Metropolitan > Art & Libra

Është koha të lexoni historinë e Adelës, transgjinores që lindi grua

Më në fund mund ta lexojmë edhe në shqip një prej rrëfimeve më magjepsëse mbi jetën e një transgjinoreje.

“Ylber Hëne”, përkthyer prej origjinalit në frengjisht nga Edmond Tupja, sjell në shqip historinë që e bëri shkrimtaren franceze Emmanuelle Pagano fituese të çmimit Europian të Letërsisë në 2009-ën.

Shkrimtarja franceze Emmanuelle Pagano

Ç’do të thotë të lindësh grua në trupin e një burri? Adela e di dhe mund ta tregojë në mënyrën më të natyrshme. Ajo ka qenë gjithmonë grua; shndërrimi vetëm sa e bëri të dukej e tillë. Siç edhe thotë: “Unë jam ajo që kam qenë gjithmonë, vetëm se nuk mund ta them.”

Libri me një fjali

Një roman jashtëzakonisht prekës dhe emocionues mbi kujtesën, dhimbjen dhe dashurinë.

Çfarë do të gjeni në këtë roman

Adela është shoferja e autobusit të shkollës; çdo ditë ajo sfidon pllajën e lartë malore duke shoqëruar në shkollë disa fëmijë që jetojnë në shtëpi të izoluara. Shtëpi që ngjajnë me “fermën e fundit”, ku ajo është rritur, e që një liqen artificial e ka fshirë nga faqja e dheut së bashku me fëmijërinë e saj. Atëherë, Adela ishte një djalë i vogël ose më saktë “një vajzë në trupin e një djali”. Kur u kthye në qytezë, pas operacionit të saj, askush nuk e njohu. Njerëzit e mirëpritën dhe i dhanë punë. Ajo tashmë punon si shoferja e autobusit të shkollës, merr e çon rreth dhjetë fëmijë e adoleshentë, disa vëllezër e motra, historitë e të cilëve përzihen me të sajën. Vajzat e reja që ajo shoqëron me autobus janë një pasqyrë e dhimbshme: njëra ngjason shumë me adoleshenten që Adela do të kishte dashur të ishte, gazmore, sensuale, e dashuruar; një tjetër është një motër e madhe, shumë e kujdesshme ndaj vëllait të vogël. Adela nuk ka qenë kurrë motra e madhe.

Akseli, vëllai i vogël, nuk e kupton. U bënë dhjetë vjet që ai nuk pranon ta takojë e as t'i flasë, derisa një aksident në punë e detyron të shtrohet në spital. Bashkë me dorën, edhe diçka tjetër brenda tij është thyer e dialogu mes tyre nis sërish. Ky roman është analizuar edhe nga akademikë të ndryshëm ndërkombëtarë, që studiojnë përfaqësimet e transgjinorëve në kulturë. Ai është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë (2009), i çmimit Télérama/France Culture, i Çmimit Lavinal të Pranverës së Lexuesve, i Çmimit të Librarëve Francezë, i çmimit Marguerite Audoux, i çmimit Rosine Perrier e të tjerë.

“Prej dhjetë vjetësh, jetoj me gënjeshtrën midis maleve, por jo tamam. Prej shumë kohësh, nuk më hedhin më shikime si në fillim, thashethemet e fundit kanë shterur, e ndiej që më kanë pranuar në gjirin e tyre, më thërrasin me emrin që kam zgjedhur prej kohësh, në atë libër ku bëhej fjalë për përmbytje. Unë jam ajo që kam qenë gjithmonë, vetëm se nuk mund ta them.”

Artikuj të ngjashëm

. .