Dashuri dhe seks > Ndarja

Larg syve, larg zemrës: Këto ish-çifte të njohura shqiptare e vërtetuan!

Këtë muaj, Albi Nako dhe Klaudia Pepa konfirmuan lajmin se janë ndarë. Gjatë kohës kur Klaudia ishte balerinë e trupës së “TV Klan”, mes tyre lindi një marrëdhënie që do të zgjaste për vite me radhë, e cila u kurorëzua me një dasmë live tek “E Diela Shqiptare” në 2013-ën.

Dy vjet më vonë, Klaudia Pepa mori pjesë tek “Amici” ku doli e dyta në balet dhe vendosi të qëndronte në Itali. Siç edhe thanë vetë, martesa e tyre u mbyll me mirëkuptim.

Prej kohësh përflitej se largësia kishte sjellë një krizë në çift. Ndonëse herë pas here Albi e vizitonte në Itali, shumicën e kohës qëndronin larg njëri-tjetrit.

Rreth 7 vjet më parë, një prej çifteve më jetëgjatë të skenës shqiptare asokohe, Pirro Çako dhe Inva Mula, shpallën divorcin. Ndër të tjera, ish-partnerët kanë treguar se momenti vendimtar ishte kur Pirro Çako vendosi të kthehej nga Parisi në Shqipëri, për të vazhduar karrierën si kantautor. Albumi i tij i rikthimit “Herët apo vonë” ishte një sukses, por ardhja në Shqipëri solli ndarjen përfundimtare mes çiftit që kanë edhe një fëmijë, Anthony-n.

“Unë vendosa të kthehem në Shqipëri kur gjërat shkonin më së miri në familjen time”, u shpreh Pirro atëherë për “Panoramën”.

Pas kësaj, ndarja nuk vonoi.

Ngjashëm, edhe Soni Malaj u nda në 2015-ën nga ish-bashkëshorti Mirko Luccareli, pas 4 vitesh martesë. Ata kanë një vajzë, Annën. Sikurse edhe rrëfeu më vonë Soni, shkak u bë largësia, pasi Mirko jetonte në Romë kurse ajo, në Tiranë.

Po kështu ndodhi edhe me modelen Xhesika Berberi, e cila vitet e fundit i ka kaluar në SHBA për të ndjekur karrierën si modele. Këtu, kishte një marrëdhënie të gjatë me të dashurin e saj, Evaldin, por në tetor u ndanë. Sipas miqve, ata po përjetonin një ftohje për shkak të largësisë.

Është e qartë se, edhe sikur burimi i vërtetë i krizave në çift të kenë qenë probleme të tjera, kur komunikimi bëhet vetëm përmes telefonit dhe Skype-it, është e vështirë të tejkalohen.

Siç shkruan “Complex”, një prej problemeve më të mëdha të lidhjeve në distancë është menaxhimi i komunikimit. Ekspertët e marrëdhënieve shpjegojnë se ndjesia e ankthit, frika nga ndarja, bëjnë që çifti të kërkojë ta kompensojë mungesën e njëri-tjetrit duke planifikuar një komunikim të përditshëm, me orare dhe rrugë të përcaktuara si përshembull: në mëngjes dhe në drekë përmes telefonit kurse në darkë, në Skype.

Por me kalimin e kohës, komunikimi humbet natyrshmërinë dhe mund të bjerë në vorbullën e monotonisë, ku partnerët vazhdojnë të flasin për inerci ose thjesht sepse ndihen të detyruar.

Një tjetër burim përçarjesh është, siç mund ta keni dëgjuar ose përjetuar vetë, ndjesia se po e perceptoni jetën ndryshe. Është e vërtetuar se ambienti ku jetojmë na ndryshon, kështu që nuk është çudi që pas ndarjes, çiftet që kanë përjetuar lidhje në distancë të thonë: “kuptuam se nuk ishim më të njëjtët.”

Stili i jetesës nga një vend në tjetrin ndryshon shumë; secili e krijon ditën ndryshe dhe dëshira për t’iu përshtatur shoqërisë së re dhe ambientit na bëjnë të duam të shkëpusim lidhjet me të shkuarën, ndër të cilat përfshihet edhe një partner me të cilin ke kaluar kohën në vendin ku ke jetuar më parë.

Dhe si për t’i vënë kapakun, mungesa e marrëdhënieve intime dhe çasteve të kaluara bashkë, e vështirëson tejmase lidhjen. Siç dihet, gjatë aktit intim trupi çliron serotoninë ose siç quhet ndryshe “hormoni i lumturisë”. Kur përjetojmë ngritje të niveleve të tij ndihemi optimistë, në humor të mirë. Dashuria nuk është asgjë më shumë sesa lumturia pasi ke kaluar çaste intime me dikë por, kur këto janë të pakta, s’mund të fajësojmë trupin nëse kërkon nxitës të serotoninës diku tjetër.

Thënë të gjitha këto, ekspertët e marrëdhënieve nuk e përjashtojnë asnjëherë mundësinë që lidhjet në distancë të funksionojnë. Megjithatë, edhe nëse zgjat me vite, është një pritje e përmalluar e ditës kur më në fund, do të bashkoheni për të jetuar bashkë përherë.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm