Një status i autores së këtij edicioni të Big Brother-it, Alessia Vessicchio, ku ndër të tjera akuzonte opinionistin Olti Curri se është përpjekur vetëm ta dëmtojë këtë show, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të këtij të fundit.
Pak minuta më parë, Olti i është kundërpërgjigjur përmes një statusi në llogarinë zyrtare të Facebook-ut, ku shkruan se përgjigjen e vërtetë autorja italiane e ka marrë nga publiku dhe komentet e tyre.
Në fjalën e saj, Alessia shkruante: “Faleminderit Damianos dhe atyre që kishte përqark, ju personazhe të shkretë dhe të ulët. Përfshirë dhe mikun e të dielës në drekë, që duke u përpjekur të na dëmtonte arriti vetëm që të flitej për këtë Big Brother siç nuk kishte ndodhur kurrë më parë.”
Kaq mjaftoi që opinionisti të tregonte detaje nga rrugëtimi i gjithë këtij projekti që sipas saj shumë e kanë quajtur të pasuksesshëm.
“Së pari, më quan personazh të ulët, por e dashur Alessia, i ulët apo i lartë jam një personazh që jam bërë vetë pa pasur si ty babain legjendë në Rai apo Mediaset dhe ta shesësh këtë si CV në Shqipëri, por gjithsesi amerikanët thonë: google me dhe për ty në Google nuk del asgjë. As punë, as emisione dhe as autorësi. Ndërsa unë i shkreti e kam merituar bukën që ha.”- shkruan Olti.
Në shkrimin e saj, Alessia dha gjithashtu një përgjigje për të gjithë ata që “Big Brother 9” dhe punën e saj e quajtën një dështim.
“Edhe për ata që shkruan se dështova, për herë të 2-të këtu, (në Shqipëri) dua t’i them se nuk bëtë figurë të bukur. Jeni si ato gratë që thonë se Belen (Rodriguez) është e shëmtuar. Flisni me fakte, jo me zili.”- vazhdon autorja.
Por as në këtë pikë, gazetari nuk binte dakord me Alessian dhe për të vlerësuar suksesin e edicionit Olti i kujtoi asaj shikueshmërinë.
“Për shikueshmërinë nuk po flas fare, se shifrat flasin vetë. Alessia, dua të të bëj të lumtur, por e kam të pamundur sepse mërzitja jote është pasojë e mungesës së talentit dhe atë o e ke o nuk e ke. Suksese në emisionet RAI apo Mediaset ku mezi po të presin të bësh fotokopjot...”- përfundon statusin e tij Olti Curri.
Përveç edicionit të këtij reality show, kujtojmë gjithashtu se pak vite më parë ajo kishte autorësinë e programit “E Diell”.