Pippa Middleton u martua sot me sipërmarrësin James Matthews dhe për ceremoninë në kishë zgjodhi një fustan të dizenjuar nga dizenjatori britanik Giles Deacon.
Fustani, dantellë nga qafa tek këmbët, sipas njerëzve ngjan shumë me fustanin e princeshës shqiptare Elia Zaharia në pritjen private pas martesës civile me princin Leka në tetor të vitit që shkoi.
Olti Curri publikoi në faqen e tij në Facebook fotot që vënë në dukje ngjashmërinë mes fustaneve. Shumë njerëz komentojnë se fustani i Pippa-s është vërtet i ngjashëm me atë të Elias.
Fustani i Elias u dizenjua nga dizenjatorja Flora Suldashi. Është punuar i tëri nga dizenjatorja, e është stolisur me mbi 1,500 perla si edhe qindra kristale Swarovski, të gjitha të qëndisura me dorë. Ishte fustani i dytë; në ceremoninë publike veshi një fustan tjetër të dizenjuar nga Blerina Kllokoqi Rugova.
Pavarësisht ngjashmërisë, mund të jetë edhe sepse në përgjithësi, nuset mbretërore kanë zgjedhur dantellën si element fisnikërie dhe thjeshtësie.
Edhe Kate Middleton gjatë martesës së saj me princin William në prill të 2011-ës, veshi një fustan po me dantellë në pjesën e bustit, të krijuar nga dizenjatorët e Alexander McQueen.
Prej dekadash, nuset mbretërore veshin fustane me dantellë. Shembulli më klasik është Grace Kelly, e cila në martesën me princin Rainier të Monaco-s në 1956-ën, kishte jo vetëm bustin e fustanit, por edhe vellon prej dantelle.