin.

Dalina – Edhe shoqja punon si ty?

E. – Po, por e shkreta është lidhur tani me një algjerian dhe ai e keqtrajton. Pi alkol dhe ajo mirë që del në rrugë akoma, por tani duhet t’i ndajë lekët me të.

Dalina – Sa vjeç është?

E. – 22 vjeç. Vjen nga një familje me shumë probleme. I ati e braktisi dhe krijoi familje në Greqi. Kur u kthye vetëm e rrihte atë dhe të jëmën aq sa e denoncuan në polici se desh i vrau.

Dalina – Të gjitha gocat këtu shqiptare kështu janë…me probleme në familje?

E. – Po të gjitha. Dëgjo, ndonjëherë falenderoj Zotin që më ka lënë me kaq. Kam një shoqen time që e kam pasur në gjimnaz. Femër më të bukur s’kam parë ndonjëherë. Atë e detyroi familja të martohej me një burrë shumë më të madh se vetja dhe ai e ka nxjerrë në rrugë me zor në një shtet tjetër, e rreh, e masakron. I kam thënë që të vijë tek mua të rri ca ditë e pastaj të kthehet tek prindërit, po ai e kërcënon që do t’i vrasë motrën e vogël. Është kaq i tmerrshëm. Dëgjon histori vërtet të dhimbshme dhe të vjen kaq keq…

Dalina – Nuk është se po flitet më për vajzat shqiptare në rrugët e Europës si dikur. Vijnë më vajza shqiptare?

E. – Sa të duash. Të të gjitha moshave. Këtu përshembull punojnë edhe  nënë e bijë; nëna 50 vjeç, vajza 30. Ka plot që vijnë nga të gjitha rrethet; Durres, Elbasand, Fier, Shkodër...sepse janë shumë të varfra. Dikur fajësoheshin edhe djemtë që i trafikonin me zor, por tani vijnë vetë.

Dalina – Po në Shqipëri je kthyer?

E. – Po kam ardhur sa herë i dashuri merr leje nga burgu.

Dalina – Ai e di se çfarë bën ti?

E. – E di. Më ka thënë shpesh që hiq dorë. Atij i dhemb në shpirt, por e ka kuptuar që unë e kam ndarë mendjen të lë ca lekë mënjanë dhe e di shumë mirë që zemrën e kam vetëm për të.

Dalina – Kur ishte hera e fundit që të shijoi seksi?

E. – Kur e bëra me të.

Dalina – Po çfarë mendon kur bën seks me klientë?

E. – Asgjë, shoh vetëm orën…

Dalina – Duhet të kesh pasur edhe plot klientë të bukur, çuna të rinj…nuk ke menduar ndonjëherë që mund të kesh ndonjë shans –

E. – Jo kurrë. Nuk më hyn njeri në sy. I kam vënë një mur vetes dhe këtë që bëj e trajtoj thjesht si një punë. Dua vetëm të dashurin tim.

Dalina – Ka rënë ndonjë në dashuri me ty?

E. – Oh mos ma kujto. Një burrë rreth të 50-tave më vinte me lule poshtë pallatit dhe madje njëherë ma kishte dekoruar gjithë makinën time me lule. Më vjen të qesh.

Dalina – Meqë je e zanatit (qesh), në Shqipëri dëgjon shpesh që njerëzit të ankohen, jo vetëm nëpër kafene e familje, por edhe në media “Është përhapur prostitucioni në masë… Goca që rrijnë me burra të martuar apo burra në moshë të madhe për lekë” etj etj…Ti duke u nisur nga pozicioni yt aktual, i gjykon këto vajza?

E. – A t’ju them një gjë për të qeshur fillimisht. Erdha një herë në Tiranë dhe mora me vete një mikeshë romune. Dolëm dhe ishim ulur në një kafe diku në qendër. Ishte pasdite. Shoqja ime  më tha direkt: “Ua më ke sjellë tek zona e kuqe!?” Ajo pa goca që vishen si ne kur rrimë në rrugë dhe kujtoi se ishin prostituta. Se ne po të na shohësh jashtë pune, jemi të gjitha shumë të thjeshta; pa grim, me xhinse, atlete, bluzë normale. Nuk kuptohemi fare që jemi punonjëse seksi.

Dalina – Kemi thjesht vapë, nuk i the? (qesh)

E. – Unë nuk gjykoj dot femrën, sepse e di vetë nga eksperienca ime dhe e shumë vajzave që kam njohur këto vite, se në ç’kushte të vështira rriten. Nuk mund të them as që puna që bëj unë është zgjidhja më e mirë e imja. Por ama gjykoj ato vajza që prishin familje, duan të shkatërrojnë martesën e dikujt, jetën e fëmijëve. Unë familjen e kam të shenjtë.

