Vlora është qyteti turistik më i parapëlqyer i shqiptarëve dhe turistëve të huaj. Dhërmiu u rendit edhe këtë ndër destinacionet më të bukura të turizmit veror në të gjithë Evropën, sipas lexuesve të “The Guardian”. (shiko këtu)
Megjithatë, disa zona në Vlorë paraqesin ndotje mbi nivelet e zakonshme, ndaj Drejtoria e Shëndetit Publik të qytetit paralajmëron të mos shkoni për t’u larë atje.
Plazhi i Zvërnecit aq i përmendur pas rinovimit, nuk është i këshillueshëm, veçanërisht në zonën pranë Petroliferës. “Panorama” shkruan se sipas nivelit të ndotjes Plazhi i Vjetër, zona pranë Akademisë së Marinës dhe Plazhi i Ri, konsiderohen si të rrezikshme për t’u larë, sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik.
Plazhi i Vjetër dhe plazhi pranë Portit të Petroliferës janë të ndotur prej vitesh, ndërsa vijojnë të jenë problematike edhe tani. Edhe plazhet nga Skela tek Uji i Ftohtë, ku së fundmi është investuar për kanalizimet nëntokësore, përsëri paraqesin ndotje të lartë edhe pse më të ulët se vitet e mëparshme.
Megjithatë theksohet se vija bregdetare e Vlorës mbetet ndër më të pastrat në Shqipëri, me 80% të bregdetit të frekuentueshëm. Këtë e dinë edhe pushuesit, të cilët nuk zgjedhin të pushojnë në zonat e ndotura, por përqëndrohen tek plazhet nga Uji i Ftohtë deri në Orikum, që DSHP i konsideron të pastra.