Instagrami
Tani, shumica e adoleshentëve kalojnë më shumë kohë në Instagram se në Facebook. është tejet e rëndësishme që të siguroheni se fëmija juaj e ka profilin e Instagram-it privat, pra që fotot, videot dhe Instastory-t (foto dhe video që qëndrojnë 24 orë në Instagram dhe zhduken) që ai poston të jenë të bllokuara për të panjohurit e rrezikshëm. Duke patur kaq shumë interes nga ana e të rinjve, Instagram-i është kthyer shpesh në vendin ku fëmijë dhe adoleshentë tallen dhe fyhen publikisht nga bashkëmoshatarët. Nga ana tjetër, kohët e fundit janë përhapur masivisht ngacmimet seksuale, përmes fotove të organit seksual që disa përdorues me profile false në Instagram ua dërgojnë me mesazh vajzave dhe djemve adoleshentë.
Snapchat-i
Ky aplikacion ka më shumë përdorues të rinj se çdo aplikacion tjetër social. Edhe pse mbahet për mbrojtjen e privatësisë, duke qenë se postimet këtu qëndrojnë vetëm 24 orë përpara se të zhduken, opsionet e reja e kanë kthyer në makth për shumë prindër, sidomos për hartën ku mund të zbulosh se ku gjenden aktualisht miqtë e tu të Snapchat-it, diçka që mund të përbëjë rrezik nëse pa e ditur, fëmija juaj ka shok një pedofil.
Bestgore
Të gjithë çuditen sesi një sajt si Bestgore u lejua të hapet dhe nuk u mbyll edhe pasi shfaqi videon e vrasjes së kryer nga Luka Magnotta, pa hequr asnjë lloj sekuence. Sajti kanadez përmban vetëm foto dhe video makabre nga aksidente, krime dhe janë të gjitha pamje të vërteta. Nuk është sajti i vetëm i kësaj natyre: “The damaged corpse” (Kufoma e gjymtuar); “The Blood Factory” (Fabrika e gjakut); “Bloody Fingernail” (Thoi i përgjakur); “Death and Dementia” (Vdekje dhe çmenduri), janë vetëm disa prej titujve të sajteve horror, nga të cilat duhet ta mbani larg fëmijën tuaj.
Faqet pornografike
Sot, fëmijët dhe adoleshentët e kanë fare të thjeshtë të hyjnë në sajte pornografike. Ka plot të tilla ku mund të hysh pa nevojën e regjistrimit. Mjafton të konfirmosh se je 18, edhe nëse je 9 vjeç, dhe me kaq ke hyrë në një botë videosh dhe fotosh pafund që përmbajnë nudizëm dhe skena seksuale që mund të kenë edhe sadizëm e mazokizëm.
Omegle
Sajti “Omegle” i lejon fëmijët të flasin në video me njerëz të panjohur. Është një lloj rrjeti social ku njerëzit mund të hyjnë pa u regjistruar dhe të gjejnë një partner për të biseduar anonimisht, duke përdorur emrat “Stranger 1” dhe “Stranger 2” (I panjohuri 1 & 2). Duke mos patur të dhëna për të kontrolluar privatësinë e përdoruesve, ky sajt është kritikuar disa herë sepse përbën kërcënim për fëmijët dhe adoleshentët, shpesh duke u konsideruar si një “parajsë pedofilësh” që gjejnë viktimat në internet.
Sajtet pro anoreksisë
Për një vajzë në pubertet që e ka të vështirë të ndihet mirë me trupin që i ndryshon dita-ditës, interneti mund të jetë ura që e çon drejt anoreksisë. Anoreksia po merr mijëra jetë vajzash çdo vit nëpër botë dhe një pjesë të mirë të fajit e kanë sajtet pro anoreksisë, që funksionojnë si forume ku vajzat anoreksike shkëmbejnë dietat e tyre drastike dhe ilaçet shumë të dëmshme që nxisin dobësimin. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe në këto sajte ka shumë maniakë seksualë që reklamohen si “instruktorë dobësimi” dhe hyjnë në komunikim me vajzat e mitura, të dëshpëruara për të rënë në peshë.
4 Chan
Ky sajt që funksionon përmes postimit të fotove përmban gjithçka, që nga fotot e Ben 10-ës deri tek pornografia e ashpër. “4 Chan” u bë i famshëm pasi në 2014-ën u postuan në këtë sajt fotot nudo të disa prej emrave më të njohur në Hollyëood. Për shkak se nuk kërkon regjistrim për të hyrë, edhe pse fotot nuk qëndrojnë shumë në sajt përbën rrezik për shkak të përmbajtjes së lartë seksuale. Nuk është kurrsesi një vend i këshillueshëm për fëmijët.
Tinder
Aplikacioni më i famshëm për njohje në botë ka shumë përdorues fëmijë. Ky aplikacion që shkarkohet në telefon e lejon fëmijën tuaj të hyjë në komunikim me njerëz të panjohur, me qëllimin për t’u takuar. Edhe pse përdoruesit e moshës 13-17 vjeç mund të njihen vetëm me njerëz të moshës së tyre, në Tinder regjistrohesh përmes Facebook-ut dhe nuk është e vështirë ta ndryshosh moshën në Facebook dhe të hysh në Tinder-in e minorenëve, edhe nëse je 55 vjeç.