Dalina – Po mirë ai burrë që është i martuar shkon njësoj jashtë martese si me ty, ashtu edhe me ato ato të tjerat.

E. – Dëgjo, ne nuk mbajmë peng asnjë. Ne e kemi të qartë çfarë duam dhe klienti e ka të qartë se kush ne jemi. Ai mbaron punë me mua dhe unë as nuk dua t’ja di se ç’fëmijë ka, ç’grua ka, sa lekë ka, ku punon etj. Për ne është thjesht një punë.

Por ti futesh një martese me qëllimin e vetëm që të përfitosh financiarisht dhe duke u përpjekur të shkatërrosh atë martesë, e ndërkohë të hiqesh sikur e dashuron atë njeri për aq kohë sa ai të jep lekë, kjo për mua është e pamoralshme.

Dalina – Çfarë quan kurvë ti?

E. – E bisedojmë shpesh këtu me njëra-tjetrën. Për mua “Kurvë” është një femër që kërkon të bëj keq. Një vajzë që qëllimisht ndërhyn në një familje, një vajzë që bën kompromise për të jetuar pa dashuri me një plakaruq vetëm për lekët.

Dalina – Po kompromis bën dhe ti. Nuk jeton me një plakaruq, por shet trupin tend...

E. – Mund të duket e çuditshme, por unë e quaj më të ndershme punën time. Me këtë punë ndihmoj të gjithë familjen time dhe në fund të ditës shoh punën time dhe mund të shes trupin, por nuk e shes veten për dikë tjetër. Nuk kam instagram, nuk mburrem me firmato mijëra euro e të bëj sikur i kam fituar me punë zyre…

Dalina – Po ti prapë gënjen…Se askush në Shqipëri nuk e di se çfarë bën…

E. – Sepse puna ime është shumë e rëndë për t’u mirëkuptuar. Unë thënë shkoqur jam prostitutë dhe jam në profesionin më të vjetër dhe më të paragjykuar në botë. Por të paktën nuk gënjej veten. E di çfarë po bëj dhe e di se përse.


Dalina – E ndjej që teksa lexojnë këtë intervistë, ka shumë gra që ulërasin përbrenda: “Po pse s’e lë moj!? Kur do ta lësh?!”

E. – Dua të filloj shkollën këtë shtator. Do ta vazhdoj dhe pak sa të mbledhë lekët e mjaftueshme, për tu kthyer më pas në Tiranë.

Dalina – Je e sigurt?

E. – Po shumë e sigurt. Dhe sapo të dalë i dashuri nga burgu dua që të jetoj me të e të bëjmë një fëmijë.

Dalina – Çfarë ndodh me gocat shqiptare në profesionin tënd. Kur e lënë? Si e lënë?

E. – Një që njoh unë është njohur me një vendas, ka krijuar familje dhe punon si dado. Ka shumë gra shqiptare që kanë përfunduar keq, sidomos ato që e kanë nisur keq jetën, duke braktisur fëmijët e tyre. Nëse braktis fëmijën, ç’dreq njeriu mund të jesh? Kam njohur edhe një ruse që përfundoi në karrocë me rrota sepse bënte shumë drogë.

Dalina – Beson në Zot?

E. – Shumë.

Dalina – Tani kemi bërë gjithë këtë bisedë të gjatë dhe kam frikë se duke qënë se ti je treguar shumë e ftohtë dhe e kthjellët gjatë rrëfimit, ndonjë vajzë, diku në një qytezë a fshat, e strukur në dhomën e saj, në një familje me probleme, në varfëri, ka nisur të mendoj një rrugëzgjidhje si kjo që bërë ti. Kam frikë se kur lexon këtë intervistë mund t’i thotë vetes: “S’qenka dhe aq keq”.

E. – Arsyeja që i shkruajta Anabel-it është pikërisht kjo, që t’u them gocave të tjera që as mos ta mendojnë këtë punë. Më mirë të jetojnë me pak, me një punë modeste, por të flenë të qeta, se në këtë mënyrë të fëlliqtë. Herët a vonë kjo lloj zgjedhjeje të godet rëndë. Edhe pa dhunë, është një punë e dhunshme.

Dalina – Të ka rrënuar kjo lloj pune psikologjikisht?

E. – Kam dy vjet që shkoj rregullisht tek një terapiste (qesh).  E di si i them të dashurit: Ti je në burg mes katër mureve, por unë jam në rrugë dhe më e burgosur se ty, sepse nuk ndihem e lirë.

Dalina – Është një nga bisedat më interesante që unë kam bërë ndonjëherë. Jo sepse po flas me një punonjëse seksi, sepse të tilla intervista gjen plot në internet, por sepse gjatë gjithë kësaj kohe kam biseduar me një vajzë që pavarësisht zgjedhjes së saj, nuk ka mllefe, nuk fajëson askënd, je kaq e artikuluar dhe ke një lloj optimizmi nga mënyra se si flet….Sa më vjen tmerrësisht keq që një gocë si ty që jam e sigurt se mund të bëhej shumë gjëra, zgjodhi këtë rrugë

E. – E di…

Dalina – Të të pyes prapë: Do ta lësh këtë profesion?

E. – Unë jam këtu vetëm prej famljes dhe të dashurit. Sapo ai të dalë nga burgu…

Dalina – Po sikur ai kur të dalë, më fal për shprehjen të të thotë : “Ik p*rdhu, sepse unë nuk marr për grua një prostitutë! Sepse burgu është një realitet krejtësisht ndryshe nga bota jashtë dhe i burgosuri rri atje me mendimet e veta e nuk ka aq ndikime sa ç’ka jashtë.

E. –E kam menduar edhe këtë . Nuk jam as në qiell e as në tokë pikërisht se mund të ndodhë edhe kjo. Por deri tani është ajo dashuri e ai njeri  dhe ajo familje që më kanë mbajtur me këmbë në tokë, këtu ku jam e kështu siç jam.


Dalina – Fillo mendo për veten. Do të bëhesh kurban gjithë jetën?

E. – Ke të drejtë….Do ta bëj.

E. parkoi pranë zonës së saj. Kishte shkuar ora 11 dhe i duhej “të futej në rol”. Më vonë më dërgoi në whatsapp disa foto të saj (natyrisht që nuk mund t'i publikoj). 25-vjeçarja ishte e bukur, me trup të imët dhe pa kurrfarë grimi e pamjeje “klasike” prej punonjëseje seksi. Teksa shihja fotot, fotot e një vajze tërheqëse, me kaçurrela të zeza, me lëkurë të porcelantë dhe buzë të plota - që kurrsesi, po ta shihje në Tiranë, nuk do të të shkonte në mendje se bënte këtë profesion - mendova se sa poshtërohet një vajzë e tillë që nuk i prish punë askujt (përveç vetes së saj) dhe sa lartësohen e duartrokiten “kurvërimet” e vërteta.

E kam fjalën për ata që kurvërojnë  integritetin. E. shet trupin në këmbim të lekëve, por me mijëra të tjerë shesin ëndrrat dhe pasionet për një jetë më të rehatshme, shesin trupin dhe shpirtin në një marrëdhënie të dhunshme, vetëm për sigurinë financiare; të tjerë shesin mirësi për të përfituar. Ka me mijëra të rëndomtë që shesin të dashurit, familjarët, fëmijët në këmbim të lekëve. Në Instagram shumë vajza shesin jetë të rreme për disa likes më shumë nga adoleshentë të trishtuar që mësojnë se si të shiten edhe ata më vonë me pamje, për të patur dhe ata një jetë të rreme si të idhujve të tyre. Natyrisht, politikanët shesin premtime që nuk i mbajnë, shesin patriotizëm e atdhedashuri që nuk e kanë. Shumë fetarë shesin moralin që e shkelin nga mëngjesi deri në darkë.

E. shet trupin në këmbim të lekëve atje në parkingjet e një metropoli europian; ndihmon familjen, njeriun e zemrës dhe kursen për një ëndërr që ka: “Të krijojë një familje e të ketë një pronë të sajën në Tiranë.” E. e di shumë mirë se kush është dhe çfarë nuk do të jetë. Ndoshta e kemi të vështirë ta duartrokasim e të përkrahim, por s’kemi përse t’i poshtërojmë këto vajza e gra që zgjedhin të punojnë në rrugë. Për aq kohë sa nuk ndikojnë tek ne sa “kurvërimet” e vërteta e të rrezikshme të shoqërisë dhe politikës. Mjafton t’i mirëkuptojmë, e kur lyp nevoja, t’i ndihmojmë të ri-integrohen .

 

*Vëmendje portaleve: Ndalohet kategorikisht kompjimi, ri-prodhimi (qoftë edhe me burim të cituar) i këtij materiali, pa lejen me shkrim të redaksisë së Anabel.al. 

Dalina Buzi
Kryeredaktore

Artikuj të ngjashëm

. .