Aq shumë është përhapur përdorimi i kontraceptivëve nga gratë, sa është kthyer në stres më vete. Një studim i fundit vërtetoi se ndikimi që kanë kontraceptivët nuk është vetëm fizik, por mbi të gjitha emocional dhe mendor.
Edhe pse ekzistojnë prezervativët, gratë kanë nisur ta ndjejnë si detyrim marrjen e pilulave, si të ishte alternativa e vetme e parandalimit të shtatzënisë. Kujtojmë se vitin që shkoi, kimistët e barnave u përpoqën të sillnin në treg kontraceptivët për burrat, por nga testet paraprake që u bënë, ata shfaqën simptoma si depresioni, si edhe disa nisën të kishin mendime vetëvrasëse. Edhe pse testimet paraprake për kontraceptivët e grave patën pothuajse të njëjtat rezultate, askush nuk vendosi të ndalonte prodhimin dhe shitjen e tyre.
Tani, përdorimi i tyre është kthyer në një stil jetese për gratë.
“Është një manifestim i fuqishëm i një lloj miti shoqëror”, shpjegon studiuesja Katrina Kimport, “është aq e rëndësishme që parandalimin e shtatzëninsë ta bëjnë gratë, sa ato janë gati të pranojnë efektet anësore që kanë pilulat.”
Ajo shpjegon se kur një grua vendos të përdorë kontraceptivë, nuk është më çështje e përbashkët me partnerin, por e konsideron të mirëqënë edhe kur ndryshon partner. Ndonjëherë, biseda lidhur me kontraceptivët nuk bëhet fare.
“Nuk ka të bëjë vetëm për futjen e pilulës në trup, ka të bëjë edhe me kohën, vëmendjen dhe stresin që lidhen me të.”, shprehet Kimport.
Vizita tek gjinekologu, recetat, përpjekia për të mos harruar të marrësh kontraceptivët rregullisht por edhe frika nga efektet anësore, janë kthyer në një pjesë të zakonshme të përditshmërisë së grave, por sipas studiuesve, do të thotë një përgjegjësi e madhe, që nuk kanë pse ta mbajnë mbi supe vetëm gratë.
Burimi: “Elle”