Lifestyle > Udhetim

Bridhni ju nëpër Evropë, po të paktën na sillni këto suvenire të papara

Ata më me fat kanë zgjedhur t’i bëjnë pushimet jashtë vendit këtë vit.

Ngaqë 1 javë nuk të mjafton as për të parë qendrën e një prej kryeqyteteve apo qyteteve evropiane dhe ngaqë s’para na teprojnë para, na ndodh shpesh të kthehemi të penduar pse nuk morëm qoftë edhe një kujtim.

Prandaj, ka shumë lista vërdallë për suveniret karakteristike që duhet të merrni patjetër nga shtete të ndryshme të botës ku shkoni si turist. Ne kemi mbledhur ato më interesantet.

Belgjikë – statuja e djalit që bën çiçin
Një ndër suveniret më karakteristike të Belgjikës është miniatura e statujës së djalit që urinon në shatërvan. Statuja origjinale, e njohur si Manneken Pis, gjendet në Bruksel dhe është krijuar nga Hieronymus Duquesnoy (gjyshi).
Danimarkë- LEGO
Mund të jetë një lojë për fëmijë, por është një ndër dhuratat më të mira që mund t’i bëni vetes apo të dashurve kur shkoni në Danimarkë. Duke qenë se e kanë origjinën pikërisht në këtë vend, në Copenhagen gjendet edhe dyqani kryesor i LEGO-s, ku nuk mund të largoheni pa blerë një paktën një bllok të vogël për secilin.
Britani- mini kabina e telefonit
Në ka gjë më të famshme nga Britania se kabinat e telefonit, na bindni me argumente. S’mund të largoheni nga Londra pa e marrë një të tillë.
Austri- bonbonet Mozart
Duke qenë vendi i gjeniut të muzikës, kudo ku shkon nëpër Austri shikon suvenire me Mozart-in. më të famshmet janë “bonbonet Mozart”, çokollatë që ka brenda fistiqe dhe krem bajamesh.
Republika Çeke- Marionetat
Çekia është e famshme për marionetat artizanale, që mund të jenë të lezetshme e të bukura, por edhe të frikshme. Këto kukulla prej druri duhen ruajtur me kujdes, pasi spangot mund të ngatërrohen, por ia vlejnë për të kujtuar se keni qenë në Pragë apo diku tjetër në Çeki.
Francë- sapunet artizanale
Meqë të gjithë blejnë suvenire me kullën Eiffel, dhe s’u vëmë dot faj, ju mund të blini sapune me aroma të mrekullueshme dhe çmime ndonjëherë të arsyeshme në dyqanet e sapuneve në Paris. Mund të gjeni edhe sapune artizanale, por nëse pastaj mendoni se kushtojnë ca si shumë, sigurisht që edhe një varëse çelësash me kullën e famshme ia vlen.
Gjermani- krikëll birre
Shumica e njerëzve e njohin Gjermaninë për birrën ose Ëolksëagen-in. Jo të gjithë i duan makinat, por birrat vështirë të mos u pëlqejnë. Krikëllat e birrës me motive gjermane janë një prej suvenireve më të famshme të Gjermanisë.
Greqi- statujëzat e perëndive
Në Greqi ka një pafundësi suveniresh, si kudo, por nëse kërkoni diçka që lidhet thellësisht me vendin, asgjë nuk është më e përshtatshme se statujëzat e perëndive greke. Mitologjia është pjesa më magjepsëse e historisë së lashtë të këtij vendi, dhe mund t’i blini kujtdo atë perëndi që mendoni se i ngjan, përshembull për vete mund të mbani Afërditën e bukur plot dashuri.
Portugali- Gjeli i Barcelosit
Legjenda e Gjelit të Barcelosit, i cili edhe pse i vdekur provoi pafajësinë e një burri të dënuar padrejtësisht me vdekje, është një ndër historitë më popullore të Portugalisë. Duke qenë kaq e famshme, tashmë gjeli është kthyer në suvenirin më të njohur të vendit, dhe e gjen si në formë statujëze, ashtu edhe të stampuar në bluza, filxhanë, kapele, e kudo tjetër.
Amsterdam- gjëra me gjethe
Meqë shumica e shqiptarëve tani po e arrijnë Amsterdamin më lehtë se kurrë me linjat e fluturimit me kosto të ulët, po përqëndrohemi tek kryeqyteti i jetës së natës. Ndërsa dhurata karakteristike hollandeze janë nallanet, në Amsterdam nuk mund të largoheni pa blerë një bluzë me gjethe dhe me mbishkrimin Amsterdam, një çakmak (pa gas) apo një llullë. Pa merak, lejohen në aeroport.
Itali- maskat veneciane
Vështirë të zgjedhësh një suvenir të vetëm nga tërë ajo kulturë dhe histori që ka Italia, me kullën e Pizës, me Koloseun, me gondolat, e sa gjëra të tjera. Megjithatë, ndër suveniret më të sugjeruar nga Italia janë padyshim maskat veneciane, që mbartin përveçse historinë e ballove me maska, edhe shumë mister.
Spanjë- erashka flamengo me dem
Meqë nga Spanja nuk merrni dot me vete një kërcimtare flamengoje, mund të blini në çdo dyqan suveniresh një prej erashkave karakteristike që ato përdorin kur kërcejnë. Nga ana tjetër, gjëja e dytë shumë e famshme e Spanjës është demi i ndeshjeve me toreadorë, ndaj një erashkë me një dem të stampuar është suveniri më spanjoll që mund të ketë.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Genta Hodo
Gazetare

Artikuj të ngjashëm