Shqiptarët janë në të gjithë botën. Ca nga halli e ca nga qejfi, fakt është që shqiptarë mund të gjeni në vendet më të paimagjinueshme, përfshirë këtu edhe destinacionet më luksoze dhe ekskluzive të botës, dhe jo një, por disa herë në vit. Sepse shqiptarët janë qeflinj dhe më poshtë kemi gjithë provat e duhura për t’ju bindur.
Mykonos
Nuk e morëm vesh nga na erdhi, po prej 2 vitesh Mykonos është kthyer në destinacionin e preferuar të shqiptarëve. Së fundmi ishulli grek mblodhi bashkë Elvana Gjatën dhe Emina Cunmulajn, që me ç’kuptuam nga fotot e servirura në rrjete sociale, janë argëtuar shumë mes luksit, rehatisë dhe ushqimit të mirë që ofron vendi fqinj.
Frymëzuar nga Kendall Jenner dhe Bella Hadid, edhe dy shqiptaret zgjodhën të pushojnë tek ‘Nammos’, vendi më ekskluziv në Mykonos, shpallur dhe club-i më i mirë në botë për vitin 2017-të. Plazhi në jaht ose në cabana-t private jo më kot e kanë kthyer ‘Nammos’ në zgjedhjen e preferuar të njerëzve të pushtetshëm nga e gjithë bota, përfshirë këtu edhe Lori Hoxha apo Viola Spiro, edhe pse çmimet janë pak...khë khë...të kripura.
Capri
Ne votojmë që të bëjmë Endrit Mërtirin kryebashkiak të Capri-t, se pas seteve fotografike të modeleve të tij në ishullin italian, ka patur dyndje të papara të shqiptarëve drejt shtetit fqinj. Sikur të mos mjaftonin pushimet në Meksikë, Marina dhe Getoari u kthyen për të marrë ca ditë të tjera pushim në Capri.
Dhe tani edhe Armina Mevlani ka ndërmend të shkojë të vizitojë jugun e Italisë, sepse përse jo?
Panoramat fantastike, ushqimi i shkëlqyer dhe sfondet e papara për foto ku të gjithë mund të duken si modelet e Dolce&Gabanna, na thoni një arsye për të mos shkuar në Capri...sigurisht përveç çmimeve të shtrenjta. Këta shqiptarë nuk e vrasin mendjen për çmimet. Fundja ç’janë 150 euro për çadrën?
Ibiza
Ibiza është për qeflinjtë. Muzikë me zë të lartë, festa 24 orë, alkool, ushqim të mirë, çmime të larta, vendi ideal për të pushuar për Angela Martinin dhe të dashurin e saj, miliarderin rumun, Dragos Savulescu.
Nëse do të pyesnit dikë që ka qenë për t’ju rekomanduar një hotel të mirë dhe plazh me gjallëri, me siguri do t’ju përmendnin ‘Ushuaia’-n dhe jo më kot. Sepse atje bëhet nami dhe nëse nuk ke bërë një foto atje, ti nuk vlen!
Miami
Nëse deri pak vite më parë shqiptarët ëndërronin të shkonin në New York apo Las Vegas, tani të gjithë po dynden drejt Miami-t dhe Los Angeles. Lori Hoxha shkon në Miami, Marina dhe Getoari ndejtën në Miami. Vendi ideal për të jetuar më të mirën e të dyja botëve, plazhin dhe gjallërinë e qytetit.
Ne na dhemb koka vetëm duke menduar çmimin e biletës, jo më të rrimë, ndërsa këta personazhe jo vetëm që kalojnë atje një kohë relativisht të gjatë, por sigurojnë dhe dhoma me peizazhe fantastike. Si dreqin ia bëjnë?
Tajlandë
Në momentin që ne flasim Floriana Garo po pushon në Tajlandë bashkë me të fejuarin e saj, Aurela Hoxha ishte në Tajlandë në janar të këtij viti dhe ne me shumë siguri do jemi në Tajlandë në dhjetor të 2035-ës.
Resortet luksoze, vilat dhe plazhet e mrekullueshme ofrojnë gjithë qetësinë dhe intimitetin e munguar gjatë vitit, në këmbim të një çmimi të majmë që jo të gjithë mund ta përballojnë.
Londra
Londra mund të duket më e prekshme krahasuar me vendet e lartpërmendura, por nuk është aspak më e lirë, aq më tepër nëse zgjedh të shkosh 3-4 herë në vit.
Këtë bëjnë shqiptarët e pasur, që sa herë lodhen nga monotonia e jetës në Tiranë, arratisen drejt Mbretërisë së Bashkuar për pak ‘ndryshim klime’. Vizitat në Londër shoqërohen me frekuentimin e restoranteve më të mira të sushit, apo me një rinovim të shpejtë garderobe në të gjithë dyqanet e markave më prestigjioze. Jemi që jemi këtu dmth.
Dubai
Ose Dubai ka ulur çmimet, ose njerëzit janë bërë më të pasur. Si mund të shpjegohet ndryshe që shqiptarët po ikin në Dubai a thua se po shkojnë në Turqi?
Një nga destinacionet më luksoze në botë pret gjithnjë e më shumë shqiptarë mes tyre dhe shumë personazhe të njohur. Nga t’ja fillojmë: Noizy ishte me familjen në Dubai, Ledina Çelo po ashtu, Adelina Tahiri, Lori Hoxha (sigurisht) e shumë e shumë të tjerë.
Burj Al Arab është hoteli më i shtrenjtë në Dubai, çfarë janë 24 mijë dollarë për një natë të mes të luksit të çmendur?