CEO i Amazon, Jeff Bezzos ka rrëzuar nga froni Bill Gates, dhe është tani personi më i pasur në botë, me një pasuri që tejkalon 90 miliardë dollarët. Është hera e parë që kjo ndodh, pasi Bill Gates ka qenë në krye të listës prej vitesh.
Kur u hapën bursat të enjten në mëngjes, Bezos kishte një vlerë prej 90.6 miliardë dollarësh, 500 milionë më shumë sesa krijuesi i Microsoft, Bill Gates. Stoku i Amazon u hap me 1.6% të enjten, duke i shtuar vlerës së Bezos 1.4 miliardë të tjera. Kjo ishte mjaftueshëm që ai t’i zinte vendin Gates-it. Herën e fundit që diçka e tillë ndodhi, ishte një vit më parë, kur manjati i tekstileve Amancio Ortega, tejkaloi Gates-in për rreth dy ditë.
Bezos është personi i shtatë që mban titullin “më i pasuri në botë”. Ky pozicionim nuk do të ishte i mundur, nëse Gates nuk do të kishte dhënë shuma marramendëse të pasurisë së tij për bamirësi e filantropi.