1. Sepse ideja është fantastike!
Nuk është ndonjë shpikje që t’i prezantosh një ide biznesi një investuesi potencial. Në Silicon Valley bëhet përditë kjo gjë, ashtu si edhe në të gjithë botën. Me qindra startup-e udhëtojnë çdo ditë nga njëra zyrë investuesi në tjetrën, derisa të arrijnë të shesin idenë e tyre. Por është origjinale që këtë ide ta materializosh në Shqipëri në një formë shumë interesante dhe të vlefshme për njerëzit.
“Do you have an idea?”, prodhim i TRING-ut, mban autorësinë e Turjan Hyskës, tashmë një nga autorët më inovatorë në treg, me një CV si: “Apartamenti 2XL”, “Oktapod”, “Mos u nxeh”, “Përrallë me mbret” etj.
Çdo javë, 5 konkurrentë paraqesin projektet e tyre të biznesit përballë një paneli të përbërë nga njerëz të biznesit. Momentalisht, “Do you have an idea?” është në fazën gjysmëfinale.
2. Sepse e sheh me sytë e tu se sa njerëz me ambicie dhe pasion ka në këtë vend!
Nëse jeni nga ata që tallen në kafe se: “Ka punë e s’ka profesionistë” apo “Në këtë vend nuk rrihet”, atëherë do të bënit mirë të shihnit se sa njerëz në Shqipëri kanë marrë në dorë kontrollin e jetës së tyre, duke u përpjekur të ndërtojnë vetë biznese. Konkurrentët nuk janë aspak delirantë, përkundrazi. Ata paraqesin projektet e tyre të përgatitura në detaje nëpërmjet një prezantimi në power-point dhe me një informacion të plotë nga studimi i tregut.
Ja përshembull, në videon e mëposhtme të pjesës së tretë të “Do you have an idea?” prezantohen pesë projekte biznesi.
Konkurrenti i parë ka krijuar një aplikacion ku do të përfshijë të gjithë eventet që organizohen në Shqipëri. Konkurrentja e dytë është nga Shkodra dhe ka një punishte të vogël për punime me dorë të tjegullave, drurëve, gurëve etj. Konkurrenti i tretë së bashku me partnerin e tij në Spanjë, duan të krijojnë një shërbim transporti të llojit “Uber”; konkurrenti i katërt ka krijuar një karikues celulari që furnizohet nga energjia diellore dhe që mund të instalohet në tavolinat e lokaleve. Ndërsa konkurrentja e pestë do që të nisë brendin e saj të këpucëve.
3. Sepse paneli gjykues është një shkollë më vete.
Në 5 kolltuqet e gjykimit në “Do you have an idea?” nuk ka kombinacion të tipit: i bukuri – nevriku – profesionisti, siç ndodh zakonisht në programe televizive. Për hir të së vërtetës, gjykuesit e ideve mund të mos kenë fare Instagram dhe të mos jenë fytyra të njohura, por pasuria e tyre e përbashkët i kalon 1 miliard eurot. Nëse nuk i njihni nga emrat, mjafton t’ju përmendim bizneset që kanë themeluar e drejtojnë si: “Balfin Group”, "Megafarma", “Edil-al”, “Delta Group” “Mici Shoes”, “Intesa San Paolo”, “Fondi Besa”, “Megatek”, “Ak-Invest”, “Sigal” etj.
Pyetjet dhe komentet e këtyre njerëzve që kanë ndërtuar nga zero disa prej kompanive më me influencë në tregun ekonomik në vend, janë vërtetë leksione të mirëfillta biznesi, jo vetëm për ata që duan të nisin një startup, por edhe për ata që kanë aktualisht një sipërmarrje.
4. Sepse aty mund të bëhesh milioner i vërtetë!
Nuk është një konkurs llotarie apo fati! Është një ngjitje graduale (por e vërtetë) drejt milionit të parë (në euro)! Është një konkurs ku projektet që kanë më shumë premisa për t’u zhvilluar dhe për të vjelë fitime, mbështeten në fazat e para nga investuesit. 7 finalistëve u plotësohen kërkesat dhe një prej startup-eve përfiton extra edhe 10 mijë euro në ndihmë të investimit! Me një plan biznesi të qartë, me shumë pasion dhe me këtë mbështetje që përfiton në “Do you have an idea?” , nuk ka asnjë arsye përse puna të mos të çojë drejt një suksesi shumë fitimprurës.
5. Sepse “Do you have an idea?” promovon një kulturë të re, të cilën bota po e bën përditë!
“Startup Culture”, e thënë ndryshe. Është kultura e sipërmarrjeve të reja, që në anglisht njihen si “startup”, të cilat kërkojnë investues për të çuar projektet e tyre përpara. Në kohën e këtij zhvillimi të vrullshëm të teknologjisë në treg janë me qindra-mijëra ide, por të gjitha kanë nevojë për një financim, për dikë që t’i mbështesë. Zhvillimi i kësaj kulture në botë ka ndihmuar shumë sipërmarrës të rinj që ta kenë më të lehtë rrugën e kërkimit të një investuesi. Nga ana tjetër, edhe investuesit kanë mësuar të dalin jashtë kornizës së tyre të investimeve, duke shqyrtuar edhe tregje për të cilat nuk kishin dijeni apo interes më përpara.
Në Shqipëri, ku fatkeqësisht mbizotëron një ndjenjë pesimizmi ndaj zhvillimit, disa ide biznesi që mund të jenë gjeniale, rrinë të ndrydhura në laptope, pasi shumë të rinj e quajnë gati të pamundur kontaktin me sipërmarrës të fuqishëm e për më tepër, nuk shohin asnjë dritë shprese se mund të ndihmohen. “Do you have an idea?” është një mundësi e shkëlqyer që krijon një urë lidhjeje midis më të fuqishmëve në treg dhe njerëzve me potencial në plan-bizneset e tyre, që në një rast tjetër, mund të mos puqeshin kurrë.
5.Sepse i jep rëndësi pushtetit të katërt, televizionit, një rëndësi që po e humbte nga dita në ditë!
Ankohemi se televizionet gjithmonë e më tepër po orientohen drejt zhurmës. Që do të thotë: Spektakle argëtuese, pa kurrfarë boshti, telenovela me mendësi të vjetëruar, diskutime politike me sherre pa thelb dhe lajme skandaloze pa burime të sakta. Por “Do you have an idea?” është një shembull fantastik se si televizioni mund të përdoret në favor të njerëzve dhe në favor të zhvillimit të vendit, ndryshimit të perceptimit drejt koncepteve moderne të sipërmarrjes dhe më e rëndësishmja, “Do you have an idea?” në mënyrën e saj, edukon rininë –që përbën përqindjen më të madhe të popullsisë – të rrisë kërkesat ndaj vetes dhe të jetë optimiste se mund t’ia dalë mbanë, pa qënë nevoja të anëtarësohet në parti dhe të kapë një punë në shtet.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.