Metropolitan > Anabel Dossier

Më thuaj në ç’fakultet je, të të them ç’thonë njerëzit për ty

Zbuloni ç’mendojnë njerëzit kur u thua që je në filan fakultet

Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Fjalët thonë që në FSHN përfunduan të gjithë ata shpirtra optimistë që synuan mjekësinë dhe nuk ia dolën. Gabim i sistemit sigurisht. Të gjithë meritonit të bëheshit mjekë të zotë, po mos u mërzisni se edhe bioteknologjia nuk është aq keq. Jeni fëmijë të vuajtur që e pësuat për faj të gabimeve të të tjerëve. Tetat dhe nëntat që morët në maturë s’kanë të bëjnë fare, po fare ama.

Fakulteti i Mjekësisë

Ju jeni në krye të zinxhirit ushqimor, ose në këtë rast, arsimor. Perëndi të rëna nga qielli drejt e në Fakultetin e Madhërishëm të Mjekësisë. Pavarësisht, gjërat e mira në jetë vijnë me të ligat e veta. Njerëzit thonë se ju nuk dilni ndonjëherë nga shtëpia, ose nga biblioteka. Kur ecni në rrugë, keni një libër të ngjeshur në fytyrë. Madje, madje, kur hidhni ndonjë foto në Instagram në kafe ose rrallëherë nëpër party, të tërë mbesin gojëhapur.

Fakulteti i Ekonomisë

Yje. Yje inteligjentë kudo. Lufta e klasave në Ekonomik nuk shuhet kurrë. Në cilëndo degë të jesh, dega jote është më e vështira dhe kjo s’ka diskutim. Njerëzit në ekonomik ndahen në dy grupe: ata që janë superiorë, sepse po ja dalin kaq mirë në vetë ferrin që është ekonomiku. Dhe të vuajturit, që mezor po presin ditën e diplomimit, për të mos e parë më me sy derën e shkollës.

Universiteti Politeknik

I vetmi vend në Tiranë ku çunat janë çuna dhe gocat janë çuna. Legjendat thonë se vajzat në Politeknik kanë mjekra, barseta, bark, mustaqe. Çdokush që ka kaluar të paktën një herë nga uni i famshëm, e di që çunat janë qorra sepse vajza të tilla s’na kanë zënë sytë. Të themi të drejtën s’na kanë zënë sytë vajza fare, përveçse tek Inxhinieria Tekstile dhe Moda.

Fakulteti i Shkencave Sociale

Për psikologët dhe sociologët e vegjël thonë që janë idealistët e vetëm të mbetur në vend. Idealistë sepse pretendojnë që do të gjejnë punë me degët e tyre. Studentë me klube filozofie, që ndjekin konferenca, që luftojnë për drejtësi sociale, feministët e moshës së re. Ah, sikur të gjithë studentët të kishin këtë lloj vullneti.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës

Studentët me estetikë në vend. Të gjithë kanë shije, të gjithë vishen bukur dhe mbahen. Pretendojnë se janë arkitektë ose urbanistë, po thellë thellë, e dinë që në një të ardhmë të afërt do arredojnë lokale dhe zyra. Nga vetë goja e tyre e kemi dëgjuar që nuk flenë kurrë. Okay, ndoshta po e teprojmë. Flenë një javë në muaj sepse kanë detyra për të dorëzuar, nuk luajmë lojëra ne këtu.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë

Edhe pse janë dy fakultete në një godinë, njerëzit i dinë si një i vetëm. Historikisht i njohur si Filoqyli. Quhet Filoqyli sepse e marrin jetën (dhe shkollën) aq shtruar, aq lehtë, t’i kesh zili. Ti mund t’u thuash që dega jote është shumë e vështirë dhe e sigurt që ‘filoqylsi’ do të të hidhet dhe do të të thotë që bën 12 provime në sezon.

Fakulteti i Drejtësisë

Këtu ka realisht dy lloje studentësh. Janë ata që vijnë nga familje ligjvënësish, gjykatësish, juristësh të mirëfilltë dhe vijnë në juridik për të vazhduar traditën e familjes. E kanë rrugën e shtruar, u vë dot faj? Janë edhe ata që e kanë pasion, dhe mundohen me mish e me shpirt për të dalë në jetë në profesionet më fisnikë në vend: kamarierë dhe operatorë. Shpresa shkon për të vdekur në juridik.

Universiteti Bujqësor

Në UBT mund të gjeni të gjithë ata që u gënjyen nga fjalët se është i vetmi universitet vendas që njihet jashtë shtetit. Sa naivë. Ose ata që e kanë jetën në terezi dhe thjesht duan një shkollë. Ose ata që deshen ekonomikun, dhe për faj të sistemit sigurisht, përfunduan në Financë Kontabilitet ose Politika Agrare.

Fakulteti i Shkencave Sportive

Këtu shkojnë të gjithë ata që e kanë sportin dashurinë e vetme të jetës. Nuk ka lidhje fakti që s’kapën asnjë degë tjetër, aspak. Ose, futbollistët e së ardhmes. Të gjithë Leo Messi-t shqiptarë i gjeni tek Sportet.

Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave

Kush? A e dinte njeri që ekzistonte ky fakultet? Përveç studentëve, sigurisht. Kush është aty, përfundoi ose rastësisht, ose e kishte babin ndonjë topograf të fiksuar pas zanatit.

Fakulteti i Arteve

Mishërimi i Tumblr-it në formën njerëzore. Artet nxjerrin artistë të mirëfilltë, të cilët fatkeqësisht kanë të njëjtin fat me ata të juridikut. Ndiqni faqet e tyre në Instagram ku bëjnë portrete me porosi.

Universitetet private

Dy fjalë thuhen për ju: Me tangërllik dhe me lek. Kaq.

Artikuj të ngjashëm