Një jaht luksoz u ankorua në gjirin e Sarandës dhe të gjithë po shkruajmë për të. Është jahti i një miliarderi nga Kazakistani por në fakt, është ankoruar aty vetëm për t’u furnizuar me naftë.
Auron Tare, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, deklaroi për mediat se bëhet fjalë për presidentin e Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev. Në një botë paralele presidentët nuk kanë pasuri prej miliardash sepse janë shembulli i një jete të thjeshtë, por Nazarbayev mendohet të jetë një prej udhëheqësve më të pasur në botë, me një vlerë neto prej 1 miliardë dollarësh.
Nuk është hera e parë që Auron Tare na shuan kurreshtjen për jahtet luksoze që ankorojnë në portin e Sarandës. Përshembull në gusht të vitit që shkoi, jahti “Rising Sun”, ndër 11 jahtet më luksoze në botë, kuriozoi njerëzit në rrjetet sociale dhe Tare sqaroi në Facebook se bëhej fjalë pikërisht për jahtin 300 milionë dollarësh.
Një muaj përpara, kishte zbarkuar princi i Arabisë Saudite, Mohammad Bin Salman Al Saud, i cili bashkë me shpurën e tij shkuan në Butrint, nën guidën e Tares.