1. Ata që shohin persona imagjinarë
Ti je duke ecur në rrugë me shoqen tënde. Ti dhe ajo. Ai, ngacmuesi tipik, ju thotë: Sa e mirë kjo e mesit! Ty të dalin pikëpyetje kudo. Kjo vajza imagjinare mes jush duhet të jetë shumë e mirë meqë e bëri djalin e shkretë të flasë me vete në mes të rrugës.
2. Ata që s’dinë ç’duan
Ajo zhurma e shëmtuar, kur thithin ajrin me buzët e mbledhura. S’e kuptova kurrë ç’do të thotë apo pse konsiderohet ngacmim a kompliment. Çfarë po thith? Po ha një lëpirëse? Çfarë po sugjeron që unë të thith? Do më blesh dhe mua një lëpirëse?
3. Ata që gati pësojnë atak kardiak nga bukuria jote
Shkëmbehesh në rrugë me një grup djemsh. Papritur, njëri prej tyre i bie shokut në krahë a në gjoks me gjithë force dhe i ulëret që ta dëgjosh edhe ti: "Sa e mirë kjo! Shikoje sa e mirë". Si një shpellar që pa zjarrin për herë të parë.
4. Ata që s’janë mirë me shikimin
Besojeni ose jo, po djemtë shqiptarë e dinë ç’është psikologjia e të kundërtave. Të afrohet, nis të thotë “Shikoje sa e...” Ti pret ta mbarojë me “e mirë”, ose “e bukur”, por jo. “Shikoje sa e shëmtuar!” Duke ngritur zërin me sa të mundet kur thotë e shëmtuar. Ç’ti bësh, s’ka faj që nuk sheh nga sytë.
5. Ata që janë të uritur tërë kohës
Për të mos folur për “komplimentet” banale: “Sa të mirë e ke këtë e sa të mirë e ke atë.” “Të hëngsha këtë dhe atë.” “O rrushi! O pjeshke!” Ke një market në krye të rrugës. Ik ushqehu.