Dashuri dhe seks > Martesa

Nëse s’bini dakort për këto 9 gjëra, as mos e mendoni martesën!

Kur gjeni atë të duhurin, herët a vonë,  mendja ju shkon tek martesa. Është ndjesia më e bukur në botë, këtu biem dakort. Ama, duhet pasur kujdes. Martesa nuk është gjë e pakët dhe betimi bëhet për përjetë, pavarësisht ç’ndodh rrugës. Përpara se të merrni një hap madhor si puna e këtij, duhet të dini nëse ti dhe partneri mund të diskutoni lirshëm për nëntë tematikat e mëposhtme. Në të kundërt, na vjen keq, por ju pret një martesë e palumtur.

Punë parash
Të flasësh rreth parave është pak e sikletshme, por mbetet e nevojshme. Ju do të ndani jetën bashkë, kështu që është e domosdoshme të dini në po ndani edhe borxhe apo vese të pashëndetshme. Duhet të flisni rreth mënyrës si i menaxhoni paratë, a kurseni dhe sa kurseni, llogaritë e përbashkëta dhe të tjera në po këtë linjë. Gjërat e rëndësishme duhen bërë në fillim, prandaj nisni me këtë. Jini të kujdesshëm, ama.
Fëmijë ose jo
Shumë prej çifteve të reja në vend duan fëmijë. Mund të ndodhë që ti ose partneri yt të jeni nga ata që thjesht s’e imagjinoni dot veten prindër. Të tilla konflikte janë shkatërruese për një çift dhe nëse s’bini dakort qoftë për a do të bëni fëmijë apo jo, sa do të bëni apo ç’mendoni për abortin, polemikat do të jenë fundi i martesës tuaj.
Debatet dhe konfliktet
Disa grihen dhe hahen sy për sy, disa bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh. Debatet janë të pashmangshme në çdo çift, por ajo që duhet diskutuar është mënyra si debatoni. A ziheni duke ngritur zërin, bëni diskutime konstruktive, thjesht nuk flisni? Të tilla gjëra duhen ditur për të shmangur shkallëzime të mëtejshme të konfliktit.
Hapësira personale
Sado të afërt të jeni ju si çift, çdokush ka nevojë për hapësirën e tij personale dhe kjo s’është diçka për t’u keqkuptuar. Ti ose partneri mund të duash të rrish vetëm për pak kohë, të udhëtosh vetëm, ose thjeshtë të dalësh pa gjysmën tënde. Një kërkesë e tillë nga hiçi mund të jetë bazë për konflikt dhe dyshim, prandaj flisni hapur dhe qartazi për nevojën tuaj për të qenë vetëm.
Dëshira seksuale
Jo vetëm oreksi juaj seksual, por edhe çfarë klasifikoni ju si tradhëti. Duhet folur me partnerin ç’lloj personi jeni: nga ata që është i eksituar shtatë ditë të javës apo shtatë ditë të muajit, jeni aventurierë apo klasikë. Gjithashtu, do të hasni probleme madhore nëse nuk i bëni limitet e qarta për ç’quhet tradhëti dhe çfarë jo.
Stili i jetesës
Nëse ti je nga ata që s’u rrinë këmbët dhe s’kanë lënë vend pa bredhur, ndërsa partneri jot është i shtruar dhe ka jetuar në të njëjtin qytet gjithë jetën, njëri nga ju do të ndihet i palumtur, herët a vonë. Diskutoni ç’mendoni për stabilitetin dhe lëvizjen, si doni t’i kaloni fundjavat, pushimet, emigrimi dhe çdo gjë të kësaj natyre.
Shëndeti mendor
Depresioni, ankthi dhe numri i vetëvrasjeve janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në Shqipëri dhe gjithmonë e më shumë të rinjtë janë bërë më të ndërgjegjshëm rreth shëndetit mendor. Pikëpamjet tuaja në këtë tematikë duhet të jenë në sinkron, përndryshe mund të gjendeni në situata të pakëndshme dhe s’do të hasni mbështetjen e partnerit në mjekim, vizita apo terapi.
Përjetësisht
Nëse po konsideroni martesën, ndoshta është më mirë të ktheni sytë dhe të reflektoni nëse jeni vërtetë simpatizantë të lidhjeve dhe a e shihni dot veten me të njëjtin person për gjithë pjesën tjetër të jetës. Si planifikoni ta bëni partnerin të lumtur? Si i rezistoni tundimit? Ç’është martesa për ju?
Sinqeriteti rreth ndjenjave
Duket si diçka që s’do mend, por është vërtetë e rëndësishme. Para se të martoheni me dikë, duhet të jeni të gatshëm t’i thoni me gjithë sinqeritetin e mundshëm si ndiheni. Qoftë dashuri, admirim, lumturi, inat, neveri apo bezdisje. Për sa kohë nuk jeni të pasjellshëm, partneri do t’ju dëgjojë.

Artikuj të ngjashëm

. .