Metropolitan > Sport

Të gjithë duan Shqipërinë: Dy legjenda presin t’i zënë vendin De Biasi-t

Pas largimit përfundimtar të Gianni De Biasi-t nga stoli i trajnerit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se trajneri i ri do të zgjidhet brenda korrikut.

Siç shkruan “Top Channel” ka patur kërkesa të menjëhershme nga emra të njohur të futbollit për të zëvendësuar trajnerin italian dhe njëri prej tyre, është një legjendë e vërtetë futbolli.

Roberto Carlos, një prej ish-futbollistëve më të adhuruar edhe nga tifozët shqiptarë, është pjesë e listës së trajnerëve të mundshëm të ekipit kuq e zi. Megjithatë, ka një kleçkë: ndonëse ka qenë një nga ata futbollistë me gola mallëngjyes deri në dënesë, si trajner nuk është se ka shkëlqyer.

Ai ka drejtuar ekipe të vogla si Sivas-i turk apo ekipi indian Dehli Dynamos, asnjëri që të ketë garuar me sukses në kampionatet ndërkombëtare.

Megjithatë, ka edhe kandidatë të tjerë prestigji, si përshembull Filippo Inzaghi, edhe ky një ikonë më vete.

Aktualisht, Inzaghi menaxhon ekipin e Venezia-s. Ai u kontaktua nga FSHF-ja me shpresën se mund të lërë një ekip lokal për një ekip kombëtar me të cilin mund të konkurrojë në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq, menaxheri jetëshkurtër i Sampdoria-s, Walter Zenga, u ofrua vetë për të marrë drejtimin e kombëtares. Ka një historik disi “të dyshimtë” me ekipet me të cilat ka punuar së fundmi, si përshembull klubi anglez Wolverhampton, ku qëndroi më pak se një vit.

Artikuj të ngjashëm

. .