Beauty > Vip Vanity

Merrni shembull: Balina Bodinaku s’ka shenjë kohe sepse bën këtë çdo ditë

Sa herë ju kemi thënë: mos cigare, mos alkool pa kontroll dhe mos-rrini-pa gjumë!

Balina Bodinaku u kthye në ekran pas shtatë vitesh dhe është po aq në formë sa ç’e mbajmë mend tek “E Diela Shqiptare”. Moderatorja e RTSH-së tregoi për “Bordo” se ka një disiplinë për t’u marrë shembull. Megjithatë, mund të jetë ca si shumë për kë është mësuar t’ia shkelë herë pas here, sepse në të vërtetë rregullat që ndjek për të qenë në formë dhe për të patur një lëkurë të freskët janë fare të thjeshta.

Rregulli i artë i 8 orëve të gjumit

“Mundohem gjithmonë të bëj të paktën 8 orë gjumë. Dhe nëse më jepet mundësia të fle edhe në drekë, është një bonus shumë i mirëpritur.”

Mos fli asnjëherë pa e larë fytyrën

“Nuk kam ndonjë rutinë kushedi çfarë. E vetmja gjë që nuk lë dot pa bërë në asnjë rrethanë e asnjë orë është pastrimi fytyrës, më saktë akoma larja e fytyrës. Më pëlqen uji dhe nuk përdor produkte specifike për heqjen e grimit apo pastrimin e lëkurës, përveç një larësi. Sigurisht i ndjekur nga një krem që është i njëjti për natën dhe ditën.”

Ushqim i shëndetshëm dhe shumë ujë!

 “Fle mirë, pi shumë lëngje, ka ditë deri në 6 litra, nuk konsumoj alkool dhe asnjëherë s’e kam bërë, nuk pi kurrë duhan, kafen s’e dua fare dhe nuk hyn tek zakonet e mia. Kurrë s’më kanë tërhequr fast food-et dhe asnjëherë, në asnjë fazë të jetës pijet e gazuara. Të ëmblat s’i ha. Kripa pothuajse nuk ndihet në ushqimet e mia. Mund të duken shumë privime dhe ka edhe më shumë , por për mua nuk janë të tilla. Kanë ardhur natyrshëm, thjesht e pa sforco. Më saktë, kam gjithë jetën që jetoj kështu.”

Dhe sigurisht, sporti

“Herë pas here kam frekuentuar sporte të ndryshme. Por kisha shumë vite që i kisha lënë të gjitha përveç ndonjë ecje, jo në mënyrë fort të rregullt. Ka pak muaj që i jam rikthyer palestrës.”

Artikuj të ngjashëm