Aida, mamaja e Eneo Ferkos, akuzon ish-të dashurën e tij 17-vjeçare se e ka shtyrë të birin të vetëvritet.
Në pjesën tjetër të intervistës për “Panorama”, ajo shprehet se kur Eneo i kishte dërgur videon duke pirë fotoksinë, ajo kishte qeshur dhe i kishte thënë se ai s’e bënte dot, sepse “s’ishte nga ata burra që të vdiste”. Sipas Aidës, vajza i dërgonte shpesh mesazhe ku e provokonte të tregohej burrë e të vriste veten.
“Ajo vajzë është shkaktarja që ma nxiti djalin drejt vetëvrasjes. I thoshte në mesazhe: “Hë bëje, vdis, je burrë apo s’je”, por këto ishin të shpeshta. Ai i thoshte se jepte jetën për të dhe ajo i thoshte: “Po hë, jepe që ta shikojmë.”
Aida kërkon me çdo kusht ndëshkimin e vajzës nga ligji, përndryshe thotë se nuk do të ketë paqe për të.
“Shteti të marrë masa dhe të ma çojë shpirtin në vend. Ajo vajzë është autorja e vrasjes, sepse e nxiste me çdo mesazh që i dërgonte. Policia i ka të gjitha; video, SMS e mesazhe me zë që ajo i niste, ku e fyente dhe e keqtrajtonte brutalisht djalin.”
Aida tregon se një herë, pasi ajo ishte larguar prej tij, ai kishte kërkuar dëshpërimthi ndihmën e së ëmës, dhe kishte shkuar në shtëpi i dërrmuar.
“Eneo më mori vetë në telefon. Sapo ajo i kishte ikur, djali më mori në telefon e më kërkoi ta takoj, e unë e ftova në shtëpi. Kur erdhi këtu, vetëm qante pa pushim. Ishte i dërrmuar plotësisht. Nuk kishte pasur asnjë faj, dhe s’dinte pse ajo kishte njoftuar njerëzit ta merrnin. Ishte i dashuruar djali pas saj. Çmendej.”
Pas lutjeve të shumta, nëna tregon se Eneo kishte rifilluar lidhjen me vajzën 3 ditë përpara se të vetëvritej. Gjatë këtyre ditëve, ai kishte bërë videon ku pinte fotoksinë, sipas zonjës Aida për ta bindur 17-vjeçaren se për të mund edhe të vriste veten.
“Ne i hapëm telefonin dhe pamë që kishte tri ditë që kishte rifilluar lidhjen me të. Kishin filluar të flisnin dhe ky kishte bërë një video kur kishte pirë fotoksinën që ta bindte vajzën, ia kishte nisur e ajo qeshte. Tallej, e nxiste dhe i thoshte se nuk ishte nga ata burra ai që të vdiste.”
Eneo dhe 17-vjeçarja kishin provuar të shkonin bashkë në Itali për të jetuar, por për shkak të mosnjohjes së gjuhës, ai nuk kishte gjetur dot punë dhe ishin kthyer. Pas vdekjes, u gjet edhe një mesazh i fundit që Eneo kishte lënë në Instagram, që linte të kuptohej se mes tij dhe vajzës mund të ishte një person i tretë.