Si jetojmë > Out and About

Si t’i shpëtoni vapës në Tiranë: 10 pishinat më ekskluzive të kryeqytetit

Arratisja juaj e ëmbël në fundjavë.

Me gjithë angazhimet gjatë stinës së verës, ende pa marrë pushimet ndodh të na mbeten vetëm pak orë të lira në fundjavë për të pushuar. Dhe meqë detin s’e kemi te këmbët, pishinat mbeten alternativa më e mirë dhe më komode për t’i shpëtuar vapës rraskapitëse.

Për t’jua bërë më të lehtë zgjedhjen e destinacionit për të pushuar në fundjavë, po ju listojmë 10 pishinat më të mira në Tiranë. Ambientet më ekskluzive të kryeqytetit nuk ofrojnë vetëm pamje fantastike dhe arkitekturën moderne, por kanë dhe klientelë të përzgjedhur, kështu mund të shijoni një pije në qetësi të plotë në buzë të pishinës dhe t’ju duket sikur keni pushuar një fundjavë të tërë në jug.

Bujtina e Gjelit
Një oaz fantastik në Tiranë, ku veç pishinës mund të shfrytëzoni edhe restorantin apo hotelin.
Sheratoni
Pishina ndodhet në pjesën e mbrapme të hotel “Sheraton”. Frekuentohet nga klientët e hotelit dhe persona të tjerë, kryesisht personazhe të politikës apo biznesit që duan të relaksohen larg vëmendjes së njerëzve. Nëse nuk ke abonim, me 20 euro personi, mund të kalosh gjithë ditën aty.
Long Hill
Pishina në kompleksin Long Hill është përgjithësisht për banorët, por shfrytëzohet edhe nga njerëz të tjerë që duan të pushojnë në qetësi në një zonë private.
Mondial
Pishina në tarracën e hotel “Mondial” jo vetëm ofron intimitet, por dhe një super pamje të Tiranës.
Rogner
Kujt ia merrte mendja që një vend i tillë ndodhet në qendër të Tiranës. Në ‘Rogner’ pishina është e rrethuar me gjelbërim, sikur pushon në resorte luksoze në vende bregdetare. Po në fakt nëse del jashtë hotelit përballesh me makinat dhe ritmin e jetës së kryeqytetit. Pishina është për klientët e hotelit, prandaj nëse s’keni abonim apo nuk po qëndroni në hotel, çmimi është 20 euro personi.
Iliria Palace
Rrugës për në Pezë, Iliria Palace ofron një super pishinë, larg zhurmës së qytetit. Përballë një ndërtese kaq luksoze, zëre se po pushoni në resortet me 5 yje në Turqi.
Parku Ashik
Në mes të gjelbërimit dhe qetësisë, pishina tek parku Ashik do ju karikojë me energji për gjithë javën.
Jurgen
Rrugës për në Dajt do gjeni pishinën me pamjen më fantastike të Tiranës. Një mrekulli gjatë ditës dhe gjatë natës që gjatë ditëve të nxehta të verës bëhet shpëtimi i vetëm i të rinjve dhe çifteve që duan t’i arratisen qytetit.
Chateaux Rexhekri
Po rrugës për në Dajt, mund të relaksoheni në pishinën e Rexhekrit, njëkohësisht të përdorni hotelin dhe të drekoni në restorant. Pushime më vete!
Rezidenca “Kodra e Diellit”
“Kodra e Diellit” është një nga zonat më ekskluzive të Tiranës. Dhe pishina po ashtu, ku mund të shkoni e të pushoni deri në perëndim.

Artikuj të ngjashëm