Metropolitan > Art & Libra

Jul Deda, kolegët e mllefosur dhe e vërteta e vetme sipas Ema Andreas!

U desh që të dekoroheshin Rozana Radi dhe Julian Deda nga Presidenti i Republikës, që të dëgjonim zërat e protestës së shumë aktorëve e regjisorëve.

Sebep për të mbledhur kaq shumë zëra kundër, ishte një shkrim i gazetares Ilda Lumani për revistën “Bordo.” Shkrimi I titulluar “Sa pak vlen të jesh Mjeshtër i madh” (lexo ketu) jo vetëm vuri në dyshim motivacionin ndaj Radit dhe Dedës, por gjithashtu edhe ndaj aktores Anisa Markarjan (e larguar nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të) dhe baritonit Gëzim Myshketa.

Lumani përmendi aktorët Olta Daku dhe Neritan Liçaj (dhe në fillim edhe Ardit Gjebrenë, por që më pas e harroi), si emrat që meritonin vlerësim më shumë se Rozana dhe Juli dhe duket se me këtë përmendje, “preku telat” e aktorëve të skenës, të cilët njëri pas tjetrit mbështetën argumentin.

Aktore dhe më pas zëdhënëse e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha ishte dakord që çmimi duhet të jepet në fund të karrierës.

Ndërsa ish-drejtoresha e Teatrit “Tirana” dhe ish-konkurrente ne "Dancing with the Stars", Suela Konjari ngriti pyetjen “Mos vallë Presidenti do të dekorojë edhe aktorët e Big Brother?” duke i paralelizuar vlerat e Radit dhe Dedës me ato të banorëve të shtëpisë së BB.

Edhe drejtoresha e Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja e aktorja Adelina Muça u shprehën kundër këtyre vlerësimeve. Lubonja kujtoi një shprehje të aktorit Kadri Roshi në rolin e tij si plaku Mere “Dynjaja u përmbys, nuk më mbetet tjetër vetëm të qesh”, kurse Adelina Muça, parodizoi presidentin që nuk vlerësoi një aktore si Olta Daku, duke thënë se ai shihte vetëm Tring dhe nuk dinte ku binte teatri. Në këtë mënyrë ajo la të nënkuptojë se ishte kundër vlerësimit të aktorit Julian Deda (I cili është në trupën e “Apartamentit 2XL) në Vizion Plus dhe platformën Tring.

Kundër vlerësimeve të presidentit “Nishani” ishin edhe drejtori i teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, I cili shtoi se artistëve si Olta Daku apo Aurela Gaçes, nuk ka çfarë i duhet një çmim i tillë qesharak në kulmin e karrierës së tyre artistike “E vetmja arsye pse mund të ekzistonte një titull i tillë honorifik (po të mos ishte katandisur në këtë derexhe) do të ishte nderimi për artistë të mëdhenj që e kanë mbyllur karrierën ose janë në prag të fundit. [E] kur mendon se ky palo titull, ju akordua turpërsisht tani që s’ka më vlerë një gjeniu si Kujtim Laro, të vjen keq për kohën që jeton” shkruan Çuli.

Aktorja Anisa Markarjan e cila është larguar nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të dhe tashmë jeton e punon si mjeke në Francë, u përpoq të justifikonte vlerësimin që mori dhe karrierën e shkurtër, duke shkruar në faqen e gazetares Lumani se logjika e dhënies së titujve nuk është detyrimisht aritmetika. “ Në vitin 1999, Palma e çmuar e interpretimit më të mirë femëror në Festivalin e Kanës iu dha aktores S. Caneele që i shfaqej publikut për herë të parë. Gjer më sot, kjo aktore ka interpretuar gjithsej vetëm 5 role në jetën e saj. E solla këtë shembull jo për polemikë, siç thashë më sipër, por në mbështetje të një të vërtete të gjithëkohshme: në çdo vlerësim ka, pashmangërisht, një kriter subjektiv të pamohueshëm.Mendoj se thënia e famshme "Vox Popoli, Vox Dei", mbetet përjetësisht aktuale.” Përfundon ajo.

Ndërsa baritoni Gëzim Myshketa, u ndje i detyruar të rendiste të gjithë arritjet e tij në skenë, për të kundërshtuar diskutimin e gazetares Lumani, se ai është ngjitur shumë rrallë në TKOB.

Revolta e aktorëve ishte aq e madhe, sa për herë të parë, ata nuk u kujdesën të përmbaheshin, por u hodhën në sulm me emër e mbiemër, diçka që nuk ishte parë më parë të ishte kaq masive edhe për çështje më madhore të teatrit si pagesat apo padrejtësitë në ndarjen e roleve.

 Të frymëzuar pak edhe nga një valë e përgjithshme kundërshtuese në rrjetet sociale, Rozana Radi dhe Julian Deda me sa duket ishin një “target” shumë i lehtë për t’u sulmuar, falë edhe faktit që asnjëri prej tyre nuk replikuan. E kundërta ndodhi me Myshketën dhe Markarjan, të përmendur edhe ata në shkrimin që pëlqyen e duartrokitën aktorët komentues. Replika e  artikuluar me një shqipe të pastër e Markarjan u mbylli gojën gazetarëve e aktorëve në diskutim, kurse replika e Myshketës, detyroi gazetaren Lumani të korrigjonte shkrimin ku shkruante se rolet e baritonit në TKOB numërohen me gishta.

