Moda > How to wear

Veshje që s’do t’i hiqni nga trupi këtë verë dhe vjeshtën që po vjen!

Njihuni me gjashtë veshjet që s’do t’i hiqni nga trupi për dy stinë rresht, sepse janë të rehatshme, të trendeve dhe super të bukura.

Vera në Shqipëri është sikur të jetosh 2 metra nën diell dhe të gjesh veshjen e duhur është një ndër gjërat më të rëndësishme, nëse s’doni të djersisni për vdekje rrugëve. Shto edhe faktin që të gjithë punojmë në verë, duhet gjetur diçka që përshtatet për ambientin e punës. Njihuni me gjashtë veshjet që s’do t’i hiqni nga trupi për dy stinë rresht, sepse janë të rehatshme, të trendeve dhe super të bukura.

Një fustan me gjatësi mesatare
Një alternativë interesante në vend të fustaneve mbi gju që veshim shpesh. Roza e lehtë është perfekte për verën dhe prerja e lirshme nuk do t’ju bëjë vapë. Jaka e prerë dhe rripi i copës i japin stil fustanit, ndërsa gjatësia dhe shpatullat e mbuluara e bëjnë të përshtatshëm për çdo ambient pune. Visheni me këpucë të sheshta nudë dhe bizhuteri metalike gjatë javës ose me sandale stil gjatë fundjavës.
Fund me pala korrenti
Një fund i lirshëm, i lehtë për t’u veshur dhe i rehatshëm. Prerja do t’ju komplimentojë belin dhe do të tërheqë vëmendjen nga këmbët tuaja. Ndërsa e kuqja është një ngjyrë e ndezur që sjell në jetë çdo bluzë që mund të zgjidhni.
Pantallona në ngjyrë të ëmbël
Pantallonat tuaja tipike mund të bëhen të mërzitshme dhe ndoshta pak të rënda për stinën, kështu që zgjidhni një alternativë më të lehtë. Linjat e pastra dhe hekurosja i jep pamjes një seriozitet, ndërsa beli elastik do të thotë që do t’ju rrinë shumë mirë. Kombinojeni me ngjyre të tjera pastel dhe të bardhë dhe visheni me bluzën tuaj të preferuar dhe balerina.
Këmishë më mëngë të gjëra
Trendi më në zë i momentit janë mëngët si këmbanë. Mund të vishet me çdo gjë dhe i jep interes gjithë veshjes. Një fund i ngushtë, pantallona zyre ose thjesht xhinse. Zgjidhni një këmishë pambukur për të ndenjur freskët gjatë vapës.
Këpucë me takë katrore
Çizmet janë protagonistet e dimrit, këpucët me takë katrore janë të verës. Kanë mjaftueshëm takë për t’u ndjerë të veshura mirë, dhe për të mos ju bezdisur kur ecni. Ngjyra si bezhë ose rozë e lehtë nuk do të rëndojë garderobën tuaj dhe taka me motive i jep këpucës veçanti.
Trupore me prerje të drejtë
Kur xhinset e ngushta dolën nga moda, ishte e pritshme që çdo lloj pantalloni tjetër do të kishte prerje të drejtë dhe lisho. Kjo lloj truporeje do t’ju theksojë belin dhe do ju mbajë lirshëm dhe freskët gjatë drekave. Zgjidhni një ngjyrë të errët që ta vishni dhe ditën, dhe natën. Në punë mund ta vishni me të sheshta elegante ose këpucë me lidhëse për darkave.

Artikuj të ngjashëm