Unë jam vajza që u jep këshilla shoqeve, se vetë e kam “ndritur” me lidhjet. Pas të dashurit të tretë që lija, fitova statusin e “zemërthyeses”, asaj që bën për vete djemtë më të mirë, ata “të paarritshmit”, i sjell pas gishtit dhe i lë “me pashpirtësinë më të madhe”. Për kushërirat jam “ajo kuçka” kurse, për shoqërinë time Bllok-iste jam “vajza cool”, sepse jam “e fortë dhe e pavarur”, ikona moderne e feminizmit që s’e rrotullon jetën rreth një burri, që ka një punë të rëndësishme, paratë e veta dhe s’e vret menjen fare, o fresk, fresk!
Kurse për veten time jam njeriu më romantik, më patetik, më i dobët dhe më i lëndueshëm. Nuk po e them këtë vetëm sepse sot më lanë për herë të parë. Nuk po e them sepse ai s’ishte as më i bukuri, as më i zgjuari, as më i pakapshmi nga ata me të cilët kam qenë e lidhur. Po e them sepse kështu kam qenë gjithmonë, edhe pse ata më mbajnë mend si një njeri të ftohtë, pa ndjenja. Akoma më kërkojnë; njëri më mallkoi (“ta bëfshin siç ma bëre mua!”), kurse një tjetër nuk harron të më bëjë dhurata për ditëlindje dhe për vitin e ri. Parfumin e shtrenjtë që më dhuroi e hedh çdo mëngjes duke menduar sa e frikshme do të kishte qenë për mua po të ma kishte dhuruar kur ishim të lidhur, se thonë se ndahesh.
Unë, vajza e papame, e fortë dhe e pavarur, i kam lënë të gjithë sepse kisha frikë se do të më linin ata mua. Në fillim të lidhjeve jam vërtet fresk, gjithmonë në humor dhe gati për të bërë çmendurira. Aty nga muaji i gjashtë filloj të ndiej një si lodhje, dëshirë për t’u mbyllur në shtëpi pa dalë ca ditë me radhë. Puna fillon më jep stres dhe nuk e djeg më jetën e natës. Bie në vorbullën e lidhjes- vetëm unë, ai- dhe më zë frika. Fillojnë zënkat sepse befas, fjalët e tij kanë shumë peshë për mua, janë të afta të më lëndojnë në mënyrën më të dhimbshme.
Dhe iki. Më mirë t’i lëndosh se të të lëndojnë, apo jo?
Kurse me “atë që më la mua”, nuk ishte si me të tjerët. Nuk e di ç’më pengonte ta lija, edhe pse e ndjeva se po përfshihesha keqas në këtë lidhje. Po të mos shtiresha, do të thoja se rashë në dashuri. Herët e tjera kisha dalë pa u lagur, por këtë herë s’po e përmbaja dot veten. Në ndryshim nga të tjerët, ai ishte kaq i duruar dhe i qetë. Sa herë grindeshim sepse unë bëja kinse e shpërfillja, kinse harroja t’i shkruaja, kinse isha e zënë me punë, ai nuk bërtiste apo të kërkonte vëmendje. Unë me gurë, ai me bukë.
Para durimit të tij që dukej i pafundmë vendosa ta lija veten të lirë, të bëhesha edhe unë patetike si vajzat që s’janë “cool” si puna ime. E dini çfarë ndodhi kur e lashë veten të lirë? Posesivitet, xhelozi, pakënaqësi për çdo veprim që ai bënte. Doja ta mbaja pas vetes me çdo kusht; më ikte truri kur ai nuk më shkruante për ndonjë orë dhe pas kësaj, isha unë ajo që e merrja në telefon edhe pse isha në punë, edhe pse kisha dalë me shoqet. Tërë ditën më rrinte mendja tek ai, se çfarë do të mendonte pasi i kisha thënë këtë apo atë. E ndieja se marrëdhënia jonë po merrte të tatëpjetën, sepse unë nuk isha më e njëjta. Unë nuk isha ajo që ai kishte pëlqyer.
Unë i kisha pëlqyer sepse nuk isha “mendjembyllur” si të tjerat. Isha e lirshme dhe nuk po kërkoja një lidhje serioze, nuk i ushtroja presion për të patur një të ardhme bashkë. Por unë fillova ta mendoja të ardhmen me të. Ai jo.
Pa e pyetur ndonjëherë se çfarë planesh kishte për jetën, thjesht sepse gjithçka e imja ulëriste dëshirën për diçka më shumë, pas një zënke në club erdhi të nesërmen në mëngjes poshtë shtëpisë sime. Në fillim mendova se po kërkonte të bënim paqe. Pastaj, sa më dha një shikim drejt e në sy, e kuptova: do të më kërkonte të ndaheshim. Qe një bisedë e shkurtër, gjatë së cilës ruajta ftohtësinë dhe i dhashë të drejtë. “Nëse ti nuk ndihesh mirë, nuk kam ndërmend të këmbëngul.” Pastaj u ngjita lart, përplasa derën e dhomës dhe nisa të qaja me dënesë.
Pas ndonja një ore, me sytë e ënjtur hapa laptop-in dhe nisa të shkruaj. Shikimin e kam të mjegullt, por idetë i kam të qarta. Ishte i tëri faji im. Ka qenë gjithmonë faji im, sepse jam shtirur si dikush që s’është fare unë. Vajza “cool” që shikon filma aksion, bën shaka të ndyra, pi marijuanë, nuk vë makeup sepse nuk është “pjeshkë” dhe komenton prapanicat e vajzës tek tavolina përballë me të dashurin, nuk jam unë. Ai e kuptoi dhe unë s’kam si t’i vë faj që deshi të largohej.
Unë nuk dua të jem më vajza e papame. Nuk dua të shikoj asnjë vajzë të përpiqet të jetë e papame dhe asnjë djalë të përpiqet të jetë i ndjeshëm. Dua që të gjithë të jenë vetvetja, që askush të mos bëjë interesantin, që askush të mos bëjë të dashuruarin, që askush të mos bëjë të kuptueshmin, nëse nuk është vërtet kështu.
Tani është tepër vonë për t’i thënë se më ka marrë malli, por jam kaq e penduar që nuk ia thashë atëherë kur edhe atë e merrte malli për mua.