Pavarësisht se të gjithëve u lejohet të shprehin mendimin e lirë dhe acarimin e tyre në lidhje me një fenomen, dyshojmë se ndonjë prej aktorëve e regjisorëve që komentuan, nëse do të thërritej për të njëjtin vlerësim nga Presidenti i Republikës, do ta kishte refuzuar. Askush prej tyre nuk ka kundërshtuar ndonjëherë prezantimet e stër-gjata të moderatorëve që i kanë cilësuar si “Një prej aktoreve më të mira në kinema”, “Një prej regjisorëve më të mirë.”, “Të jashtëzakonshëm”, “Me një ndikim të madh në artin shqiptar”. Përkundrazi, edhe kur kanë pasur pese role aspak domethënëse, edhe kur kanë marrë përsipër të drejtojnë institucione pa kurfarrë rezultati, u ka pëlqyer edhe ajo pjesë delirimi, që vjen si paketë me narcizismin e shumë njerëzve të ekranit dhe skenës.

E dyta, dyshojmë se këta aktorë, do të guxonin të përmendnin ndonjë emër tjetër përveç atyre të Olta Dakut dhe Neritan Liçajt, të cilët falë talentit, punës së palodhur, izolimit ndaj ekranit të vogël, mospërfshirjes në rrjete sociale (me shume nga ana e Oltës), por edhe distancimet nga grupime politike-favorizuese brenda rrethit të aktorëve, kanë arritur me forcat e tyre të krijojnë një hendek me shumë të tjerë, aq sa nëse dikush do t’i shante, do të quhej ‘I marrë”. Madje dyshojmë, se do të mbështesnin edhe njëri-tjetrin, nëse do të ishte njëri prej tyre që do të merrte çmimin. Vlen te kujtojmë se njëra prej komentueseve-kolege, në pozicion drejtues ka ofenduar publikisht një aktore e cila e kishte CV-në ideale për t’u quajtur “Mjeshtre e Madhe.”

Ndoshta Jul Deda I mërziti kaq shumë kolegët e tij se ka zgjedhur të jetë aktor në një skenë televizive dhe jo në Teatrin Kombëtar, ku mund t’i duhej të priste gjithë vitin për një rol, e të ushqehej me ëndrra e fërgesë tek “Noeli” derisa t’ja dilte. Nëse vlerësim duhet të marrin vetëm aktorët e Teatrit Kombëtar, i bie të themi që këngëtarët e operas kanë më shumë vlerë se këngëtarët e Pop-it, vetëm se kanë zgjedhur të këndojnë Verdi e Puçini. Zgjedhja e Jul Dedës që të mos recitonte Shekspirin, është prapë një zgjedhje e karrierës si aktor, por jo se ai zgjodhi të mos jetë aktor. Vetë dallimi që i bëjnë ish-nxënësit e Akademisë së Arteve, duke quajtur anti-vlerë humorin dhe skeçet televizive apo duke e barazuar Dedën me një personazh injorant të Big Brother, tregon një mendjengushtësi, aspak normale për dikë që vetëquhet “artist”. 

Për më tepër, kjo mësymje ndaj çmimeve të vendosura nga një institucion, bëhet nga njerëz që kanë qënë vetë pengje të institucioneve dhe janë detyruar të marrin vendime në disfavor të aktorëve.

Në këtë “kryengritje” Facebook-u të aktorëve, mbylljen më të bukur e bëri kolegia e tyre Ema Andrea, të cilën mesa dukej u përpoqën ta fusnin në vallen e sharjeve (siç ajo la të nënkuptonte), por në fund, nuk zgjodhi fare të merrej me ata që e kishin fituar çmimin, por me mungesën e vlerësimit të vërtetë, të atij vlerësimi për të cilën shumë nga ata që hiqen të indinjuar në faqen e gazetares Ilda Lumani, ulin kokën, pasi e kanë pranuar dhe mbështetur në këmbim të favoreve partiake.

‘Ju pyes modestisht, çfarë kuptimi ka një titull kur artisti nuk ka një status, kur një artist pas një rruge të gjatë krijmtarie, sot ende punon në kushte mbijetese, kur një artisti i mbetet pak për të ruajtur dinjitetin, kur abuzohet me pasionin dhe dëshirën për të patur mundësi krijmtarie, kur pas çdo arritjeje apo çmimi, nuk ndryshon asgjë në karrierën e tij, kur është i detyruar të “zbatojë normën”, sepse ndryshe mbetet pa rrogë, kur del në pension të pamjaftueshëm për t’u vetëmbajtur, kur punon në kushte çnjerëzore? Kur ai që bën “gavetën” dhe ai që ka 30 vite krijmtari, janë njësoj! (Varet si e ke marrëdhënien me lëpirjen). Kolegët në perëndim (shumë të përmendur), kanë krejt të tjera mundësi (edhe ata që lëpihen). Shqetësim kush e merr titullin? Jo! Çdo titull humbet kuptimin dhe vlerën në kushtet reale ku jetojnë e krijojnë artistët! Ndaj ta gëzojë kushdo që e merr! Më shumë dinjitet për artistët dhe nga artistët!Ndryshe çmimet marrin vlerë objekti mbi mobilie dhe kaq!”

Nuk mund të shtojmë asgjë më tepër!

 

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .